Intervistë 25 Jun 13

Një lloj tjetër i të kujtuarit

Shtetet e Ballkanit duhet të krijojnë një kulturë memorializimi ku grupet e ndryshme etnike pranojnë vuajtjen e njëri-tjetrit, ashtu si dhe të tyren, thotë hulumtuesi në Sarajevë, Nicolas Moll.

BIRN
Historiani Nicolas Moll

BIRN: Grupe të ndryshme thjesht duan t’i memorializojnë vetëm heronjtë e tyre të luftës, ose viktimat e tyre. Ku qëndron problemi me këtë?

Nicolas Moll: Shumica e monumenteve në shoqëritë moderne, jo vetëm në Ballkan, e përkujtojnë një grup, një grup etnik, kombëtar, social ose politik- grupi që është dominues në shoqëri. Ky nuk është problem në vetvete. Por bëhet problem nëse kjo kulturë e të kujtuarit mbetet ekskluzive dhe bëhet vetëm për heronjtë dhe/ose viktimat e këtij grupi, dhe nuk njeh asnjëherë vuajtjen e të tjerëve.

Në shoqëritë e pasluftës, të kujtuarit publik shpeshherë fokusohet për një kohë të gjatë në grupin  dominues, dhe nuk i njeh krimet që janë kryer nga vetë grupi dhe viktimat e atyre krimeve. Për shembull, u deshën disa dekada para se Gjermania të fillonte të përkujtonte zyrtarisht viktimat hebraie të nacizmit.

Në Ballkan, ashtu si në shoqëri të tjera të pasluftës, çdo grup momentalisht është duke i përkujtuar kryesisht viktimat dhe herojntë e tyre, por ka gjithashtu shenja inkurajuese zhvillimi, pavarësisht faktit se jemi vetëm 15 vjet pas luftërave të viteve 1990: një shembull është projekti i komunës së Sarajevës për të ndërtuar një monument në Kazani, për civilët serbë që u vranë nga grupet paramilitare boshnjake gjatë rrethimit të Sarajevës.

Disa qeveri në rajon nuk kanë të dhëna zyrtare se sa monumente/memoriale janë ndërtuar që nga lufta, ose as sa i kanë kushtuar këto publikut. A është një problem ndërtimi  në masë të pakontrolluar i monumenteve?

Situata është ndryshe në Ballkan; në Kroaci kemi për shëmbull një lloj monumenti zyrtar të standardizuar që ngrihet për viktimat civile të luftës së atdheut, monumenti në Ovcara, për shembull, i përket këtyre monumenteve të standardizuara. Në Bosnjë dhe Hercegovinë kemi gjithashtu disa “seri” të monumenteve të standardizuara, për shembull në Sarajevë pllakatet e bardha përkujtimore për personat e vrarë nga granatat gjatë rrethimit, por në përgjithësi situata është tepër e parregulluar.

Nuk jam i sigurt nëse një ndërhyrje më e drejtpërdrejtë e shtetit për të rregulluar ndërtimin e monumenteve do të ishte zgjidhja më e duhur,  vetëm nëse përputhet me standardet demokratike. Duke qenë se monumentet janë simbole që vendosen dhe janë të dukshme në hapësirën publike, mendoj se më e mira do të ishte të identifikoheshin mekanizma ku monumentet janë ngritur si rezultat i një diskutimi transparent dhe demokratik dhe procesi i negocimit përfshin ekspertët, akterët lokalë, shoqatat e viktimave dhe akterë të tjerë të shoqërisë civile.

Çfarë roli luajnë monumentet në projektet e shtetndërtimit?

Monumentet janë të lidhura ngushtë me proceset moderne të shtetndërtimit ose në përgjithësi me proceset e ndërtimit të identitetit të grupit. Ato janë një nga mjetet e politikave të të kujtuarit që ndërmarrës të ndryshëm të të kujtuarit- akterë politikë dhe shoqërorë si struktura qeveritare, parti politike, grupe interesi dhe intelektualë-  përdorin për të ndërtuar narrativa kolektive për të shkuarën, me qëllim për të mbështetur legjitimitetin e aksionit politik, çimentimin e forcës së grupit dhe zhvillimin e një identiteti kolektiv.

Monumentet, pra, përdoren shpesh për qëllime specifike politike. Në lidhje me këtë, është e rëndësishme që qytetarët të mbajnë një distancë kritike ndaj monumenteve dhe të luftojnë gjithmonë që monumentet dhe memorialet të mos bëhen vende për deklarata ideologjike, por vende reflektimi, edukimi dhe diskutimi.

A mundet që memorialet të ndihmojnë ose promovojnë ripajtim?

Shumica e monumenteve, jo vetëm në Ballkan, por në të gjitha shoqëritë kontemporane, nuk kanë për synim të promovojnë ripajtim, por të promovojnë kujtimin e një grupi të caktuar. Nuk duhet të presim shumë nga monumentet. Por mund të presim që monumentet duhet të paktën të mos kontribuojnë që ta bëjnë pajtimin dhe ndërtimin e paqes shumë më të vështirë.

Gjithashtu, nëse shumica e monumenteve të lidhura me luftën nuk mendohen fillimsht si vende pajtimi, mund të bëhen prapëseprapë vende të tilla përmes përdorimit të tyre, për shembull përmes vizitave. Le të marrim dy shembuj: kur Boris Tadic dhe Ivo Josipovic vizituan bashkë Ovcarën, në këtë moment Ovcara u bë një vend pajtimi, dhe kur Ivo Josipovic shkoi në Ahmici për të nderuar viktimat boshnjake që u vranë nga kroatët në vitin 1993, në këtë moment Ahmici gjithashtu u bë vend pajtimi.

Nicolas Moll, doktor i historië moderne, është hulumtues i pavarur, konsulent dhe trajnues në fushën e ballafaqimit me të shkuarën. Ai jeton në Sarajevë që nga viti 2007.


Disqus

blog comments powered by Disqus

Në foto

monumentet-e-pasluftës-në-ballkan

Monumentet e pasluftës në Ballkan

Fotografi Marko Krojac ka kaluar vite duke udhëtuar anekënd ish-Jugosllavisë, për të dokumentuar pothuajse 1, 000 monumente. Kjo përzgjedhje fotografish të statujave dhe memorialeve të pasluftës përfshin kontribute për luftëtarët guerilë, viktima të gjenocidit, heronj historikë, aktorë hollivudianë dhe madje një konservë mishi.

Galeria e monumenteve e krijuar në bashkëpunim me forumZFD

...