Investigim 08 Dec 14

Paraushtarakët e Arkanit: Tigrat që ia mbathën nga drejtësia

Paraushtarakët e udhëhequr nga zoti famëkeq i luftës, Zeljko Raznatovic, I njohur si Arkan, e çanë rrugën me luftë për në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë – por përse asnjë prej tyre nuk është burgosur për krimet e njësive të tij?

Denis Dzidic, Marija Ristic, Milka Domanovic, Petrit Çollaku, Sven Milekic BIRN Bijeljina, Beograd, Gjakovë, Zagreb

Tigrat e Arkanit në veprim, në Bijeljina. Foto: Ron Haviv/VII.

Jusuf Trbic kujton herën e parë kur e pa Arkanin, të ulur në një kamion të mbushur me armë në Bijeljina në lindje të Bosnjës. Ishte ora 4 e pasdites më 12 prill, 1992, pasi forcat serbe morën në kontroll qytetin. Trbic e njohu fytyrën e Zeljko Raznatovicit nga lajmet televizive, ai ishte tashmë i njohur si një burrë që duhej t’ia kishe frikën.

Trbic sapo ishte kapur nga Rojet Vullnetare Serbe të Arkanit, “Tigrat”. Gjatë disa orëve të ardhshme, përgjatë natës përpara agimit, ai u rrah dhe u torturua, ndonjëherë edhe në prani të vetë Arkanit. “Ata e dinin se çfarë po bënin,” tha Trbic për BIRN. “Nuk kisha asnjë milimetër lëkurë të bardhë, ma kishin bërë të gjithë të zezë dhe blu”.

Ai u lirua më pas sepse Arkani e kishte kapur për një arsye – ai ishte një gazetar vendas dhe shefi i paraushtarakëve donte që ai të transmetonte një apel te myslimanët në Radio Bijeljina që ata të dorëzonin armët. Të tjerët nuk ishin me aq fat.

Një grua nga Bijeljina që kërkoi të mbetej anonime, tha se ajo ishte 19 vjeçe kur burrat e Arkanit trokitën në derën e familjes së saj një natë prilli në 1992. “Ata ishin të maskuar, ndaj mund t’i shikoje vetëm sytë,” kujton ajo.

Paraushtarakët grabitën sendet e familjes, morën para dhe ar. Një luftëtar e goditi atë në shpinë dhe ajo humbi ndjenjat. Kur u zgjua, ajo dhe kunata e saj ishin të zhveshura dhe të përgjakura. Ditën tjetër, Arkani shkoi dhe e përdhunoi atë, pretendon ajo.

“Arkani erdhi te unë për herë të parë pas asaj nate. Ai erdhi, më kapi prej flokësh dhe më largoi. Ai më çoi në një apartament dhe abuzoi me mua atje. Më ktheu pas gjysmë të vdekur dhe më pas e përsëriti këtë edhe ditën tjetër,” tha ajo në një intervistë për BIRN.

“Më pas të tjerë ushtarë erdhën dhe më abuzuan përpara fëmijëve të mi, vjehrrës dhe kujtdo tjetër,” vazhdoi ajo. “Iu përgjërova atyre të më vrisnin sepse nuk mund të vuaja më gjatë. Ata qeshën me cinizëm dhe ë thanë se nuk fitonin asgjë nëse më vrisnin, sepse unë do të vrisja veten.”

Pavarësisht se dëshmia e saj nuk është dhënë kurrë në gjykatë, ajo është njohur zyrtarisht si një viktimë e përdhunimeve të luftës nga shteti i Bosnjës dhe është kompensuar për atë që ka hequr.

 

“Ai më çoi në një apartament dhe abuzoi me mua atje. Ai më ktheu gjysmë të vdekur, dhe më pas bëri të njëjtën gjë të nesërmen.”

Viktima që pretendon se është përdhunuar nga Arkani në Bijeljina në 1992

Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Ish-Jugosllavisë kanë treguar se të paktën 48 persona janë vrarë në Bijeljina nga paraushtarakët serbë në dy ditët e para të prillit 1992. Por asnjëri prej burrave të Arkanit nuk janë burgosur për vrasje, përdhunim apo plaçkitje – ose për krime të tjera që akuzohet se kanë bërë gjatë luftës në ish-Jugosllavi në vitet ’90.

