Lajm 14 Feb 13

Paramilitarët Serbë Mohojnë Vrasjet Masive të Romëve

Shtatë anëtarë të njësisë paramiliatre të quajtur “Cetnikët e Simës”, thanë se gjyqi i tyre për krime lufte afër qytetit boshnjak të Zvornikut në vitin 1992 është i sajuar.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

“Aktpadia është një turp absolut. Të gjithë dëshmitarët e prokurorisë thanë se i mbrojta dhe se nuk do të kishin mbijetuar nëse s’do të isha aty”, tha i pandehuri Damir Bogdanovic gjatë fjalëve përmbyllëse në gjyqin në gjykatën speciale të Beogradit të mërkurën.

Bogdanovic është një nga shtatë anëtarët e grupit paramilitar serb të njohur si Cetnikët e Simës, që akuzohen për vrasjen e 28 civilëve romë nga fshatrat e Skocicit, Malesicit dhe Seticit, afër Zvornikut në Bosnjën verilindore në vitin 1992.

Bogdanovic tha se ‘krimi’ i tij i vetëm është se është djali i Sima Bogdanovicit, lideri i njësisë, i cili vdiq gjatë paraburgimit në pritje të gjyqit.

Prokuroria i akuzon gjitahshtu për përdhunime, tortura, dhe trajtim cnjerëzor të tre grave rome, dëshmitareve të mbrojtura Alpha, Beta, Gamma, që u mbajtën në një shtëpi në Malesic mes korrikut dhe dhjetorit të vitit 1992, ku u abuzuan dhe përdhunuan vazhdimisht nga anëtarë të ndryshëm të grupit paramilitar.

Sidoqoftë të pandehurit këmbëngulin se dëshmitë e grave duhen refuzuar sepse kanë dhënë deklarata kontradiktuese.

“Në fillim, Alpha tha se e përdhunoi Sima, pastaj ndryshoi deklaratën, duke thënë se e bëra unë”, tha Zoran Stojanovic, një nga të pandehurit.

Shoku i tij nga e njejta njësi, Tomislav Gavric, bëri një deklaratë të ngjashme.

“E gjitha kjo është një gënjeshtër. Faji im i vetëm është se po luftoja për Serbinë në këtë luftë të turpshme. Dhe nëse ky është faji im, atëherë duhet të akuzoni të paktën një cerek të Serbisë tani”, tha Gavric.

Tre të pandehurit e tjerë, Djordje Sevic, Zoran Alic, Zoran Djurdjevic, deklaruan se nuk janë fajtorë, duke akuzuar prokurorinë dhe policinë se kanë sajuar rastin.

Dragana Djekic, gruaja e vetme nga njësia Cetnikët e Simës, refuzoi të komentojë për aktpadinë.

“Qëllimi im i vetëm për të shkuar në luftë ishte të mësoja si të bëhesha infermiere. E vetmja gjë që dua nga kjo gjykatë është të vendosë me këtë aktgjykim nëse jam tradhtare ose kriminele lufte”, tha Djekic.

Prokurori i Serbisë për krime lufte ka kërkuar dënime me gjithsej 98 vite burgim, me dënime maksimale me 20 vjet për Stojanovicin, Sevicin dhe Djurdjevicin.

Ky është rasti i pestë që do të lancohet nga prokurori special i Serbisë për sulmet në Zvornik, ku kanë ndodhur disa nga krimet më brutale të luftës së viteve 1992-95 në Bosnjë.

Pasi Zvornikut, qyteti mbi lumin Drina afër kufirit me Serbinë, u pushtua në maj të vitit 1992, Tigrat e Arkanit, një njësi tjetër paramilitare serbe, dëboi shumicën e popullatës joserbe. Më shumë se 1,000 persona u vranë gjatë luftimit.

Tigrat e Arkanit dyshohen se kanë bashkëpunuar ngushtë me paramilitarët e Vojislav Seseljit, lideri i partisë radikale serbe që është në gjyq për krime lufte në Hagë. Dy grupet paramilitare sulmuan një numër qytetesh në Bosnjë dhe Kroaci me ndihmën e Ushtrisë Jugosllave.

Mbetet e paqartë nën komandën e kujt vepruan Cetnikët e Simës, duke qenë se disa nga dëshmitarët thanë se morën urdhëra nga selia e partisë radikale serbe.

Seselji, sidoqoftë, ka mohuar se ka pasur ndonjë kontroll mbi njësitë në Zvornik, duke akuzuar për përgjegjësi komanduese Arkanin (Zeljko Raznatovicin) i cili u vra në një përplasje mafiash në vitin 2000.

Verdikti do të jepet më 22 shkurt.

blog comments powered by Disqus