Analizë 31 Jan 18

Numri i vdekjeve në Jasenovac: Një loje politike shifrash

Studimi tregon se ekzagjerimet dhe nënvlerësimet e motivuara politikisht serbe dhe kroate të numrit të viktimave në kampin e përqendrimit fashist kroat në Jasenovac gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk mbështeten në shqyrtime shkencore.

Sven Milekic BIRN Zagreb
Ivica Daçiç duke folur në ekspozitën në OKB. Foto: BETAPHOTO/MINISTARSTVO SPOLJNIH POSLOVA SRBIJE/MO

Në debatin e fundit midis Zagrebit dhe Beogradit mbi kampin e përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac - të drejtuar nga lëvizja kroate fashiste ustashe – është vënë përsëri në pikëpyetje numri i të vdekurve në kamp.

Për dekada me radhë, politikanë, akademikë dhe të tjerë në Kroaci dhe Serbi kanë folur rreth numrit të njerëzve që kanë vdekur në kamp - duke ofruar shifra që variojnë nga 1.500 viktima deri në 1.1 milionë viktima.

Por pavarësisht pretendimeve të ndryshme nga burimet në Kroaci dhe Serbi, ka fakte të vërtetuara, të mbështetura nga institucione dhe ekspertë të respektuar, të cilët japin një vlerësim të besueshëm të numrit të njerëzve të vrarë në kamp.

Debati më i fundit pa Kroacinë të protestonte për një ekspozitë mbi Jasenovacin që u organizua nga Serbia në ndërtesën e OKB-së në Nju Jork të enjten e kaluar, duke pretenduar se ajo po keqpërdorej për qëllime politike - për ta identifikuar Kroacinë me fashizmin dhe për të prishur imazhin e saj ndërkombëtar.

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç i hodhi poshtë këto pretendime duke i kërkuar kryeministrit kroat Andrej Plenkoviç të thoshte se cili grup etnik përbënte numrin më të madh të viktimave të Jasenovacit dhe se cili ishte nurmi i saktë i të vrarëve.

"Ashtu si Plenkoviç shkon në Yad Vashem (Qendra përkujtimore e Holokaustit në Jerusalem), ne presim që ai të bëjë të njëjtën gjë në Kroaci dhe në vetë Jasenovac, të përcaktojë qartë dhe të thotë se kush janë viktimat. A ishin 50,000, 100,000 apo 700,000 të vrarë?" tha Daçiç të premten.

Daçiç po tregonte se politikanët kroatë përpiqen të minimizojnë krimet e kryera në kamp dhe numrin e të vdekurve atje. Deri më tani, Plenkoviç nuk ka reaguar.

Analisti politik kroat Zarko Puhovski sugjeroi se mosmarrëveshja e vazhdueshme mes dy vendeve për Jasenovacin i ka rrënjët e saj në luftën e viteve 1990.

"Kroacia kishte një pozicion ku përpiqej të minimizonte Jasenovacin, ndërsa Serbia vepronte sikur atje të ishin vrarë vetëm serbë,” tha Puhovski.

Vizioni i një shteti etnikisht të pastër

Një të burgosuri hebre i merren sendet e tij në Jasenovac. Foto: Wikimedia Commons/kortezi e Muzeut Historik të Hebrenjve, Beograd

Shteti kukull nazist i udhëhequr nga ustashët, Shteti i Pavarur i Kroacisë - që përfshinte shumicën e Kroacisë së ditëve të sotme, të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe një pjesë të vogël të Serbisë - kishte një popullsi prej rreth gjashtë milionë banorësh, duke përfshirë rreth 3.5 milionë kroatë, 1.8 milionë serb dhe 700,000 boshnjakë.

Në vizionin e tij për një shtet etnik të pastër - me boshnjakët e konsideruar si kroatë të besimit mysliman – NDH-ja filloi të shënjestronte serbët dhe dy minoritete, hebrenjtë dhe romët, pasi u themelua në vitin 1941.

I modeluar sipas ligjeve naziste të Nurembergut, NDH-ja në prill të vitit 1941 miratoi legjislacionin kundër hebrenjve dhe romëve "jo-arianë".

Serbët, të cilët referoheshin si “greko-lindorë” në dokumentet ligjore ustashe, nuk u etiketuan drejtpërdrejt si njerëz "jo-arianë", por u persekutuan në mënyrë indirekte përmes legjislacionit tjetër kundër armiqve të NDH-së.

Ideja e përgjithshme, siç është shprehur nga disa zyrtarë të lartë ustashë, ishte të vriteshin një e treta e serbëve, një e treta të dëbohej dhe një e treta tjerë të konvertohej nga të krishterë ortodoksë në katolikë. Rreth 100,000 serbë u kthyen në katolikë.

