Lajm 12 Jan 18

Pretendimet për vrasjet e pasluftës në Kosovë tronditin familjet

Familjet e viktimave të luftës në Kosovë shprehën tronditje për deklaratat e një dëshmitari të prokurorisë i cili u shpreh në televizion se një grup i krijuar nga Ibrahim dhe Qerim Kelmendi kishin kryer vrasje politike pas përfundimit të luftës.

Die Morina
BIRN
Prishtinë
Pallati i Drejtësisë në Prishtinë, Kosovë. Foto: BIRN

Anëtarë të familjeve shqiptare Zemaj, Tolaj dhe Haklaj - të afërmit e të cilëve u vranë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit në rrethana të panjohura - kanë shprehur tronditje për deklaratat që Shkumbin Mehmeti, një vrasës i dënuar, bëri në një intervistë televizive në të cilën ai pretendoi se ka qenë pjesë e një grupi të organizuar kriminal që kreu disa nga vrasjet.

Ndër të tjera, ai përmendi vrasjen në vitin 2003 të Tahir Zemajt, komandant i krahut paraushtarak të Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, e cila thuhet se ishte në konflikt me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.

Mehmeti u arrestua në vitin 2004 dhe më vonë u dënua me 30 vjet burg për vrasjen e dy oficerëve të policisë - një nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, dhe një polic tjetër nga Kosova në vitin 2004.

Gjatë një interviste në burgun e sigurisë së lartë, të transmetuar të enjten nga TV Klan Kosova në Prishtinë, që u lejua nga prokurori i çështjes së tij, Mehmeti tha se Ibrahim Kelmendi - një nga themeluesit e Lëvizjes Popullore në Kosovë, LPK, një parti nacionaliste e krahut të majtë e themeluar në vitet 1980, dhe vëllai i tij Qerim Kelmendi urdhëruan vrasje politike.

LPK-ja ishte një pararendëse kryesore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, dhe luajti një rol vendimtar në krijimin e saj. Ai shprehet se liria e Kosovës mund të fitohej vetëm përmes luftës së armatosur.

"Grupi u themelua në fund të vitit 2001 nga Qerim dhe Ibrahim Kelmendi, ish-themeluesi i LPK-së,” tha Mehmeti në intervistë.

"Objektivi i këtij grupi ishin anëtarë të LDK-së," shtoi Mehmeti, duke përmendur disa emra specifikë, që prezantuesi televiziv vendosi të mos i zbulonte.

Ai tha se objektivat ishin "sidomos ata që ishin dëshmitarë kundër...", duke vendosur tingullin “bip” për të mbytur emrat që ai kishte përmendur.

Mehmeti pohoi se disa politikanë të rëndësishëm ishin në dijeni të veprimeve të grupit, por televizioni kishte vendosur gjithashtu të mos i përmendte emrat e tyre para se t'u kërkonte këtyre personave të komentonin këtë gjë.

Doruntine Maloku, vajza e aktivistit të LDK-së Enver Maloku, i cili u vra në vitin 1999 nga një person i armatosur i paidentifikuar, ishte e para që reagoi në mediat sociale.

"Fshehja e provave të krimit, fshehja e deklaratave të dëshmitarëve, hetues frikacakë dhe prokurorë të kapur nga politika. Politikanë të përfshirë në vrasjen e aktivistëve politikë... dhe çfarë tjetër! Mirëserdhe Gjykata Speciale!”shkroi Maloku.

Mehmeti tha gjithashtu se vëllezërit Kelmendi urdhëruan vrasjen e deputetit të LDK-së Smajl Hajdar, i cili u qëllua për vdekje në vitin 2002.

"Bipet tendencioze që vendosi autori i programit Baton Haxhiu do të dalin në dritën e Gjykatës Speciale. "Lufta" kundër kësaj është e kotë," shkroi në Facebook Shpëtim Hajdaraj, djali i tij.

Mehmeti tha gjithashtu se vëllezërit Kelmendi i caktuan si detyrë Florim Ejupit të vriste deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Xhavit Haliti - por plani dështoi.

Vetë Qerim Kelmendi tha se pretendimet e befasuan atë. "Këtë djalë e njoh sot për herë të parë dhe u befasova,” - shkroi ai në Facebook, duke shtuar se dyshonte se i intervistuari ishte trajnuar për reagimet e tij nga forcat serbe të inteligjencës.

"Mos i besoni këtij psikopati, i cili është trajnuar në detaje nga spiunët e Serbisë," shkroi ai. Ai e quajti rrëfimin në televizion "një telenovelë të përgatitur në detaje nga UDB-ja (shërbimi famëkeq i sigurimit të shtetit të ish-Jugosllavisë)”.

Prokuroria shtetërore në Prishtinë nuk ka reaguar ende për deklaratat e bëra nga Mehmeti.

Disqus

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor