Prokuroria kroate i hodhi poshtë akuzat kundër Borislav Mikelicit, ish-kryeministër i Krajinës, rajonit të shkëputur serb nga Kroacia, në fillim të viteve 1990-të.
“Pas hetimit, prokuroria arriti në përfundimin se nuk ka prova që e lidhin Mikelicin me veprat për të cilat paditet”, sipas një letre nga zyra e prokurorit në Sisak, që u lexua të enjten, në gjykatën e kantonit në Zagreb. Gjyqtari Zeljko Horvatovic i mbylli procedurat ligjore ndaj Mikelicit, i cili nuk u paraqit në gjykatë.
Mikelic u dënua në mungesë me 20 vjet burgim nga Gjykata e Kantonit në Sisak, më 1993 për “koordinimin dhe përgatitjen e rebelimit të armatosur nda qeverisë kroate”, dhe për urdhërimin e sulmeve në qytetin Petrinja dhe në vende të tjera në zonë.
Avokati mbrojtës i Mikelicit, Silvije Degen, kërkoi një rigjykim për Mikelicin në prill, duke shpjeguar se këtë herë Mikelici do të gjykohej, edhe pse përsëri në mungesë, sipas standardeve më të larta gjyqësore, se sa ato në vitet 1990-të, “kur njerëzit po dënoheshin pa prova”.
“Akuzat kundër Mikelicit janë të dyshimta dhe mbrojtja e tij në vitin 1993 ishte e turpshme”, tha Degen. “Avokati i tij nuk e apeloi vendimin, duke shpjeguar se provat për fajësinë e Mikelicit, ishin të qarta. Kjo ishte shkelje e normave dhe etikave bazë gjyqësore”, shtoi ai.
Para fillimit të luftës në Kroaci, Mikelici ishte drejtor i prodhuesit të mishit “Gavrilovic”, me bazë në Petrinjë, një nga kompanitë më të mëdha në ish-Jugosllavi. Gjatë luftës, ai u bë kryeministër i Republikës së vetëshpallur serbe të Krajinës.
Pasi ushtria kroate rimori territoret në vitin 1995, Mikelici lëvizi në Beograd, Serbi.
Në vitin 2003, ai u arrestua dhe u mbajt 3 muaj në paraburgim nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e kryeministrit properëndimor të Serbisë, Zoran Djindjic.
Në një intervistë të kohëve të fundit, Mikelici bëri të ditur planin për të formuar një parti politike në Serbi që do të përkrahë interesat e serbëve kroatë që u larguan nga Kroacia në vitin 1995.