Profil 29 Nov 12

Rambos së Kosovës i pëlqen politika

Ramush Haradinaj kishte realizuar me sukses tranzicionin nga një lider i grupeve guerile në një politikan, derisa nuk iu vu pas Haga, edhe atë jo një po dy herë.

Edona Peci
BIRN
Prishtinë
Wikicommons

Bota e njeh si ish-komandant të forcave guerile të cilit i ngarkohen krime të luftës të kryera gjatë konfliktit në Kosovë, në vitin 1999.

Në Kosovë, ai njihet si një nga figurat më të rëndësishme të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si lider, si politikan dhe si hero. Ai është i biri i Hilmiut, bashkëshorti i Anitës dhe babai i Gjinit, Hanës dhe Trimit.

Haradinaj 44-vjeç ka kaluar dy vitet e fundit në Hagë, në njësinë e paraburgimit të Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (ICTY).

Ky Tribunal e ka akuzuar atë për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës gjatë luftës që u zhvillua në Kosovë në fund të viteve të 90-ta.

Të enjten, më 29 nëntor, ai do të paraqitet para gjykatës dhe do ta dëgjojë për herën e dytë vendimin e kësaj të fundit lidhur me akuzën që i ngarkohet.

Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj, ish-bashkëluftëtarë të tij nga UÇK, do të gjenden në po të njëjtën gjykatore si palë të rastit ‘Haradinaj dhe të tjerët’.

Kjo treshe u akuzua për torturim dhe vrasje të të burgosurve në një kamp në Jabllanicë që gjatë konfliktit në Kosovë udhëhiqej nga UÇK.

Akuza nuk është e vetmja gjë që këta të tre e kanë të përbashkët. Fati i bashkoi ata para më shumë se një dekade kur u bënë pjesë të lëvizjes së armatosur kundër policisë dhe ushtrisë Serbe e cila atëbotë kontrollonte vendin.

Por, planet për të zhvilluar luftë tokësore për pavarësimin e Kosovës nuk dukeshin gjëkundi në vitin 1989, kur Haradinaj la Kosovën për tu shpërngulur në Zvicër.

Si shumica e shqiptarëve të Kosovës deri atëherë, ai e kishte të kryer shërbimin ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë – APJ.

Wikicommons

Kushtet për rezistencë të armatosur ende nuk ishin pjekur, ndërsa që lideri i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, ndiqte rrugët paqësore për vetëvendosje.

Gjatë qëndrimit jashtë vendit, Haradinaj kreu punë të ndryshme, nga ndërtimtaria e deri tek sigurimi në klube nate, para se të kthehej në vendlindjen e tij në Gllogjan gjashtë vite më vonë.

Pak pas kthimit, ai u mobilizua në armatën e re guerile, UÇK, duke përgatitur dhe kryer sulme mbi caqet serbe.

Gjatë një funerali në nëntor të vitit 1997 u shfaqën për herë të parë publikisht ushtarët e UÇK-së me armë në duar. Mes atyre ushtarëve ishte edhe vëllai i vogël i z. Haradinaj – Dauti.

Guerilët shqiptarë të Kosovës vazhduan veprimtarinë e tyre të kohëpaskohshme deri në mars të vitit 1998, kur shpërtheu lufta e përgjithshme.

Humbja personale e mëhershme e Haradinajt, vrasja e vëllait tjetër të tij Luanit nga policia serbe, i parapriu vrasjes së Adem Jasharit, njërit nga ideatorët UÇK-së.

Forcat serbe e vranë atë dhe dyzet anëtarë të familjes së tij më 5 mars të vitit 1998, pas rrethimit të shtëpisë së familjes së tij në Prekaz të Drenicës.

Me kilometra larg Drenicës, në perëndim të Kosovës Haradinaj udhëhiqte operacionet luftarake të UÇK-së si Komandant i Zonës Operative të Dukagjinit.

Me intervenimin e forcave të NATO-s në vitin 1999, lufta në Kosovë përfundoi ndërsa forcat serbe u tërhoqën nga vendi. Haradinaj ndërroi pozitën dhe u Zëvendëskomandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, një force civile emergjente e krijuar nga OKB me qëllim të absorbimit të ish-kryengritësve.

Kontaktet e tij me ish-zyrtarët e OKB-së, si Steven Schook apo Larry Rosin, i shërbyen mirë në karrierën e tij politike pas vitit 2000, kur ai themeloi partinë e vet politike – Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Transformimi i tij nga një ‘Rambo’, pseudonim ky me të cilin njihej më parë, në një politikan nuk ishte proces i lehtë në vendin e administruar nga OKB.

Duke qenë se ishte rritur në një regjion ku ende zbatohej Kanuni i Lekë Dukagjinit, kanuni i së drejtës zakonore shqiptare, Haradinajt iu desh që idetë e tij t’ia përshtatë kontekstit modern.

Njëkohësisht, ai i qëndroi besnik formulës së tij: ‘Dinjitet, krenari dhe nder.’

Ndërkohë, në politikë po hynte edhe Hashim Thaçi, ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, i cili themeloi Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), rivale e mëvonshme e AAK-së.

Lideri shumëvjeçar i pavarësimit të vendit, Rugova, ishte ende në skenë si lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), megjithëse shumë anëtarë të partisë së tij po iknin për t’iu bashkëngjitur PDK-së dhe AAK-së.

Haradinaj garoi kundër Rugovës dhe Thaçit në zgjedhjet e para të Kosovës të organizua në vitin 2001, por nuk pati sukses të theksuar.

Rezultatin e parë të favorshëm partia e tij e arriti në zgjedhjet e dyta të përgjithshme në Kosovë në vitin 2004, kur u rangua e dyta.

Haradinaj atëbotë u zgjodh Kryeministër, pas hyrjes në koalicion me LDK-në e Rugovës.

Beta

Pas vetëm njëqind ditësh si udhëheqës i qeverisë, karriera politike e Haradinajt u ndërpre nga Tribunali i Hagës.

Më 4 mars 2005, ky Tribunal shpalli aktakuzën ndaj tij dhe dy pandehurve tjerë, Balajt dhe Brahimajt,. Në shoqërimin e anëtarëve të kabinetit të tij, Haradinaj mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, gjatë të cilës e informoi opinionin publik mbi kërkesën e Tribunalit për tu paraqitur para gjykatës.

Ai dha dorëheqje dhe u dorëzua vullnetarisht në Hagë katër ditë pas shpalljes së aktakuzës. Komuniteti ndërkombëtar në Prishtinë ia bëri atij një përcjellje të paharrueshme para largimit për në Hagë, ndërsa që disa ambasadorë shihej qartë se ishin prekur nga largimi i tij.

Në prill të vitit 2008, Tribunali e shpalli atë të pafajshëm për torturë, vrasje, dhunim dhe deportim dhe më pas ai u kthye në Kosovë ku iu organizua një pritje si hero. Në Prishtinë, turmat e grumbulluara thërrisnin pa ndërprerë ‘Ramuuuush, Ramuuuush, Ramuuuush’.

Kthimin e tij e priste me padurim edhe AAK. Kjo parti, e dobësuar si rrjedhojë e mungesës së Haradinajt, ishte vënë në opozitë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2007, pas së cilave PDK dhe LDK e formuan qeverinë e re.

Përpjekjet e tij për ta ringjallur partinë u penguan sërish nga një mesazh që i erdhi nga Haga.

Më 21 korrik të vitit 2010, Oda e Apeelit e Tribunalit të Hagës, i rrëzoi pjesërisht vendimet për lirim të treshes së UÇK-së dhe urdhëroi rigjykimin e pjesshëm.

Prokuroria e këtij Tribunali i kishte bindur gjyqtarët e apelit se nuk u ishte dhënë mjaft kohë për të dëgjuar dy dëshmitarë kyçë.

Me ca kile tepër në krahasim me vitin 2005, Haradinaj do të kuptojë këtë të enjte nëse karriera politike e tij ka mbaruar përgjithmonë apo nëse mund të kthehet në Kosovë për të vazhduar punën aty ku e la më parë.

This article is Premium Content. In order to gain access to it, please login to your account below if you are already a Premium Subscriber, or subscribe to one of our Premium Content packages.

Buy Premium Subscription

Our Premium Service gives you access to exclusive content published on Balkan Insight, including analyses, investigations, comments, interviews and more. Subscribe to Balkan Transitional Justice Premium or to Full Premium Access and get unparalleled in-depth coverage of the Western Balkans.

Buy premium subscription

If you have trouble logging in or any other questions regarding you account, please contact us

blog comments powered by Disqus