Maqedonia ka dështuar të zgjedhë gjyqtarët e rinj, duke përfshirë kreun e Gjykatës Supreme, pas mosmarrëveshjeve në koalicionin qeverisës se cilët kandidatë duhet të mbështesë.
![]() |
|
Shkup |
Këshilli Gjyqësor, organ që zgjedh dhe largon gjyqtarët në Maqedoni, dështoi të zgjedhë katër gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe kryetarin e gjykatës, sepse asnjë nga kandidatët nuk mori vota të mjaftueshme.
Arsyeja, sipas atyre që ishin përfshirë në proces, duket të jetë mungesa e marrëveshjes politike midis partisë qeverisëse të qendrës së djathtë, VMRO DPMNE, dhe partnerit në koalicion, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI. Mosmarrëveshjet e tyre kanë vonuar për dy muaj një seancë të Këshillit Gjyqësor, e cila do të zgjidhte gjyqtarët.
“Derisa dy partitë qeverisëse të bien dakord se kush duhet të zgjidhet, nuk mund të zgjedhim gjyqtarët dhe kryetarin e Gjykatës Supreme”, tha një anëtar i Këshillit Gjyqësor, i cili kërkoi të mbetej anonim.
Problemi, sipas anëtarëve të Këshillit, u shfaq kur BDI-ja insistoi për emërimin e Shpend Devajës, avokat nga Shkupi, në postin e gjyqtarit në Gjykatën Supreme. Devaja është bashkëshorti i zëvendëskryeministres Teuta Arifi, që është përgjegjëse për integrimin europian në qeverinë e Maqedonisë.
Devaja argumenton se nuk ka konflikt interesi, sepse edhe pse bashkëshortja e tij është ministre e lartë në qeveri, ajo nuk merr pjesë drejtpërsëdrejti në zgjedhjen e gjyqtarëve.
"Ndarjet dhe mosmarrëveshjet midis VMRE DPMNE-së dhe BDI-së kanë rezultuar në pezullimin e emërimeve gjyqësoreve. Është e qartë se gjyqësori është peng i politikave.
Këshilli Gjyqësor duhet të pranojë hapur se pse nuk ka zgjedhur asnjë gjyqtar”, tha Ana Pavolvska Daneva, zëvendëskryetare e Social Demokratëve në opozitë.
Për postin e kryetarit të Gjykatës Supreme ka pasur tre kandidatë. Kryetari në largim, Jovo Vangelovski, tërhoqi kandidaturën e tij në çastin e fundit. Gjyqtarët Lidia Nedelkova dhe Risto Katevenovski nuk morën vota të mjaftueshme.
“Duhet të zgjedhim një kryetar për Gjykatën Supreme që ka cilësitë morale dhe profesionale”, tha Bojan Eftimov, anëtar i Këshillit Gjyqësor.
Zgjedhja e gjyqtarëve është bërë nga Këshilli Gjyqësor, organ me 15 anëtarë, 8 nga të cilët janë gjyqtarë. 7 anëtarët e tjerë janë përfaqësues të emëruar nga partitë politike dhe kryetari i gjykatës, emërimi i të cilit në Këshill duhet të aprovohet nga Parlamenti.
Deri sa të zgjidhet kryetari i ri i Gjykatës Supreme, një kryetar në detyrë, i ëmëruar nga gjyqtarët ekzistues, do të udhëheqë gjykatën.
Pas dështimit të procesit të zgjedhjes, ka spekulime se BDI-ja tani po synon postin e kryetarit të Gjykatës Supreme. Ka zëra se BDI-ja do të mbështesë avokatin e popullit të tanishëm, Ixhet Memeti, për këtë post.
Memeti konfirmoi për Balkan Insight se është qasur me ofertën për të lëvizur në Gjykatën Supreme.
“Mandati im si Avokat i Populit përfundon në shtator. Mu kërkua të bëhem gjyqtar dhe zëvendëskryetar i gjykatës. Do ta mendoj”, tha Ixhet Memeti.
Në raportet vjetore për Maqedoninë, Komisioni Europian ka identifikuar shpeshherë ndërhyrje politike dhe mungesën e efikasitetit të gjyqësorit, si një nga të metat më të mëdha të vndit në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Për shkak të pushimeve verore, zgjedhjet e reja për Gjykatën Supreme do të shpallen në shtator.
Këshilli Gjyqësor, organ që zgjedh dhe largon gjyqtarët në Maqedoni, dështoi të zgjedhë katër gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe kryetarin e gjykatës, sepse asnjë nga kandidatët nuk mori vota të mjaftueshme.