Jasenovac, i cili u hap në fund të gushtit 1941 dhe qe funksional deri në fund të prillit 1945, ishte kampi më i madh i përqendrimit në sistemin e kampit ustash.

Vetë Jasenovaci përbëhej nga pesë nën-kampe, një prej të cilëve ishte Stara Gradiska, një fortesë austro-hungareze e përdorur si një burg nga shumë regjime gjatë shekujve të 19-të dhe 20-të.

Listimi i viktimave një nga një

një skulpturë nga skulptori jugosllav Dusan Dzamonja në Qendrën Përkujtimore të Jasenovacit. Foto: Wikimedia Commons/Flammard.

Në vitet 2000 Qendra Përkujtimore e Jasenovacit filloi të përpilonte një listë të të gjithë të burgosurve që u vranë ose vdiqën në kamp, duke përdorur listat ekzistuese me emrat, dokumentet, konfirmimet e vdekjeve dhe verifikimet nga të afërmit.

Qendra Përkujtimore ka përpiluar listën më të plot me emra deri më tani, e cila përfshin gjithsej 83,145 viktima.

Me renditje sipas përkatësisë etnike, lista ka 47,627 serbë, 16,173 romë dhe 13,116 hebrenj, ndërsa kroatët, boshnjakët dhe të tjerët përbëjnë numrin total. Ata që nuk ishin serbë, romë ose hebrenj u vranë për shkak se ishin antifashistë, si dhe armiqtë e vërtetë apo të dyshuar politik.

Nga numri i përgjithshëm, 39,570 ishin meshkuj të rritur, 23,474 ishin gra të rritura, ndërsa 20,101 ishin fëmijë.

Ndërkohë që vetë Qendra Përkujtimore thotë se numri nuk është përfundimtar, si dhe pranimi i mundësisë që në listën e saj ka gabime të izoluara, ajo beson se numri total i vdekjeve është brenda vlerësimit të saj me nga 80,000 deri në 100,000 njerëz.

Këto shifra janë afërsisht në të njëjtin nivel me vlerësime të tjera të bëra nga Muzeu i Viktimave të Gjenocidit të Beogradit (80,022), Muzeu Memorial i Holokaustit të Shteteve të Bashkuara (midis 77,000 dhe 99,000) dhe Qendrës Simon Wiesenthal (85,000). Dy institucionet e fundit nuk ofrojnë lista sipas emrave.

Përsa i përket numrit të viktimave hebreje në Jasenovac, Yad Vashem ofron një listë më të gjatë me emra e cila përbëhet nga 16,196 viktima.

Historiani kroat Ivo Goldstein shkroi në librin e tij Holokausti në Zagreb në vitin 2001 ndërkohë që numri total i viktimave hebreje është ndoshta afër 17,000.

Shkrimtari i ndjerë Slavko Goldstein shpjegoi në librin e tij Jasenovaci: Tragjedi, Mitologji, E Vërtetë se ndryshimi vjen nga Yad Vashemi përfshirë hebrenjtë që u pagëzuan në katolikë - dhe për këtë arsye mund të jenë klasifikuar si jo hebrenj - si dhe hebrenjtë që ishin refugjatë nga Gjermania naziste dhe që nuk janë hulumtuar gjerësisht.

Loja e shifrave: shifrat e fryra serbe

Tabela në Memorialin në Donja Gradina tregojnë shifrën 700,000. Foto: Wikimedia Commons/Never will happen again (talk).

Disa historianë serbë ofruan një numër shumë më të madh për vdekjet e ndodhura në Jasenovac. Ndërsa shkruante biografinë e presidentit jugosllav Josip Broz Tito në vitin 1984, një historian serb, Vladimir Dedijer, e shënoi numrin e viktimave 700,000.

Sociologu dhe historiani boshnjak Radomir Bulatoviç madje sugjeroi se atje kishte pasur 1.1 milionë vdekje.

Për ta krahasuar, rreth 1.1 milionë njerëz vdiqën në Aushvic, kampi më i madh nazist - por Jasenovaci nuk kishte kurrë një sistem shfarosje si dhomat e gazit të Aushvicit, dhe të burgosurit e tij u vranë kryesisht me armë zjarri ose duke i rrahur për vdekje.

Pavarësisht nga kjo, burimet serbe kanë vazhduar të ofrojnë shifra shumë më të larta se Qendra Përkujtimore e Jasenovacit.

