Pasi Gjykata e Qarkut në Prishtinë e liroi Fatmir Limajn dhe tre ish-anëtarë të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte, prokurori i Serbisë për Krime Lufte kritikon vendimin.
![]() |
| Fatmir Limaj para Gjykatës në Prishtinë | Foto nga Beta |
Gjykata e Qarkut në Prishtinë deklaroi më 2 maj, Fatmir Limajn, nënkryetar i Partisë Demokratike në Kosovë, dhe tre ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Naser Shala - se nuk janë fajtorë për krime lufte ndaj civilëve dhe të burgosurve të luftës, në kampin Kleçka, në vitin 1999.
Prokurori i EULEX-it për rastin, Maurizio Salustro, i kishte bazuar pothuajse të gjitha akuzat në dëshminë e Agim Zogajt, i njohur si Dëshmitari X, i cili u vetëvra shtatorin e shkuar në Gjermani, para se të fillonte gjyqi.
Zogaj kishte qenë roje burgu në Kleçkë dhe ditari i tij për ngjarjet atje ishte kyç për rastin e prokurorisë kundër komandantit të Zogajt në atë kohë, Limaj, dhe nëntë luftëtarëve të tjerë të UÇK-së.
Gjykata e Qarkut në Prishtinë i liroi gjashtë të pandehurit nga të gjitha akuzat më 21 mars, pasi vendosi se ditarët e Zogajt ishin të papranueshëm si evidencë.
Limaj dhe tre të pandehurit e tjerë mbetën për rigjykim. Prokuroria nuk prezantoi prova të tjera, sidoqoftë, shpjegoi se “Dosja e rastit Klecka” përmban “prova më se të mjaftueshme për të lejuar panelin e gjyqtarëve të marrë një vendim përfundimtar dhe të drejtë”.
Ndërsa të pandehurit festuan vendimin e gjykatës, Zyra e Prokurorisë për Krime Lufte në Serbi tha se vendimi ngre “çështjen nëse ndokush në Kosovë dhe Metohi do të dënohet ndonjëherë për krime të kryera ndaj serbëve”.
Vendimi ishte “i turpshëm dhe i padrejtë, veçanërisht për të gjithë viktimat që kërkojnë drejtësi”, shton kjo zyrë.
Prokurorët serbë, aktualisht, po kryejnë hetimet e tyre për krime të luftës të kryera në Kosovë, dhe thonë se dyshojnë se Limaj bashkë me 28 ish-luftëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në trafikimin e organeve dhe krime të tjera ndaj civilëve.
Ata dyshojnë burrat se kanë dërguar disa serbë dhe joshqiptarë nga kampi i Llapushnikut në Kosovë në kampet në veri të Shqipërisë, ku janë bërë transplanto të paligjshme organesh.
Autoritetet serbe lëshuan një urdhërarrest ndërkombëtar për Limajn në vitin 2009 dhe thonë se presin arrestimin e tij, nëse përpiqet të largohet nga Kosova.