Reportazh 25 Jun 13

Nostalgjia për Jugosllavinë lulëzon në memorialet e Titos

Monumentet për liderin jugosllav, Josip Broz Tito u vendosën në gjithë Ballkanin, dhe në disa vende ende vlerësohen nga ata që e kujtojnë me dashamirësi shtetin e vjetër.

Marija Ristic
BIRN
Beograd, Uzhice
 

Qindra vetë mblidhen cdo vit në memorialin, mauzelumin dhe kompleksin e muzeut e Titos në Beograd

Tito vdiq në vitin 1980 dhe shteti që ai qeverisi njëherë e një kohë nuk ekziston më, por për ditëlindjen e tij këtë vit, qindra persona u mblodhën në memorialin e tij të mbajtur mirë, mauzoleumin dhe kompleksin e muzeut në Beograd për të kujtuar njeriun që e mbajnë mend si lider të madh që udhëhoqi një epokë më paqësore dhe të begatë në Ballkan.

Është një nga komplekset memoriale të mbajtura më mirë në rajon, edhe pse monumente të Titos në vende të tjera të rajonit kanë pasur fat më të vështirë që nga rrëzimi i Jugosllavisë.

Në fshatin e tij të lindjes, në Kumrovc, në Kroaci, statuja e tij u bombardua në vitin 2004, edhe pse më vonë u restaurua, ndërsa në Uzhice, në Serbinë lindore, e njohur gjatë periudhës komuniste si qyteti i preferuar i Titos, statuja e tij u largua  në vitin 1991.

Kompleksi në Beograd përbëhet nga muzeu i 25 Majit, Shtëpia e Luleve, muzeu i vjetër. Muzeu ka një koleksion prej më shumë se 200 000 objektesh që ilustrojnë historinë jugosllave të shekullit XX, me fokus të veçantë në jetën e Titos, ndërsa në qendër të Shtëpisë së Luleve është varri i ish-liderit.

Shteti serb shpenzon 52, 495, 000 dinearë (477, 277 euro) çdo vit për të mirëmbajtur memorialin. Një fitim i vogël bëhet edhe nga shitja e bexhave, bluzave me mëngë të shkurtra dhe ornamente të tjera me figurën e Titos që shiten në dyqanin e dhuratave.

Zëdhënësja e muzeut, Mirjana Slavkovic thotë se rreth 80 000 deri në 100 000 persona vizitojnë kompleksin çdo vit.

“Pyetja më e shpeshtë e vizitorëve është se cili është qëndrimi ynë për periudhën e Titos? Kjo është çfarë nuk e kanë të qartë, se çfarë thonë njerëzit e zakonshëm për Titon”, tha Slavkovic.

Dashamirësit e Titos që u mblodhën në memorial për ditëlindjen e tij e bënë të qartë se kujtojnë Jugosllavinë dhe ish-liderin e saj me nostalgji.

“Mendoj se ishte një nga njerëzit më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Kudo që shfaqej, sillte paqe. Kur u zhduk, nuk kishte as paqe, as qetësi”, tha një grua e veshur me uniformë pioniere komuniste, që kishte ardhur që nga Bosnja në Beograd për të nderuar ish-presidentin.

“Të gjithë e dimë se nën Titon në Jugosllavi po jetonim, dhe tani vetëm po mbijetojmë”, tha ajo.

“Ishte burrë i klasit botëror. Sot rajonit i mungon shpirti i tij. Rajoni ka kaluar në urrejtje, mungesë tolerance dhe dallime rajonale”, tha një burrë i moshuar.

 

“Tito duhet të ringjallet edhe një herë”

Shumë ish-qytetarë jugosllave ende vajtojnë për ish-liderin e tyre

Pas u bë e ditur se Tito ndërroi jetë më 4 maj 1980 në Lubjanë, shumë qytetarë jugosllavë qanë nëpër rrugë.

Ndonëse i akuzuar për burgosjen dhe vrasjen e kundërshtarëve politikë dhe një politikë eknomike të këshilluar dobët që e vuri vendin në krizë ekonomike pas vdekjes së tij, shumë e kujtojnë qeverisjen e tij 35-vjeçare si kohë paqeje dhe besojnë se vdekja e tij shënon fillimin e ndarjes së Jugosllavisë.

“Një nga arsyet pse njerëzit i vlerësojnë monumentet e Titos është se janë monumente të një periudhe të tërë. Mendoj se kjo duhet vlerësuar”, tha Emir Filipovic, profesor historie në Universitetin e Sarajevës.

“Ishte figurë e rëndësishme historike, pavarësisht si e shohin”, tha Filipovic.

Në qytetin serb të Uzhices, fansat e Titos po bëjnë fushatë që monumenti i tij të restaurohet. Qyteti njihej njëherë e një kohë si Uzhica e Titos, për rolin e tij në luftën e partizanëve jugosllavë kundër forcave fashiste, pothuajse çdo rrugë kishte emrin e një luftëtari partizan, dhe statuja pesë metra e lartë e ish-liderit sundonte sheshin kryesor- sheshi partizan.

