Lajm 15 Aug 12

Një Serb i Kosovës Ndalohet Për Akuza Për Krime Lufte

Gjykata në Kosovë ka vendosur në paraburgim për 15 ditë, Aleksandër Bulatovicin nën dyshimin për krime lufte në Fushë Kosovë në vitin 1999, pas arrestimit të tij në kufi, të hënën.

Fatmir Aliu
BIRN
Prishtinë

Policia e Kosovës ka arrestuar një serb të Kosovës me emrin Alexander Bulatovic në kufirin Kosovë - Serbi për krime lufte që dyshohen se janë kryer më 1999 në Fushë Kosovë, e njohur si Kosovo Polje në serbisht.

Misioni për Rendin e Ligjit të BE-së, EULEX, konfirmoi për BIRN-in se i dyshuari u paraqit në gjykatë të martën në mbrëmje, dhe se do të mbahet në paraburgim për 15 ditë në pritje të seancës dëgjimore.

“I dyshuari kërkohet për krime lufte të kryera kundër popullatës civile në Fushë Kosovë, në vitin 1999”, shtoi zëdhënësi.

Bulatovici kërkohet për vrasjen e Xheladin Idrizit, një shqiptar i Kosovës i vrarë në prill të vitit 1999 në shtëpinë e tij. Dy serbë të tjerë të Kosovës, ende të lirë, kërkohen gjithashtu për këtë krim.

Aktpadia kundër të dyshuarve u ngrit në vitin 2009 nga një prokuror i EULEX-it, i bazuar në deklarata nga fqinjët e viktimës.

Më shumë se 150 shqiptarë të Kosovës u vranë në qytet gjatë luftës së vitit 1999, tha për BIRN-in, Ahmet Grejçevci, nga Shoqata për Kërkimin e Personave të Zhdukur dhe Krime Lufte në komunë.

Policia tha se Bulatovici u ndalua në pikën kufitare Merdar në verilindje të vendit, dy ditë më parë, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga një prokuror i EULEX-it.

Media në Beograd tha se i dyshuari ka udhëtuar më parë nga Serbia në Kosovë dhe nuk është arrestuar kurrë më parë.

Gazeta ditore serbe Blic tha se Bulatovici punon si mekanik makinash në qytetin serb të Nishit, ku ka jetuar me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre, që nga fundi i luftës në Kosovë.

Trembëdhjetë vjet pas fundit të luftës në Kosovë, nga 6,019 personat e raportuar të zhdukur nga familjet e tyre te Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, më shumë se 1,400 ende nuk janë gjetur. Shumica e tyre janë shqiptarë të Kosovës.

blog comments powered by Disqus