Lajm 06 Dec 12

Rusia dhe Serbia Kritikojnë Tribunalin e Hagës në OKB

Në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia dhe Serbia dënuan lirimet e fundit të Tribunalit të Hagës, ndërsa kryeprokurori i Tribunalit të Hagës lavdëroi bashkëpunimin me vendet në rajon.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Duke folur të mërkurën në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e tribunaleve të OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe Ruandë, zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vucic, kritikuan aktgjykimet e fundit “të turpshme” të Tribunalit të Hagës.

“Besimi ynë në drejtësinë ndërkombëtare ka marrë goditjen më të rëndë të mundshme”, tha Vucic.

Në nëntor, Tribunali i Hagës, ICTY, liroi dy gjeneralët kroatë, Ante Gotovina dhe Mladen Markac, dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe dy ish-komandantët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë të akuzuar për krime lufte të kryera gjatë konflikteve të viteve 1990-të.

“A kanë serbët të drejtën për drejtësi dhe kush do të mbahet përgjegjës për spastrimin etnik të vitit 1995 të kryer nga forcat kroate, më i madhi pas Luftës së Dytë Botërore? Nëse Gotovina dhe Markac nuk janë fajtorë, kush është? Tribunali dështoi të na japë përgjigje”, shtoi ai.

Vucic theksoi gjithashtu dobësinë e sistemit për mbrojtjen e dëshmitarëve në ICTY, duke folur për lirimin e Haradinajt.

Vitalij Curkin, ambasadori i Rusisë në OKB, i është bashkangjitur kritikave për ICTY dhe shprehu “shqetësimin e thellë” për punën e tij, duke thënë se rastet e fundit nuk kanë treguar “as drejtësi dhe as efektivitet”.

“Si rezultat i lirimeve të fundit, bëjmë pyetjen se kush është fajtor… vrasjet dhe torturat ndodhën, por nuk ka autorë krimesh”, tha Curkin.

Nga ana tjetër, vende si Anglia, Gjermania, Portugalia, Guatemala dhe Franca dhanë mbështetjen e tyre të plotë për punën e Tribunalit të OKB-së për krime lufte.

Ambasadori gjerman në OKB, Peter Wittig, ka kritikuar Serbinë për zvogëlim të bashkëpunimit me Tribunalin në një nivel teknik.

“Autoritetet në Serbi, Bosnjë dhe Kroaci duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të vazhduar punën e Tribunalit dhe për të gjykuar krimet e luftës”, tha Wittig.

Homologu i tij anglez, Mark Lyall Grant, theksoi se pas lirimeve të gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mladen Markac, gjykatat vendase në Kroaci duhet të gjykojnë ata përgjegjës për krime lufte.

Ranko Vilovic, i dërguar i Kroacisë në OKB, u përgjigj se vendi i tij po gjykon autorët e krimeve të luftës dhe se do të vazhdojë të bëjë të njejtën gjë në të ardhmen.

Serge Brammertz, kryeprokurori i Tribunalit të Hagës, ICTY, lavdëroi bashkëpunimin mes Tribunalit dhe vendeve në rajon në raportin e tij dyvjetor të cilin ia prezantoi Këshillit të Sigurimit, të mërkurën.

“Kroacia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina vazhduan t’i përgjigjen kërkesave të Tribunalit të Hagës në kohë”, tha Brammertz.

Duke folur për çështjet e pazgjidhura në këto vende, kryeprokurori i Tribunalit tha se “Serbia ka intensifikuar përpjekjet për të gjetur rrjetin e personave që ndihmuan ish-komandantin serb të Bosnjës, Ratko Mladic”.

Brammertz tha se një numër i madh krime lufte në Bosnjë ende mbetet i pazgjedhur dhe se nuk ka gjasa se vendi do t’i plotësojë afatet e vëna në strategjinë e drejtësisë tranzicionale.

“Shqetësimi tjetër është kapaciteti i ulët i gjykatave të të gjitha niveleve”, shtoi ai.

Brammertz shprehu shpresën që protokollet për bashkëpunim në rastet e krimeve të luftës mes prokurorive të Serbisë dhe Bosnjës do të nënshkruhen në të ardhmen e afërt.

Presidenti i Tribunalit të Hagës, gjyqtari Theodor Meron, tha se gjyqi i ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Rakto Mladic, pritet të përfundojë në korrik të vitit 2016.

Aktgjykimet në rastet e liderit serb të Kroacisë, Goran Hadzic, dhe liderit serb të Bosnjës, Radovan Karadzic, priten në verë të viteve 2015 dhe 2014, përkatësisht.

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor