Lajm 14 Jun 12

Prokuroria Kërkon Dënime për Krimet në Krajinë

Në argumentet mbyllëse në gjyqin e tre boshnjakëve, ish-ushtarë të ushtrisë së Bosnjës, për krime lufte të kryera në Bosanska Krajina, prokuroria kërkon që të akuzuarit të shpallen fajtorë.

Denis Dzidic
BIRN
Sarajevë

Prokurori Dubravko Campara tha gjatë gjyqit - që ka zgjatur për pothuajse tre vjet - se ka vërtetuar që Mehura Selimovic, Adil Ruznic dhe Emir Mustafic, kanë marrë pjesë në krimet ndaj civilëve serbë, dhe të burgosurve të luftës në Bihac, Cazin dhe Bosanski Petrovac.

“Të pandehurit, që vepruan kundër konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e civilëve dhe të burgosurve të luftës, morën pjesë në trajtimin çnjerëzor dhe iu shkaktuan dëme të burgosurve. Të pandehurit Selimovic, Ruznic dhe Mustafic  ishin në dijeni për abuzimin fizik dhe emocional në vendet e burgimit, dhe donin ta vazhdonin këtë”, tha Campara.

Selimovic, Ruznic dhe Mustafic akuzohen se kanë marrë pjesë në burgosjen e paligjshme të anëtarëve të ushtrisë dhe policisë së Republikës Srpska, midis viteve 1994 dhe 1996, si dhe civilëve të burgosur në qendrat e burgimit në Bihac, Cazin dhe Bosanski Petrovac.

Siç specifikohet në aktpadi, Selimovic ishte oficer për çështjet e inteligjencës, dhe zëvendësdrejtori i Departamentit të Inteligjencës Ushtarake të Trupave të 5-të të Ushtrisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, ndërsa Ruznic ishte asistentkomandant për çështjet e sigurisë, dhe Mustafic ishte polic ushtrie.

Prokurori Campara tha se të akuzuarit Selimovic dhe Ruznic ishin oficerë zyrtarë në ushtrisë e Bosnjës dhe në krye të qendrës së burgimit në barakat e ushtrisë Adil Besic në Bihac.

“Inteligjenca e ushtrisë së Trupave të 5të të Ushtrisë së Bosnjë dhe Hercegovinës merrej me të burgosurit, pavarësisht faktit se barakat e ushtrisë kishin kujdestar. Është e qartë se të pandehurit Selimovic dhe Ruznic mbikëqyrën punën e rojeve në objektet e burgimit”, tha prokurori.

Sipas prokurorit, civilët serbë dhe të burgosurit e luftës në barakat e ushtrisë Adil Besic në Bihac, në dyqanin e mekanikut Rad në Cazin dhe fabrikës së plastikës në Bosanski Petrovac u mbajtën në “kushte çnjerëzore”, pa mjete për t’u kujdesur për nevojat e tyre higjienike.

“Të akuzuarit morën pjesë në ushtrimin e presionit fizik tek të burgosurit gjatë marrjes në pyetje. Selimovic dhe Ruznic urdhëruan që të burgosurit të abuzoheshin, ose shantazhoheshin, sepse kishin kontroll mbi rojet, ndërsa Mustafici ndihmoi në këto akte, si roje”, tha prokurori.

Gjyqi i tre ish-anëtarëve të Trupave të 5-të të Ushtrisë së Bosnjë dhe Hercegovinës filloi në gusht të 2009, dhe të akuzuarit po mbrojnë veten ndërsa janë të lirë.

Pala mbrojtëse do të fillojë me argumentet mbyllëse më 27 qershor.

blog comments powered by Disqus