Arkani ishte akuzuar për krime lufte nga gjykata e Hagës në kohën kur u vra në Hotelin Ndërkombëtar të Beogradit në janar 2000, por vrasësi u sigurua që ai të mos gjykohej kurrë.

Që atëherë, vetëm një nga luftëtarët e tij është dënuar për krime lufte teksa shërbente me Tigrat – Boban Arsic, u shpall fajtor nga një gjykatë kroate për vrasjen e një çifti të martuar në një fshat të vogël në 1992 – ai u dënua në mungesë sepse vendndodhja e tij ishte e panjohur.

Disa Tigra janë burgosur që atëherë për krime të tjera gjatë dhe pas luftërave në Ballkan, si vrasja e kryeministrit serb Zoran Djindjic në 2003, por nuk janë dënuar për asgjë që kanë bërë gjatë luftimit për Arkanin.

Eksperti i Ballkanit, Christian Axboe Nielsen, asistent profesor në Studimet Europiane Juglindore në Universitetin e Aarhusit, thekson se Tribunali i Hagës u ngrit për të hetuar të dyshuar të nivelit të lartë, jo luftëtarë të zakonshëm: “Hamendësimi dhe pritshmëria ishte që gjykatat e krimeve të luftës të vendeve të ish-Jugosllavisë do të fillonin të gjykonin me kalimin e kohës njësinë e Arkanit”.

Por kjo nuk ndodhi. Në Serbi, shpjegoi Nielse, hetimet gjithashtu “shmangën ndjekjen e zinxhirit komandues”, nuk shënjestruan kurrë zyrtarë të lartë që mundësuan ekzistencën e njësive paraushtarake.

“Ka pak dhe pothuajse aspak vullnet – dhe pak oreks publik – për këtë gjë në Serbi edhe sot,” tha ai.

 

Një karrierë kriminale

Zeljko Raznatovic pozon me Tigrat e tij. Foto: Ron Haviv/VII.

Zeljko Raznatovic u lind në qytetin e vogël slloven Brezice më 17 prill, 1952 dhe ai ishte i mirënjohur te policia e shumë vendeve nëpër Europë në kohën kur filloi konflikti jugosllav.

Ai u arrestua fillimisht në Beograd më 1966 për vjedhjen e kuletës së një gruaje dhe kaloi një vit në paraburgimin e të rinjve, përpara se të shkonte në Europën perëndimore në ’70 dhe t’i hynte një dekade kriminale.

Në vitet 1973 dhe 1983, ai u hap me një seri dënimesh dhe mandatarrestesh për grabitje banke, grabitje dhe tentativë vrasje në Belgjikë, Norvegji, Suedi, Gjermani, Australia, Zvicër dhe Itali. Ai ia doli t’ia mbathte nga shumica e burgjeve ku mbahej.

Pasi u kthye në Serbi, ai u bë lider i tifozëve të futbollit në Beograd Ylli i Kuq, “Delije”, që do ta njihte me disa nga Tigrat e tij të ardhshëm. Gazetari Filip Svarm, që ka studiuar nga afër Arkanin, tha për BIRN se shërbimi shtetëror i sigurisë në ministrinë e brendshme serbe e ngarkoi atë me themelimin e njësisë në vjeshtën e 1990 për të kryer “operacione të errta” në Kroaci.

“Ata oficerë të sigurisë shtetërore i thoshin Arkanit me saktësi se çfarë prisnin prej tij,” shpjegoi Svarm. “Në kthim, Arkanit i jepeshin përfitime të ndryshme për nderet që ai i bënte sigurisë së shtetit. Këto përfitime ishin kryesisht të natyrës ekonomike.”

Mbrojtja nga hetimi penal për aktivitetet e tij kriminale ortodokse ishin një tjetër stimul për liderin e sapocaktuar të milicisë, i cili organizonte operacione grabitje në territorin e serbëve në Kroaci gjashtë luftës: “Duke përdorur disa shërbime të sigurisë së shtetit, Arkani nuk iu përmbaj ligjit,” tha Svarm.

Ndonëse Arkani u arrestua në tetor 1990, përpara luftës në Kroaci, dhe u dënua me pesë vite burg për planifikimin e një sulmi terrorist pasi policia gjeti armët në makinën e tij, ai nuk u gjykua për këtë. Svarm thotë se ai beson një thashethem të njohur se ministrat e brendshëm serb dhe kroat bënë një marrëveshje për të liruar Raznatoviçin: “Kjo i tregon të gjitha se sa i rëndësishëm ishte Arkani për sigurimin e shtetit serb, që zyrtarët e lartë u lidhën për ta nxjerrë atë nga burgu.”

“Duke i ofruar disa shërbime sigurimit të shtetit, Arkani e përjashtoi veten nga ligji."

Filip Svarm, gazetar serb

Roja Vullnetare Serbe ishte një forcë relativisht e vogël e përbërë nga ultrasit Delije të futbollit, kriminelët dhe vullnetarët e zakonshëm që admironin Arkanin dhe besonin në kauzën e tij, si Borislav Pelevic, që u bë ndihmësi i tij më i afër dhe drejtoi më pas Partinë e Unitetit Serb.

“Kishte gjithnjë rreth 500 burra, disa vinin dhe të tjerë iknin. Sipas vlerësimit tim, rreth 10,000 burra ishin pjesë e rojës në një farë mënyrë në ato vite,” tha Pelevic, i cili është tani president i Lidhjes Europiane të Kikboksit.

Ai gjithashtu mohoi pretendimet se paraushtarakët ishin financuar nga sigurimi shtetëror serb. Arkani ishte “shumë i pasur”, i tha ai BIRN-t, dhe emigrantë të pasur serbë e sponsorizonin.

Tigrat ishin kryesisht të vendosur të mbështesnin Ushtrinë Popullore Jugosllave – siç bënë gjatë rrethimit të qytetit kroat të Vukovarit në 1991 – por imazhi i tyre si brutal, vrasës të stërvitur kishte një ndikim qetësues për armiqtë e Beogradit: “Çfarë kishte më shumë rëndësi ishte efekti i propagandës që regjimi i Sllobodan Millosheviçit krijoi falë Arkanit,” sugjeron Svram. Ose sipas Pelevic: “Kur njerëzit dëgjonin që Tigrat e Arkanit po vinin, ‘Ustasët’ [nacionalistët kroatë] dhe myslimanët zakonisht largoheshin.”

Një varrezë për Tigrat

Një nga Tigrat shkelmon trupin e burrit që sapo është qëlluar nga paraushtarakët në Bijeljina në mars 1992. Foto: Ron Haviv/VII.

Tigrat u akuzuan fillimisht për krime lufte gjatë luftimeve në Tenja në Kroaci në korrik 1991, kur të paktën 29 persona u vranë dhe mbi 2900 joserbë u dëbuan, sipas Qendrës së Ligjit Humanitar në Beograd. Më pas, kreu i forcave speciale serbe të ministrisë së brendshme, Radovan Stojicic i njohur si Badza, i siguroi atyre një kamp stërvitje në një bazë të vjetër të mbrojtjes territoriale jugosllave në fshatin kroat të Erdut, që mbeti shtabi i tyre deri më majin e 1996.

Ranko Momic, një luftëtar serb, shtëpia e të cilit pranë qytetit boshnjak Doboj u dogj në fillim të luftës, shkoi në Erdut për t’iu bashkuar burrave të Arkanit pasi shërbeu më herët si një ushtar i rregullt dhe si pjesë e brigadës së policisë speciale.

“Nuk jam ndjerë kurrë më mirë dhe askund nuk ishte më mirë,” tha Momic për BIRN. “Ishte luftë dhe njerëzit po vdisnin, por nuk jam ndjerë kurrë më mirë se atje. Atje kishte stërvitje dhe disiplinë, por gjithçka ishte në nivelin më të lartë... ato ishin kohë të paharrueshme.”

Ndonëse civilë mund të jenë vrarë aksidentalisht nga predhat apo granatat, Tigrat nuk kryen kurrë krime lufte, këmbënguli Momic.

