Pas më shumë se dy vjet e gjysmë, gjyqi i Mico Stanisicit dhe Stojan Zupljaninit, dy ish-policë të gradës së lartë të Republikës Srpska, përfundoi javën e shkuar me prezantimin e argumenteve mbyllëse.
Prokuroria kërkoi që Tribunali i Hagës, ICTY, t’i dënojë Stanisic dhe Zupljaninin me burgim të përjetshëm për persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve të Bosnjës në vitin 1992, ndërsa avokatët mbrojtës thanë që klientët e tyre duhen liruar nga të gjitha akuzat, duke shtuar se ata nuk kishin dijeni për krimet ndaj joserbëve.
Prokurorja e Hagës, Joanna Corner, tha se burgimi i përjetshëm do të ishte dënimi i vetëm i duhur për të dy të pandehurit, të cilët morën pjesë në persekutimin e joserbëve në vitin 1992, kundër obligimit të tyre për të mbrojtur të gjithë qytetarët boshnjakë.
Sipas akuzave, Stanisic, ministri i Punëve të Brendshme të Republikës Srpska gjatë kohës së luftës, dhe Zupljanin, shefi i Stacionit Rajonal të Policisë në Banjallukë, morën pjesë në persekutimin, torturimin, vrasjen dhe shfarosjen e myslimanëve dhe kroatëve, në vitin 1992.
Gjyqi i Stanisicit dhe Zupljaninit filloi më 14 shtator 2009. Stanisic u dorëzua vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në mars të vitit 2005, ndërsa autoritetet serbe arrestuan Zupljaninin në qytetin Pancevo, afër Beogradit, në qershor të vitit 2008, dhe e esktraduan në Hagë.
Prokurori tha se të pandehurit ishin “të përkushtuar plotësisht” në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, qëllimi i së cilës ishte të spastronte etnikisht boshnjakët dhe kroatët e Bosnjës nga territoret e Bosnjës dhe Hercegovinës, që, sipas planit, duhet të bëhej pjesë e një shteti nën kontrollin serb.
“Të pandehurit bënë çdo që ishte në fuqinë e tyre për ta implementuar këtë”, tha prokurori.
Avokatët mbrojtës për të dy të pandehurit i kërkuan ICTY-s të lirojë Stanisicin dhe Zupljaninin, nga të gjitha akuzat. Ata thanë se prokurori ka dështuar të vërtetojë ndonjë nga akuzat në aktpadi, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e dyshuar të të pandehurve në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, që kishte për qellim dëbimin e joserbëve nga territoret nën kontrollin serb të Bosnjës.
“Një ndërmarrje e tillë kriminale nuk ka ndodhur. Edhe në qoftë se ka ndodhur, Stanisici nuk ka qenë në dijeni të saj dhe as nuk e ka mbështetur. Përkundrazi, sikur një plan i tillë të ketë ekzistuar, Stanisici e ka bllokuar implementimin e tij me vepra”, tha Slobodan Zecevic, avokati i Stanisicit.
Ekipi mbrojtës i Zupljaninit tha gjithashtu se klienti i tyre nuk ka qenë pjesëmarrës në një ndërmarrje të përbashkët kriminale.
Avokatët e të dy të pandehurve thanë se e pranojnë se një numër i caktuar krimesh ndaj joserbëve ka ndodhur, por thanë se përgjegjësia për to mbetej në stafin e komunës - si për shembull në Prijedor - të cilin Stanisici dhe Zupljanini nuk mund të kontrollonin.
Trupi gjykues i ICTY-s do të vendosë në një datë më të vonë se kur do të aprovohet aktgjykimi.