Lajm 14 Feb 18

Polici serb “u bëri kryqe në ballë shqiptarëve të Kosovës”

Dëshmitarët treguan në gjyqin për krime lufte të Zoran Vukotiçit, një ish-polic serb. Se ai dhe një burrë tjetër i sulmuan ata, u vodhën paratë dhe u vizatuan kryqe në ballë në maj 1999.

Die Morina, Bahrie Sadiku
BIRN
Prishtinë
Gjykata Themore në Mitrovicë. Foto: BIRN.

Dëshmitarët Bejt dhe Shurkrie Osmani thanë të martën në Gjykatës Themelore në Mitrovicë se Zoran Vukotiç, një ish-polic rezervist serb i akuzuar për krime lufte, erdhi në shtëpinë e tyre në Vushtrri me një burrë tjetër më 5 maj 1999, i goditi ata dhe u mori paratë.

Bejt Osmani gjithashtu dëshmoi se Vukotiçi i vizatoi një kryq në ballë.

Vukotiçi dhe personi tjetër, Goroljub Paunoviç, më pas morën një njeri të quajtur Fahredin Fazliu, tha dëshmitari.

"Kur Goroljubi erdhi brenda, ai mori kartën time të identitetit dhe 50 marka gjermane, ndërsa ai i shëndoshi, Vukotiçi, vazhdonte të pyeste se ku ishte im bir. Kur i thashë se djali im ishte në Maqedoni, ai mori një shiringë që e kishte me vete dhe më bëri një kryq në ball,” shtoi ai.

Ai tha se Vukotiçi e goditi gruan e tij Shurkrie Osmani pasi ajo fshiu kryqin që ai i kishte bërë edhe asaj në ball.

Ai më tej përshkroi se si Vukotiçi dhe Goroljubi nxorën jashtë nipin e gruas së tij dhe e pyetën se ku ishin paratë.

"Ata i morën 200 marka gjermane një gruaje dhe kur u kthyen brenda, morën me vete Fahredin Fazliun dhe na thanë të mos dilnim jashtë. Pastaj, pas pak kohe, ata na thanë se kishin vrarë katër vetë,” tha dëshmitari.

Shurkrie Osmani i tha gjykatës se tek katër personat që u vranë ishte edhe Fahredin Fazliu. Ajo konfirmoi gjithashtu atë që tha edhe bashkëshorti i saj, se ata ishin vrarë nga Vukotiçi.

Sipas padisë, polici rezervist serb Vukotiç rrahu dhe më pas vrau katër civilë shqiptarë të Kosovës - Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu.

Akuzat pohojnë gjithashtu se më 5 maj 1999, Vukotiçi, në bashkëpunim me Paunoviçin – të dy të veshur me uniforma serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë - rrahën dhe plaçkitën civilë të ndryshëm shqiptarë në Vushtrri.

Vukotiçi nuk e ka pranuar fajin.

Në seancën e fundit të së premtes, dëshmitarja Ajman Ferati-Shatrolli tha se ajo dhe familja e saj u mbajtën në një shtëpi pranë shkollës së policisë në Vushtrri nga forcat paraushtarake serbe dhe më pas u rrahën nga Vukotiçi dhe një person tjetër më 5 maj 1999.

“Ne shkuam në një dhomë. Vukotiçi e mbylli derën dhe iu afrua një fëmije, e kapi prej hune dhe i tha “i dashur”. Unë mendova se e pëlqente, por ai pastaj nxori një thikë, e lëpiu me gjuhën e tij dhe ia vuri në qafë fëmijës,” tha dëshmitarja.

Ajo dëshmoi se Vukotiçi e liroi fëmijën vetëm kur ajo i dha atij disa gjëra prej floriri.

Ferati-Shatrolli tha se Vukotiçi mori me vete gjithashtu edhe një fëmijë dhjetë vjeçar në dhomën tjetër dhe e detyruan atë të këndonte një këngë në serbisht.

Babai i fëmijës tha se djalin e kishte detyruar të rrinte mbi një tavolinë dhe të këndonte një këngë të titulluar “Sloba” që fliste për presidentin serb Sllobodan Millosheviç.

“Por fëmija ishte i vogël dhe nuk dinte asnjë këngë. Dhe ai e rrahu fëmijën,” tha dëshmitarja.

Gjyqi vazhdon.

Disqus

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor