Lajm 30 Nov 12

Reagime të Përziera Ndërkombëtare për Lirimin e Haradinajt

Reagimi ndërkombëtar për lirimin nga Tribunali i Hagës i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pasqyron reagimet e përziera në rajon.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Komisionieri i BE-së për Zgjerim, Stefan Fule, tha se BE-ja nuk do të komentojë për lirimin e Haradinajt, duke qenë se nuk dëshiron të ndërhyjë në punën e Tribunalit.

“Në këtë kontekst është e rëndësishme për partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor të vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe të punojnë për ripajtimin”, tha Fule.

Pas lirimit të tyre nga Tribunali i Hagës të enjten, Ramush Haradinaj dhe dy komandantët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, u kthyen në Kosovë të lirë me mikpritje të hareshme.

Serbia, në anën tjetër, ka shprehur zemërim ndaj aktgjykimit.

Anëtarë të komunitetit ndërkombëtar, si dhe Serbia, kanë kritikuar vendimin e Tribunalit të Hagës, duke thënë se aktgjykimi do ta kthejë orën e pajtimit mbrapa dhe nuk iu ka sjellë drejtësi viktimave.

Carl Bildt, ministri suedez për punët e jashtme dhe ish-ndërmjetës në konfliktet ne Ballkan, tha se “këto aktgjykime do të çojnë rajonin në të shkuarën, në një kohë kur vendet në rajon duhet të shohin në të ardhmen”.

“Për popujt në Serbi, Kroaci dhe Bosnjë është e rëndësishme të mos lejohet që e shkuara e dhimbshme të rrezikojë të ardhmen e tyre”, tha Blidt të enjten.

Dy ish-zyrtare të Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte dhe Florence Harmann, shprehën gjithashtu reagimet e tyre.

Ish-kryeprokurorja, Carla Del Ponte tha se nuk është e habitur nga fakti që Haradinaj u lirua, por se ishte e vështirë të gjendeshin prova.

“Hetimi në rastin e Haradinajt ishte shumë i vështirë. Nuk kishte bashkëpunim me Kosovën dhe ishte shumë e vështirë për të mbledhur prova”, tha Del Ponte për agjencinë e lajmeve Tanjug në Beograd.

“Edhe kur kishim prova, dëshmitarët ndryshonin dëshmitë”, shtoi ajo.
Puna e Del Pontes në rastin Haradinaj u kritikua të enjten nga Ben Emmerson, avokati i Haradinajt, që kërkoi që ajo të kërkojë ndjesë.

“Ajo duhet të kërkojë falje për përgjegjësinë e saj, tërësisht personale për vendimin për të lëshuar këtë aktpadi pa asnjë provë të besueshme për të jusitifukuar vendimin e saj”, tha Emmerson.

Geoffrey Nice, ish-gjyqtar i ICTY-s, fajësoi prokurorinë e Hagës për dështimin e rasteve kundër Haradinajt dhe Gotovinës.

Ai tha se rasti i Haradinajt “ishte i turpshëm për Tribunalin” , duke qenë se shumë avokatë kanë këshilluar Del Ponten dhe kolegë të saj se nuk kishte prova të mjaftueshme për të gjykuar.

Ish-zëdhënësi i Tribunalit të Hagës, gjatë kohës kur Carla del Ponte ishte kryeprokurore, Florence Hartmann, e përshkroi lirimin e Haradinajt si “dështim të plotë të drejtësisë ndërkombëtare”

“Tribunali u mund sepse u dorëzuan së kërkuari për të vërtetën dhe askush nuk është mbajtur përgjegjës”.

“Gjykatat ndërkombëtare u krijuan për të bërë gjërat që nuk mund të bënin gjykatat vendase dhe në vend që t’i ushtronte këto fuqi, ICTY u bë një gjykatë tjetër provinciale”, tha Hartmann.

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor