Bashkëpunimi midis Serbisë dhe EULEX-it për trafikim organesh, që dyshohet se ka ndodhur në Kosovë, është intensifikuar, thotë Zyra e Prokurorisë së Serbisë për Krimet e Luftës.
Clint Williamson, shef i ekipit special të hetimeve të EULEX-it në krye të rastit të trafikimit të organeve, vizitoi Beogradin të mërkurën për të shkëmbyer provat në lidhje me hetimin me homologët serbë, tha për BIRN-in, Prokuroria e Shtetit në Serbi.
Williamson ka vizituar më parë Beogradin në fund të marsit, kur sipas zëvendësprokurorit për Krime të Luftës, Bruno Vekaric, u diskutuan detajet teknike të bashkëpunimit.
Vekaric shtoi se Serbia ka prova të rëndësishme që konfirmojnë ekzistencën e një grupi trafikimi organesh në Kosovës, të cilin ia ka kaluar EULEX-it.
Prokuroria serbe dhe Dick Marty, raportuesi për të drejtat e njeriut i Këshillit të Evropës, thonë se trafikimi i organeve ka ndodhur jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri.
Marty e lëshoi një raport në dhjetor të vitit 2010, që lidhte luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, duke përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me krim të organizuar, si dhe i akuzoi për trafikim të organeve të të burgosurve serbë si dhe të tjerë, në Shqipëri.
Serbia dyshon gjithashtu se Fatmir Limaj, deputet në Kosovë, dhe ish-komandant i UÇK-së, si dhe 28 luftëtarë të tjerë të UÇK-së ishin të përfshirë në trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.
Pritet që Marty do të dëshmojë për rastin Medicus më 18 qershor. Rasti qëndron mbi dyshimet se një klinikë në Kosovë organizoi dhe bëri shitjen dhe transplantimin e veshkave nga donatorë të varfër tek klientë të ndryshëm të pasur.
Kosova dhe Shqipëria kanë mohuar akuzat, por janë pajtuar të marrin pjesë në hetimin ndërkombëtar për rastin.
Parlamenti i Shqipëroi miratoi një ligj në maj të këtij viti, që i dha fuqi EULEX-it për të hetuar dyshimet e trafikimit të organeve, gjë që është përshëndetur nga Prokuroria e Serbisë.
“Aprovimi unanim i parlamentit shqiptar për të lejuar ekipin e Williamsonit për të bërë hetimet në territorin e Shqipërisë është shumë i rëndësishëm. Mendoj se është një hap përpara, sepse shumë gjurmë të krimit çojnë në atë vend”, tha Vladimir Vukcevic, kryeprokurori serb për Krimet e Luftës.
Sidoqoftë, ende nuk është e qartë në cilin vend gjyqi i mundshëm për rastin e trafikimit të organeve do të mbahet. Williamson beson se rasti do të dërgohet në gjykata dhe gjyqtarë ndërkombëtarë.
“Jemi pjesë e sistemit të drejtësisë së EULEX-it, kështu që ndoshta gjyqi do të mbahet në Kosovë, por nga gjyqtarë ndërkombëtarë. Ekziston edhe mundësia që në gjykatë e veçantë të formohet vetëm për këtë qëllim”, tha Williamson.
“Ky mund të jetë rasti i vetëm i madh i krimeve të luftës që mbetet i pazgjidhur dhe që po rri pezull në rajon. Personat që kanë humbur të dashurit e tyre [gjatë konfliktit në Kosovë] meritojnë të dinë të vërtetën dhe meritojnë drejtësi”, shtoi ai.