Lajm 11 Jan 13

Në Sarajevë Ndërtohet Monumenti për të Vrarët Serbë Gjatë Luftës

Zyrtarët janë pajtuar të ndërtojnë një përkujtimore për serbët e vrarë nga trupat e ushtrisë boshnjake, kur kryeqyteti ishte nën rrethim në vitet 1990-të.

Elvira M. Jukic
BIRN
Sarajevë

Monumenti për rreth 30 viktima, shumica serbë, të vrarë në Sarajevë gjatë viteve 1992 dhe 1993 nga një grup ushtarësh të ushtrisë boshnjake, do të ndërtohet në zonën e Kazanit, në kodrën ku trupat u zhvarrosën nga gropa ku ishin hedhur nga vrasësit. 

Pas nënshkrimit të kontratës së enjten me kryebashkiakun e Sarajevës, Alija Behmen, për të hapur tenderin për ndërtimin e monumentit, zëvendëspresidenti i Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Svetozar Pudaric, tha se ata që vdiqën meritojnë një përkujtimore.

"Aty është kryer një krim lufte, jo krim gjatë luftës, dhe kemi detyrimin të tregojmë respektin tonë dhe ta kujtojmë", tha Pudaric.

Behmen tha se përgjegjës për vrasjet ishin një grup ushtarësh tradhtarë të ushtrisë së Bosnjës, që mbrojtën qytetin gjatë rrethimit.

Deri më tani, rreth 30 trupa janë zhvarrosur nga gropa në Kazani, shumica e tyre serbë nga Sarajeva dhe disa kroatë, por numri përfundimtar i viktimave nuk është përcaktuar ende, dhe jo të gjithë trupat janë identifikuar.

Gjatë dhe pas luftës, 14 persona u shpallën fajtorë për vrasjet e kryera në Kazani, por rasti nuk u cilësua kurrë si krim lufte.

Ushtarët që kryen krimin udhëhiqeshin nga Musan Topalovic, i njohur si Caco, komandanti i Brigadës së Dhjetë të Malit të Ushtrisë Boshnjake.

Topalovic u vra në tetor të vitit 1993 dhe iu bë një varrim prej heroi, në një varrezë në krahë të oficerëve të ushtrisë dhe presidentit të parë të Bosnjës, Alija Izetbegovic.

Sidoqoftë gjashtë ushtarë të tjerë nga brigada u dënuan për vrasjet dhe iu dhanë dënime me burg nga dhjetë muaj deri në gjashtë vjet.

Disqus

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor