Lajm 26 Mar 12

Salustro: Të pandehurit e Rastit Kleçka janë Fajtorë

Prokurori i EULEX-it, Maurizio Salustro, i ka kërkuar gjykatës në Kosovë t’i deklarojë Limajn dhe nëntë ish-luftëtarët e tjerë të UÇK-së, fajtorë në rastin Kleçka, dhe të japë dënimin maksimal. 

Fatmir Aliu
BIRN
Prishtinë

Maurizio Salustro, prokurori Special në rastin Kleçka, në deklaratën e tij përfundimtare të dorëzuar pranë panelit të gjyqtarëve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, shkroi se edhe pse dëshmitë dhe ditarët e dëshmitarit të vdekur, Agim Zogaj, u gjykuan si të papranueshme, prokuroria ka vërtetuar se të dyshuarit janë fajtorë për krime lufte, për të gjitha akuzat.

Deklarata përfundimtare e Salustros, e parë nga BIRN, u dorëzua të enjten e shkuar, më 22 mars, një ditë pasi gjykata i liroi dhjetë ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, duke përfshirë komandantin e tyre, Fatmir Limaj, nënkryetar i tanishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK.

Gjykata vendosi se prokuroria dështoi të plotësonte disa standarde procedurale, dhe për këtë arsye provat e Zogajt nuk qenë të pranueshme.

Aktpadia akuzon Limajn dhe të pandehurit e tjerë se kanë kryer krime lufte të ndryshme në një qendër të improvizuar burgimi në fshatin Kleçka, në rajonin e Drenicës, në Kosovë.

Zogaj ishte roje burgu në kampin Kleçka në Kosovë, në vitin 1999, dhe ditarët e tij për ngjarjet që ndodhën atje ishin kyç për rastin e ngritur nga prokurori.

Salustro, në deklaratën e tij përfundimtare, argumenton se ishte për shkak të dëshmive të Zogajt që në fshatin Kleçka u gjetën pesë trupa.

“Më 24 mars 2009, Zogaj u tregoi hetuesve për një varr të mundshëm. Më shtator të 2009 u ndërmor një zhvarrosje dhe eshtrat e pesë të vdekurve u gjetën”, i shkruajti Salustro gjykatës.

Avokatët mbrojtës kanë thënë se zhvarrosja dhe provat e mbledhura ishin gjithashtu të papranueshme, duke qenë se avokatët nuk qenë të pranishëm.

Sidoqoftë, Salustro argumenton se avokatët mbrojtës nuk mund të thirreshin në atë kohë, sepse procedurat penale nuk kishin nisur ende.

Një ekip mjeko-ligjor i Misionit për të Sundim të Ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, gjatë zhvarrosjeve në Kleçkë gjeti gjithashtu një kosë, e cila besohet se është përdorur për të vrarë njërën nga pesë viktimat.

Në një nga seancat e mëparshme dëgjimore, avokati mbrojtës Agim Vertrpoi e akuzoi prokurorinë se ka vënë mjete në vendin e zhvarrosjes.

Prokurori Special Salustro thotë se argumenti mbrojtës nuk duhet të merret parasysh, dhe e thirri gjykatën të konsiderojë provat e hedhura për rastin Kleçka si të pranueshme.

“Prokuroria beson se këto evidenca, të kombinuara me pjesën tjetër, mjaftojnë për të vërtetuar përgjegjësinë penale të të gjithë të akuzuarve. Për këtë arsye, prokuroria i kërkon Kolegjit Ligjor t’i deklarojë të gjithë të pandehurit fajtorë, dhe t’i dënojë sipas ligjit”, thotë prokuroria në deklaratën përfundimtare.

Limaj, figurë e njohur në Kosovë, është përballur me gjyq për krime lufte para Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në-ish Jugosllavi, ICTY. Tribunali i Hagës e liroi nga të gjitha akuzat në lidhje me dyshimin për përfshirje të tij në krimet e kryera në kampin burg në Lapushnik më 1998.

Ekipet mbrojtëse kanë kohë deri të martën, më 27 mars, për të dorëzuar deklaratat përfundimtare në gjykatë.

This article is Premium Content. In order to gain access to it, please login to your account below if you are already a Premium Subscriber, or subscribe to one of our Premium Content packages.

Buy Premium Subscription

Our Premium Service gives you access to exclusive content published on Balkan Insight, including analyses, investigations, comments, interviews and more. Subscribe to Balkan Transitional Justice Premium or to Full Premium Access and get unparalleled in-depth coverage of the Western Balkans.

Buy premium subscription

If you have trouble logging in or any other questions regarding you account, please contact us

blog comments powered by Disqus