Statuja u largua në vitin 1991, kur vendi filloi luftën dhe u vendos në muzeun e qytetit, por organizata që përfaqëson ish-partizanët, e quajtur SUBNOR, së fundi i bëri peticion presidentit serb, Tomislav Nikolic për ta rikthyer në vendin ku ishte.

Në letrën drejtuar Nikolicit, SUBNOR-i iu lut lidershipit të tanishëm të Serbisë që “t’ia kthejë Titos nderin që ka për rolin e rëndësishëm në histori”.

Drejtori i muzeut në Uzhice, Nikola Gogic, pajtohet se monumenti duhet kthyer në sheshin qendror të qytetit.

“Monumenti u largua nga aty në mënyrë të paligjshme, pa u konsultuar me institucionet relevante kulturore dhe duhet kthyer aty ku ishte”, tha Gogic.

Një organizatë e të drejtave të njeriut është formuar për të lobuar për rikthimin e statujës, dhe shumë vendorë- edhe disa që as nuk kishin lindur gjatë kohës së Titos- u pajtuan që statuja duhet vënë përsëri aty ku ishte.

“Patjetër që duhet kthyer. Nuk kishte arsye pse të largohej. Jemi krenarë për të shkuarën tonë antifashiste dhe për këtë arsye Titos i duhen thurur lavde siç duhet”, tha Miodrag Pavlovic, 45 vjeç.

“Ai ishte një nga liderët më të mëdhenj që kishim dhe e gjithë bota na njeh përmes tij. Të gjithë do të ishin krenarë nëse do të kishin një njeri si Tito pjesë të historisë së tyre. Dhe kemi jetuar më mirë në atë periudhë”, tha Dragoljub Savic, 37 vjeç.

“Jugosllavia nuk mund të ringjallet”

Statuja identike të Titos u vendosën në vende të ndryshme në ish-Jugosllavi, një prej tyre në Kumrovc, përballë ish-shtëpisë së tij.

Sidoqoftë, kjo u vu në shënjestër nga sulmues të panjohur që vunë eksploziv në vitin 2004. Ka pasur spekulime se sulmi u bë si hakmarrje për largimin e monumenteve të luftëtarëve ustashë të Luftës së Dytë Botërore nga qeveria kroate.

Sidoqoftë, monumenti u restaurua, dhe këtë vit mijëra njerëz u mblodhën në Kumrovc për të festuar ditëlindjen e tij, për të dëgjuar këngë të vjetra jugosllave, për të dëgjuar nëpër gramafonë lavde të historisë antifashiste të ish-liderit dhe për të blerë suvenire të Titos nga tezgat.

Disa monumente të Titos ende janë në Bosnjë dhe Hercegovinë, tri prej tyre në Sarajevë, ndërsa në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, një statujë e vogël mbetet jashtë një shkolle që e ka ende emrin e ish-liderit jugosllav.

Në Kosovë sidoqoftë, pothuasje të gjitha këto statuja janë larguar, ndërsa shkolla “Josip Broz Tito” në Prishtinë ëshë riemëruar sipas liderit shqiptar, Ismail Qemajli.

“Kombet të drejtat e të cilëve janë shkelur nga regjimi i Titos këmbëngulën më shumë për largimin e monumenteve të Titos. Duhet të mbajmë mend se shqiptarët nuk janë trajtuar gjithmonë në mënyrë të barabartë me kombet e tjera gjatë regjimit të Titos”, tha analisti politik në Prishtinë, Behlul Beqaj.

Në festimet e ditëlindjes në Beograd, Joska Broz, që është nipi i Titos dhe kryetari i tanishëm i Partisë Komuniste serbe, thotë se pavarësisht nostalgjisë që shumë persona ndjejnë për shtetin e vjetër të bashkuar, ai nuk mund të rindërtohet më.

“Kishte përpjekje të ndryshme për të ringjallur idenë jugosllave në Slloveni, Maqedoni dhe Bosnjë. Por është çështje shumë e komplikuar  ringjallja e asaj ideje tani”, tha Broz.

Por ai beson se shpirti i Jugosllavisë vazhdon të jetojë dhe kombet e tij të ndryshme duhet të qëndrojnë të bashkuara.

“Nuk mund të jetojmë pa njëri-tjetrin. Duhet të mbajmë mend se pa njëri-tjetrin nuk mund të konkurrojmë ekonomikisht me Evropën dhe vetëm të bashkuar mund të konkurrojmë me botën”, tha ai.

Reportazhe të tjera nga Elvira M.Jukic në Sarajevë, Sinisa Jakov Marusic në Shkup, Boris Pavelic në Zagreb, Edona Peci në Prishtinë.

 

Disqus

blog comments powered by Disqus

Në foto

monumentet-e-pasluftës-në-ballkan

Monumentet e pasluftës në Ballkan

Fotografi Marko Krojac ka kaluar vite duke udhëtuar anekënd ish-Jugosllavisë, për të dokumentuar pothuajse 1, 000 monumente. Kjo përzgjedhje fotografish të statujave dhe memorialeve të pasluftës përfshin kontribute për luftëtarët guerilë, viktima të gjenocidit, heronj historikë, aktorë hollivudianë dhe madje një konservë mishi.

Galeria e monumenteve e krijuar në bashkëpunim me forumZFD

...