“Kur isha atje, që ishte veç dy vjet përpara, po luftonim me nder, në mbrojtje të vendit tonë dhe nuk pashë të kryheshin krime lufte. Ndoshta dikush po thoshte se ai ishte një anëtar i Rojës Vullnetare Serbe dhe bëri diçka, por unë nuk e di, por ne, anëtarët e vërtetë, nuk kryem asnjë krim,” tha ai.

Disa burra që stërviteshin në kamp në Erdut dhe luftonin me Tigrat nuk ishin atje me zgjedhjen e tyre. Dezertorët e ushtrisë dhe refugjatët serbë ishin të detyruar t’i bashkoheshin paraushtarakëve të Raznatovicit.

“Ne po luftonim me nder, po mbronim vendin tonë dhe unë kurrë nuk kam parë të jetë kryer ndonjë krim.”

Ranko Momic, ish-luftëtar i Rojes Vullnetare Serbe

Dragan Pjevac, një refugjat serb nga Kroacia, tha për BIRN që ai ishte rrethuar nga policia në Beograd në gusht 1995 dhe u dërgua në Erdut, pas së cilës u dëbua në territorin e kontrolluar nga serbët në manastirin Beli për tri muaj derisa marrëveshja “Dayton e Paqes” i dha fund luftës.

Disa prej rekrutëve të sjellë në Erdut u rrahën, poshtëruan dhe u quajtën tradhtarë, tha Pjevac. Ai kujtoi kur Arkani dha një fjalim për të nxitur dy rreshta luftëtarësh që të pushtonin rajonin Krajina të Kroacisë, që Zagrebi sapo e kishte marrë nga forcat e Beogradit.

“Ai i dha fund fjalimit të tij me fjalët, ‘A do të kthehemi, të marrim përsëri Krajinan, a do kthehemi?’ Ne qëndruam atje, të humbur në hapësirë; njerëzit po pyesnin çfarë po u ndodhte. Burrat e Arkanit ishin prapa, duke shtyrë ata që ishin në rreshtin e dytë të thoshin ‘Po do kthehemi!’ Dhe ata burra të shkretë nga pas bërtisnin “po”, por jo aq fort. Arkani tha: ‘Me zë më të lartë. A do kthehemi?’ Ata e goditën rreshtin e dytë më fort, sepse përgjigjja e tyre nuk ishte mjaftueshëm e lartë që të dëgjohej për zotërinë.”

Rreth 700 burra si Pjevaci po e padisin aktualisht Serbinë me pretendimin se e detyroi të shkonte në luftë.

Një burrë i pamëshirshëm

Një burrë boshnjak përgjërohet për jetën e tij i marrë peng nga Tigrat në Bijeljina. Foto: Ron Haviv/VII.

Pretendimet për krime lufte dhe pastrim etnik vazhduan të ndiqnin pas Tigrat teksa ata hynin në qytetin Bijeljina në prill 1992. Jusuf Trbic beson se pavarësisht se trupat e rregullta serbe mund të kontrollonin qytetin, burrat e Arkanit ishin çuar që çdo vrasje e civilëve t’i ngjeshej ‘paraushtarakëve të paligjshëm’ dhe që ata t’i fusnin frikën popullatës vendase – për të treguar sesi do bëheshin gjërat.

“Ai ishte i zgjuar, sharmant dhe i pamëshirshëm.”

Ron Haviv, fotoreporter amerikan që bëri fotot e Arkanit në veprim

Arkan Arkan ftoi gjithashtu fotoreporterin amerikan Ron Haviv që të bënte foto të burrave të tij, që rezultoi në foton e famshme të Arkanit dhe ortakëve të tij të maskuar që pozonin në një tank me një këlysh tigri, po ashtu edhe me fotot dramatike të një çifti mysliman të qëlluar dhe të një luftëtari serb që shkelmonte një kufomë. “Mendimet e mia të vetme kur bëja ato foto ishte se më duhej një Tigër në të njëjtën kornizë me viktimat që të provoja se kishte ndodhur ky krim lufte,” tha Haviv për BIRN.

Sa për Arkanin, fotoreporteri kujton: “Ai ishte i zgjuar, me sharm dhe i pamëshirshëm.”

