Lajm 06 Dec 12

Samiti në Mal të Zi Bën Thirrje për Bashkëpunim më të Afërt Rajonal

Krerët e shteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë bërë thirrje për bashkëpunim më të afërt rajonal në samitin vjetor në të cilin president serb nuk mori pjesë.

Milena Milosevic
BIRN
Podgoricë

Samiti rajonal për bashkëpunim, u mbajt të mërkurën në qytetin bregdetar të Budvës në Mal të Zi, në të cilin morën pjesë presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanovic, homologia e tij nga Kosova, Atifete Jahjaga, krerët e shteteve të Shqipërisë, Bujar Nishani, dhe ai i Maqedonisë, Djordje Ivanov.

Kreu i shtetit të Serbisë, Tomislav Nikolic nuk mori pjesë në samit.

Sipas mediave vendore, Nikolic refuzoi ftesën për të marrë pjesë në shenjë proteste për lirimet e fundit nga Tribunali i Hagës të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe pranisë së presidentes së Kosovës në samit.

Mesazhi kryesor i samitit ishte nevoja për bashkëpunim më të ngushtë rajonal në fushat e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, bashkëpunimit ndërkufitar, ekonomisë dhe integrimin europian dhe në NATO.

Pas takimit me kolegët nga rajoni, presidenti shqiptar, Bujar Nishani, tha për shtypin se marrëdhëniet e Shqipërisë me të gjithë fqinjët janë të mira, përfshirë Maqedoninë, pavarësisht incidentit të fundit kur u dogj flamuri i Maqedonisë.

“Incidente të izoluara, individuale dhe provokative janë çështje të gjyqësorit, por ato nuk dëmtojnë në asnjë mënyrë marrëdhëniet mes dy vendeve tona”, tha Nishani.

Shkëmbimi i pritur i ambasadorëve mes Malit të Zi dhe Kosovës ishte mes çështjeve  që tërhoqën vëmendjen e shtypit.

Në fund të majit, katër vjet pasi njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, qeveria e Malit të Zi tha se do të hapë ambasadën në Prishtinë.

Edhe më tutje, Vujanovic refuzoi të emërojë ambasadorin në Prishtinë derisa malazezët të marrin statusin e minoritetit etnik në Kosovë.

Atifete Jahjaga, presidentja e Kosovës, përsëriti të mërkurën se njohja e statuseve të minoriteti etnik për komunitet malazeze dhe kroate në Kosovë është vetëm çështje kohe.

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor