“Dërgojini në Drenicë” ishte ajo që u thuhej ish-ushtarëve të UÇK-së nga eprorët e tyre kur bëhej fjalë për të ekzekutuar të burgosurit në kampin e burgimit në Jabllanicë, dhe komandanti i tyre Ramush Haradinaj nuk bëri asgjë për t’i ndaluar, tha prokurori i ICTY-s.
Sipas prokurorit të Tribunalit të Hagës, ICTY, Paul Rogers, ky eufemizëm është përdorur nga të tre të dyshuarit, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj, dhe Idriz Balaj, të gjithë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, që janë në gjyq për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve 1990.
“Eufemizmi “Çojini në Drenicë” që do të thoshte “vritni” ishte i njohur për ushtarët në Jabllanicë. Të burgosurit ishin persona që dyshoheshin se ishin bashkëpunëtorë ose spiunë serbë. Dëshmitarët Naser Lika, Ivan Zaris, Agron Berisha, Burim Bejtja, dhe shumë të tjerë të përmendur në aktpadi u rrahën dhe torturuan dhe disa prej tyre edhe janë vrarë. Ramush Haradinaj i mbështeti këto krime,” tha prokurori.
Në fjalën mbyllëse në rigjykimin e grupit në Hagë, Rogers tha se Haradinaj kishte autoritetin për të ndaluar torturat.
“Por Haradinaj e mbështeti eliminimin e kundërshtarëve të ushtrisë, dhe nxiti më shumë dhunë dhe krime në Jabllanicë. Autoriteti të cilin e kishte por që nuk e përdori për të ndaluar vrasjet, e bën atë përgjegjës,” tha prokurori.
Haradinaj, Brahimaj, Balaj u kthyen në ICTY për një rigjykim të pjesshëm pasi prokuroria e bindi gjykatësin e apeleve se nuk kishte dhënë kohë të mjaftueshme për të dëgjuar provat nga dy dëshmitarë kyç.
Prokuroria argumentoi se Haradinajdhe Brahimaj u shpallën të pafajshëm sepse dëshmitarët ishin “kërcënuar dhe shantazhuar” dhe nuk mund të jepnin dëshmi objektive.
Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj u liruan nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit pas një gjyqi tre vjeçar. Brahimaj u dënua me gjashtë vite burgim për trajtim çnjerëzor dhe torturim.
Treshja, në rastin e njohur si Haradinaj dhe të tjerët më parë u paditën për akuza për vrasje, pengmarrje, torturim dhe përdhunim të serbëve, romëve, dhe shqiptarëve midis marsit dhe shtatorit të 1998.
Gjatë konfliktit në Kosovë, Haradinaj ishte komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, Balaj ishte komandant i Njësisë së Shqiponjave të Zeza, pjesë e UÇK-së, dhe Brahimaj ishte anëtar i UÇK-së i vendosur në selinë në Jabllanicë, në komunën në perëndim të Gjakovës.
Haradinaj, 43 vjeç, u padit në vitin 2004 ndërsa shërbente si Kryeministër në Kosovë dhe u dorëzua në mënyrë vullnetare në Tribunal.
Fjalët përmbyllëse nga prokuroria dhe avokati mbrojtës do të vazhdojnë më 26 qershor.