Lajm 07 Jun 12

Sasa Baricanin Dënohet me 18 Vjet Burgim

Gjykata e Shtetit e Bosnjës hodhi poshtë apelin nga prokuroria dhe avokati mbrojtës i Sasa Baricaninit dhe konfirmoi aktgjykimin që e dënon me 18 vjet burgim për krime të kryera në Sarajevë.

Denis Dzidic
BIRN
Sarajevë

Në nëntor të vitit 2011, Baricanini u shpall fajtor për përfshirje në vrasjen e tre anëtarëve të familjes boshnjake Balvanovic, si dhe përdhunimin disa herë të një gruaje në lagjen Grbavica në Sarajevë, në vitin 1992.

Baricanin, ish anëtar i njësisë paramilitare serbe të Bosnjës, u shpall fajtor edhe për mbajtjen rob të një personi.

Prokuroria dhe avokati mbrojtës apeluan aktgjykimin në mars. Prokurori Behaija Krnjic kërkoi që, për shkak të “rrethanave veçanërisht të rënda”, Baricanin duhet të dënohet me të paktën 20 vjet burgim. Ndërsa avokati i tij, Dusko Tomic, kërkoi rigjykim.

“Dhoma e shkallës së parë tregoi një shkallë të lartë jotolerance dhe përbuzje ndaj klientit tim”, tha Tomici, në atë kohë.

Dhoma e Apelit në Gjykatën e Bosnjë dhe Hercegovinës i hodhi poshtë të dy apelet si “të pabaza”.

Koha që Baricanin kaloi në paraburgim, që nga shkurti i vitit të shkuar, do të zbritet nga dënimi dhe ky vendim nuk mund të apelohet.

Baricanini u arrestua në shkurt të vitit të shkuar, dhe gjyqi i tij filloi dy muaj më vonë.

blog comments powered by Disqus