Për shkak të natyrës së krimeve të luftës të kryera dhe rolit që ish-gjenerali kroat Ante Gotovina ka pasur në to, prokuroria e ICTY-s beson se dënimi me 24 vjet burgim është i garantuar.
![]() |
| Ish-gjenerali kroat Ante Gotovina |
Më 15 prill të vitit të shkuar, ish-gjeneralët Ante Gotovina dhe Mladen Markac u dënuan me 24 dhe 18 vjet burgim secili, për përfshirjen e tyre në ndërmarrjen e përbashkët kriminale që kishte për qëllim largimin e detyruar të civilëve serbë nga Krajina në Kroaci.
Dy ish-gjeneralët apeluan dënimet e tyre të shkallës së parë mbi bazat se vendimi është i pasaktë.
Prokuroria, sidoqoftë, beson se apeli duhet rrëzuar. Në një deklaratë të hënën, prokuroria tha se janë prezantuar prova të mjaftueshme për të përcaktuar se gjeneralët kishin përgjegjësi komanduese dhe se është vërtetuar se të dy ishin pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
Sipas prokurorisë, Gotovina duhet dënuar për ndihmim dhe nxitje të krimeve, persekutim, dëbim, vrasje, shkatërrim të shpejtë, plaçkitje, trajtim mizor dhe akte të tjera çnjerëzore.
Nën vendimin e shkallës së parë, Trupi Gjykues i Tribunalit të Hagës, ICTY, i shpalli të dy gjeneralët fajtorë për persekutim, vrasje, dëbim dhe krime të tjera kundër serbëve të Krajinës dhe pronave të tyre gjatë dhe pas Operacionit Stuhia, në verën e vitit 1995.
Dhoma e Apelit shpalli se frika që iu shkaktua popullatës lokale dhe sulmi bombardues gjatë Operacionit Stuhia ishte shkaku kryesor i largimit masiv të më shumë se 20,000 civilëve serbë nga zona e Krajinës, në Kroaci.
“Franjo Tudjman, ish-presidenti kroat, dhe liderë të tjerë kroatë kishin për synim të largonin civilët serbë nga Krajina. Gotovina e dinte që qëllimi pas sulmit ishte të largoheshin me forcë serbët. Gotovina, megjithatë, mori pjesë në planifikimin e sulmit bombardues dhe veçanërisht urdhëroi sulmet e Ushtrisë Kroate në qytete”, lexohet në deklaratën e prokurorisë.
Aty thuhet gjithashtu se Gotovina e dinte se serbët që qëndruan pas “Stuhisë” do të ishin të pambrojtur ndaj krimeve hakmarrëse dhe se “vetëm ata që nuk kishin mundësi për t’u larguar do të qëndronin”.
Sipas prokurorisë, Tudjmani donte që serbët të largoheshin nga Krajina përgjithmonë dhe planifikoi që diaspora kroate të rivendosej në atë zonë.