Tigrat më pas vazhduan të luftonin në Brcko dhe Zvornik. Atje, përsëri, burrat e tij u akuzuan për vrasje, plaçkitje, pastrim etnik dhe përdhunim.

Burrat e Arkanit u tërhoqën nga Bosnja në verën e 1992 pasi shefi i paraushtarakëve kishte një mosmarrëveshje me komandantin e ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, që mendonte se ai ishte një kriminel. Një vit më pas, ai ngriti partinë e tij politike.

Ai u kthye në Bosnje për aventurën e tij të fundit kriminale në shtator 1995, kur ai dhe burrat e tij hynë në zonën veriperëndimore të Sanski Most, rrëmbeu myslimanë vendas dhe i dërgoi ata në një hotel ku i izoloi në një dhomë dhe i rrahu, siç pretendohet. 20 të burgosur u çuan më pas në fshatin periferik Trnovo, ku të gjithë përveç njërit, u vranë.

Vrasjet në Sanski Most çuan në ndjekjen penale të Arkanit nga Gjykata e Hagës për krime kundër njerëzimit, vrasje, shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës dhe dhunim të ligjeve dhe kushteve të luftës. Megjithatë, Zeljko Raznatovic ishte i vetmi person i akuzuar, dhe me vdekjen e tij, askush nuk është akuzuar për vrasjet.

Arkani i famshëm

Tribut për Arkanin në një mur në stadiumin e futbolli FK Obilic. Foto: Milka Domanovic.

Roja Vullnetare Serbe u shpërnda në prill 1996, por Arkani mbeti famëkeq. I martuar me yllin e muzikës folk Ceca, ai mori përsipër një klub futbolli, FK Obilic, që shpejt fitoi kampionatin kombëtar, siç pretendohet përmes kërcënimeve dhe intimidimeve. Shefi i paraushtarakëve ishte bërë një hero i mafies, thotë Filip Svarm.

“Arkani është idhulli i çdo krimineli,” thotë Svarm. “Pse? Sepse Arkani ishte edhe polic edhe shef i mafies në të njëjtën kohë. Sepse Arkani ishte edhe komandant paraushtarakësh edhe pronar i një klubi futbolli. Sepse ai ishte në shoubiz dhe një person që kërkohej shumë nga Interpoli”.

Por ndonëse Arkani nuk shkoi përsëri në luftë, disa nga burrat e tij morën pjesë në konfliktin final të Sllobodan Millosheviçit në Kosovë nga 1998 në 1999.

Në vend që të luftonin si Roja Vullnetare Serbe, ata shkuan më së shumti në Kosovë si pjesë e njësive të sigurimit të shtetit, veçanërisht si e frikshmja Njësia e Operacioneve Speciale JSO, sipas vendimeve të dhëna nga ICTY. Disa nga anëtarët e JSO më vonë u dënuan për vrasjen e kryeministrit Zoran Djindjic në 2003.

“Nuk kishte nevojë [për Tigrat në Kosovë],” shpjegoi Borislav Pelevic. “Ne kishim polici të fortë, që spastroi UÇK menjëherë. Kishim një ushtri të fortë atje, kishim Njësinë Speciale të Operacioneve.”

“Arkani është idhull i çdo krimineli. Përse? Sepse Arkani ishte edhe polic edhe bos i mafias njëkohësisht.”

Filip Svarm, gazetar serb

Ish-kapiteni Nike Peraj i Ushtrisë Popullore Jugosllave, një dëshmitar i rëndësishëm në gjyqin e Millosheviç, tha se disa luftëtarë që mbanin veshur stemën e Tigrave hynë në një barakë ushtarake në qytetin e Gjakovës në Kosovë nëntor 1998, ku iu bashkuan paraushtarakëve serbë. “Ata kishin dorë të lirë të bënin çfarë të donin,” tha Peraj për BIRN, ndonëse ai beson se ata nuk ishin të përfshirë në luftime të drejtpërdrejta. “Ata ishin plaçkitës,” tha ai.

Peraj tha gjithashtu se ai pa disa nga burrat e Arkanit në një fshatin Meja pas një masakre të rreth 500 shqiptarëve nga forcat e Beogradit në prill 1999. Ata kishin mjekër dhe shumë tatuazhe dhe një prej tyre kishte njolla të kuqe në pantallona. “Ishte gjak,” tha Peraj.

Ish-Tigri Ranko Momic shkoi gjithashtu për të luftuar në Kosovë në 1998, por si një anëtar i njësisë rezerviste të policisë serbe. Kur bombardimet e NATO-s filluan në 1999, Momic iu bashkua ushtrisë. Në fillim të këtij viti, ai u burgos me 15 vite burg për përfshirje në vrasjet e 100 shqiptarëve të Kosovës – por si një anëtar i Ushtrisë Jugosllave të skuadrës 177 të ndërhyrjes, jo si pjesë e Rojës Vullnetare Serbe.

Momic është aktualisht në liri me kusht teksa po apelon vendimin, i cili gjithashtu dënoi një tjetër ish-Tigër, Milojko Nikolic, me burg për 20 vite për të njëjtin krim.

Të vërteta të hidhura

 

Një grua boshnjake me burrin që është qëlluar nga Tigrat e Arkanit në Bijeljina në mars 1992. Ajo u qëllua disa çaste më vonë. Foto: Ron Haviv/VII.

Disa nga aleatët më të rëndësishëm të Arkanit janë tashmë të vdekur. Sponsori i tij i forcave speciale, Radovan Stojicic, u qëllua në një restorant në Beograd në 1997, ndërsa politikani kukull i tij, Sllobodan Millosheviç, vdiq në burg në Hagë në 2006. Më famëkeqi nga Tigrat e tij, Milorad Ulemek, i njohur si ‘Legija’, po vuan 40 vite burg për rolin e tij në vrasjen e Djindjic.

Ish-shefi serb i sigurimit të shtetit, Jovica Stanisic dhe zëvendësi i tij Franko Simatovic u liruan nga Gjykata e Hagës në 2013 për kontrollin mbi njësi si Tigrat, ndonëse gjykata zbuloi se ata furnizuan dhe financuan paraushtarakët serbë.

Presidentja serbe e Bosnjës, Biljana Plavsic, që pretendohet se ka ftuar Arkanin në Bijeljina, pranoi se ajo ishte fajtore për mbikëqyrjen e mizorive dhe u dënua me 11 vite nga gjykata e OKB. Por disa prej atyre që pretendohet të kenë përgatitur mizoritë janë ende të lirë. Ish-Tigra të tjerë janë me shumicë në Serbi dhe nuk janë ndjekur kurrë penalisht.

Prokuroria boshnjake ka thënë se nuk do të komentojë nëse ndonjë nga burrat e Arkanit është aktualisht nën hetim. Por avokati boshnjak i krimeve të luftës, Miodrag Stojanovic, që është aktualisht mbrojtësi i Ratko Mlladiç në Hagë, tha se ishte e pamundur për Sarajevën të ndiqte penalisht Beogradi nuk ka vullnet të çojë për gjykim serbët e dyshuar.

“Është e vështirë për prokurorinë e Bosnjës apo gjykatat që ta bëjnë këtë gjë. Ata mund të ngrenë një aktakuzë, por Serbia nuk do t’i ekstradojë kurrë,” tha Stojanovic.

 

“Kanë kaluar 20 vite që nga lufta, si është e mundur që askush [nga burrat e Arkanit] nuk është ndjekur penalisht nga Gjykata e Hagës apo prokuroria e krimeve të luftës serbe?”

Borislav Pelevic, ish-luftëtar i Rojes Vullnetare Serbe

Prokuroria boshnjake ka thënë se nuk do të komentojë nëse ndonjë nga burrat e Arkanit është aktualisht nën hetim. Por avokati boshnjak i krimeve të luftës, Miodrag Stojanovic, që është aktualisht mbrojtësi i Ratko Mlladiç në Hagë, tha se ishte e pamundur për Sarajevën të ndiqte penalisht Beogradi nuk ka vullnet të çojë për gjykim serbët e dyshuar.

“Është e vështirë për prokurorinë e Bosnjës apo gjykatat që ta bëjnë këtë gjë. Ata mund të ngrenë një aktakuzë, por Serbia nuk do t’i ekstradojë kurrë,” tha Stojanovic.

Prokuroria serbe tha se ishte bashkëpunuese me prokuroritë e shteteve të tjera në rajon mbi çështjet e lidhura me krimet e kryera nga Tigrat e Arkanit, por nuk dha detaje sepse hetimet janë në vazhdim.

Ish-Tigri, Borislav Pelevic tha megjithatë se mungesa e ndjekjeve penale tregonte se ata ishin të pafajshëm: “Kanë kaluar 20 vite që nga lufta, si është e mundur që askush nuk është hetuar nga Gjykata e Hagës apo nga prokuroria e krimeve të luftës?” pyeti ai në mënyrë retorike. “Si është e mundur që askush nga Roja nuk është akuzuar, asnjëri prej tyre?”

Clint Williamson, prokurori që drejton hetimin e Gjykatë së Hagës për vrasjet në Sanski Most, tha se problemi me ndjekjen penale të luftëtarëve të Arkanit ishte se ata e kishin fshehur identitetin e tyre. “Ata shpesh vinin maska dhe ne nuk mundëm të gjenim dëshmitarë që t’i identifikonin ata,” tha Ëilliamson për BIRN në 2010.

“Ne hetuam veprimtaritë e ‘Tigrave’ të Arkanit për një kohë të gjatë dhe mblodhëm prova për Sanski Most. Ne planifikuam që të vazhdonim hetimet për Zvornikun, Bijeljinën, Vukovarin, por më pas ata u vranë,” shtoi Williamson.

Jasmin Mesic, një prokuror boshnjak me shumë eksperiencë në hetimet e krimeve të luftës, ra dakord se kishte probleme serioze në praktikën e sjelljes së paraushtarakëve serbë përpara drejtësisë.

“Këta njerëz kanë ardhur nga zona të tjera, nga shtete të tjera, ndaj asnjë prej viktimave apo të mbijetuarve nuk i njeh. Ata përdornin zakonisht pseudonime, ndaj kjo është arsyeja përse është shumë, shumë e vështirë të identifikohen fajtorët përmes dëshmive të viktimave, siç bëhet zakonisht në gjyqet e krimeve të luftës,” shpjegoi ai.

Në Bosnje megjithatë, shumë besojnë se burrat e Arkanit nuk janë ndjekur penalisht për shkak të lidhjeve që kishte lideri i tyre me zyrtarët e policisë serbe, politikanët dhe krimin e organizuar.

“Njësia e tij bëri të njëjtat gjëra në çdo vend që shkoi, por shumë njerëz në Serbi, politikanë në pozicione të larta, janë të përfshirë dhe ndjekja penale e tyre në këto krime mund të hidhte dritë mbi shumë të vërteta të pakëndshme,” sugjeroi Jusuf Trbic.

Emir Musli, që mban mend ta ketë parë Arkanin drejtonte një bazukë përpara ndërtesës së komunës së qytetit të tij të lindjes Bijeljina në 1992, ndërsa burrat e tij abuzonin me myslimanët në rrugë teksa i merrnin për t’i torturuar dhe vrarë, thotë se ishte e dukshme që shefi i paraushtarakëve kishte status më të lartë se trupat e zakonshme.

“Ai ishte mjeti i përdorur për të vrarë, por edhe për të kontrolluar. Dua të them që njësia e tij nuk ishte paraushtarake, ai ishte pjesë e sigurimit të shtetit serb,” tha Musli për BIRN. “Kjo është arsyeja përse gjërat po lihen në harresë.”

Ashtu si Arkani ia mbathi nga shumë qeli gjatë karrierës së tij kriminale, burrat e tij ia kanë dalë deri më tani të shmangin burgun për krimet e tyre të luftës me njësinë Tigrat.

Musli tha se ai kishte pak shpresë se kjo do të ndryshonte: Arkani u vra, dhe bashkë me të, e gjithë çështja u pushua.”

 

Të gjitha fotografitë e përdorura në këtë artikull janë të mbrojtura nga ligji ndërkombëtar i autorësisë dhe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, shfaqen apo publikohen pa lejen e mëparshme me shkrim të pronarit të së drejtës.

Disqus

blog comments powered by Disqus