Në vitin 2011, Komisioni Ndërkombëtar për Përcaktimin e të Vërtetës për Jasenovacin, një OJQ në Republikës Srpska, sugjeroi një shifër prej mbi 800,000 njerëz.

Qendra përkujtimore Donja Gradina në Bosnjë, gjithashtu në Republikën Srpska sugjeroi 700,000.

Në vitin 1946, komisioni i parë jugosllav që renditi krimet e fuqive të Boshtit dhe bashkëpunëtorët e tyre të brendshëm, vlerësoi se në Jasenovac vdiqën midis 500,000 dhe 600,000 vetë.

Edicioni i vitit 1960 i Enciklopedia e Jugosllavisë ofroi shifrë 700,000 vetë.

Megjithatë, asnjë nga këto vlerësime nuk bazohet në listat me emra.

Demografi kroat Vladimir Zerjaviç u shpreh se numri i përgjithshëm i vdekjeve në Jugosllavi gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte pak më shumë se një milionë njerëz.

Duke përdorur metoda demografike, statistika dhe dokumente, Zerjaviç e vendos numrin e viktimave të Jasenovacit midis 80,000 dhe 90,000 vetë.

Statistikanti boshnjak Bogoljub Kocoviç erdhi me një shifër të ngjashme vdekjesh si Zerjaviçi për të gjithë Jugosllavinë.

Në librin e tij të vitit 1992 "Obsesione dhe Megalomani mbi Jasenovacin dhe Bleiburgun”, Zerjaviç shpjegoi se shifrat e tejfryra vinin nga numri i vdekjeve në Jugosllavi të raportuara në komisionin ndërkombëtar për reparacione me bazë në Paris - 1.7 milionë njerëz - në vitin 1946. Kjo shifër më vonë u përdor si bazë për reparacionet gjermane në Jugosllavi.

Në artikullin e tij akademik Për Numrin e Viktimave të Kompleksit të Kampit të Jasenovacit, Ivo Goldstein gjithashtu pretendon të njëjtën gjë.

Loja e shifrave: shifrat e zvogëluara kroate

Presidenti kroat i viteve 1990 Franjo Tuxhman ofroi një shifër midis 30,000 dhe 40,000. Foto: Beta.

Nga ana kroate ka pasur pohime se numri i të vdekurve është dukshëm më i ulët sesa 83,145, që është shifra e dhënë nga Qendra Përkujtimore.

Në librin e tij të famshëm "Tmerret e Luftës: Realiteti dhe Filozofia Historike" i botuar në vitin 1989, presidenti i Kroacisë i viteve 1990, Franjo Tuxhman, i cili ishte gjithashtu historian, sugjeroi se shifra ishte midis 30,000 dhe 40,000.

Në vitin 1992, gjatë luftës, parlamenti kroat krijoi formoi një komision për të hetuar të gjitha krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe periudhës jugosllave.

Në raportin e tij në vitin 1999, komisioni përcaktoi një total prej 2,238 personash për Jasenovacin. Parlamenti ishte i pakënaqur me punën e komisionit dhe e ktheu raportin për ndryshim – gjë e cila nuk u krye kurrë.

Vlerësimi më i fundit erdhi nga një OJQ në Zagreb, Shoqata për Hulumtime të Kampit të Trefishtë të Jasenovacit, e cila pretendon se komunistët jugosllavë krijuan dy kampe përqendrimi pas Luftës së Dytë Botërore në vendin e ish kampit ustash – një pretendim që nuk mbështetet nga shumica e dokumenteve historike dhe hulumtuesve të historisë.

OJQ-ja, e cila nuk ka shumë historianë profesionistë, e zvogëlon numrin total të vdekjeve gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, duke e vendosur atë në rreth 1.500 dhe duke thënë se shumica vdiqën nga sëmundjet dhe keqtrajtimi, jo si rezultat i ekzekutimeve. Ajo mori rreth 5,600 euro për hulumtimin e dokumenteve arkivë në Jasenovac nga Ministria kroate e Veteranëve të Luftës në vitin 2017.

Profili i OJQ-së u ngrit kur regjisori polemik Jakov Sedlar realizoi një dokumentar të titulluar Jasenovaci - E vërteta për punën e tij në vitin 2016. Ai u lavdërua shumë nga ministri kroat i kulturës i asaj kohe Zlatko Hasanbegoviç, por u kritikua për gabime faktike dhe për përdorimin e dokumenteve jo të besueshme.

Asnjë nga vlerësimet nga Kroacia, përveç atij të bërë nga vetë Qendra Përkujtimore e Jasenocvacit, nuk përdori metoda shkencore apo mori në konsideratë të gjitha burimet historike.

Disqus

blog comments powered by Disqus