Lajm 28 Nov 12

Në Kroaci asnjë dënim i shqiptuar për operacionin Stuhia

Kroacia ka ndjekur penalisht 27 vepra të krimeve të luftës të kryera gjatë dhe pas operacionit Stuhia në vitin 1995, por për asnjë prej tyre ende nuk është shqiptuar ndonjë dënim.

Boris Pavelliq
Zagreb

Sipas raportit të prokurorit të shtetit në Kroaci, të publikuar në media këtë të martë, lëndët e ndërlidhura me krime të luftës gjatë operacionit Stuhia janë në faza të ndryshme të procedurës.

Seanca gjyqësore janë duke u mbajtur për dy lëndë të tilla, që kanë të bëjnë me vrasjen e gjashtë serbëve civilë në fshatin Grubori afër Kninit në fund të gushtit 1995 dhe vrasjen e një çifti të vjetër në fshatin Proklan pranë Shibenikut.

Për krimin në Grubori është duke u zhvilluar një proces gjyqësor ndaj dy ish-pjesëtarëve të policisë speciale, Frano Drle dhe Bozho Krajina.

Procedurat u pezulluan për të pandehurit Igor Beneta, i cili kreu vetëvrasje dhe të pandehurit Berisllav Gariq, për shkak të mungesës së dëshmive.

Ish-zëvendëskomandanti i forcave speciale, Zeljko Sacic, është ende nën hetime për përpjekjet për të mbuluar krimet në Grubori.

Për vrasjen e çiftit në Proklan, më datën 11 gusht 1995, vijojnë procedurat gjyqësore kundër oficerit të armatës kroate, Bozho Baçeliq, dhe tre ish-ushtarëve të saj Ante Mamiq, Luka Vuko dhe Jurica Ravlliq.

Baçeliq u gjykua për të njëjtin krim edhe në vitin 2002, por atëbotë u shpall i pafajshëm. Ai iku në vitin 2007 para fillimit të rigjykimit, por u arrestua në shkurt të këtij viti në Gjermani.

Ndaj Mate Sindijas u kryen hetime për vrasjen e tre civilëve serbë në fshatrat Llaskovci dhe Dobropolci në vitin 2001, por ky rast u mbyll për shkak të mungesës së dëshmive.

Prokurorët janë duke hetuar edhe 24 krime tjera të luftës me të cilat janë prekur 159 viktima, e të cilat ndërlidhen me operacionin Stuhia.

Këto lëndë kanë të bëjnë me vrasjen e njëzet civilëve në Pllavno, vrasjen e tetë civilëve në Kovaçiq, Golubiq dhe Zagrovac dhe katër civilëve të tjerë në Mokro Polje dhe Ocestovë.

Hetime janë duke u zhvilluar edhe për vrasjen e 17 civilëve në Varivodë dhe Gosici, në shtator të vitit 1995.

Disa ushtarë kroatë janë gjykuar për disa prej këtyre vrasjeve, por janë shpallur të pafajshëm.

Vrasja e katër civilëve dhe të burgosurve të luftës në Dërnish ende është duke u hetuar, sikur edhe vrasja e 11 civilëve në Vrbnik dhe katër personave në Donji Skrad.

Prokurorët u thanë mediave se janë duke u hetuar edhe sulmet e kolonave ndaj kolonave të refugjatëve nga armata kroate.

Hetimet janë duke u zhvilluar edhe në 27 viktimat e zhvarrosur nga një varrezë masive në Gradinë të Korenicës.

OJQ-të kroate disa herë kanë vënë në spikamë faktin se në Kroaci ende askush nuk është dënuar për krime të ndërlidhura me operacionin Stuhia.

Shumica pranojnë se ka ekzistuar një politikë e mosndëshkimit të krimeve të luftës të kryera gjatë operacionit Stuhia.

Kjo ishte një nga arsyet përse Tribunali Ndërkombëtar Penale për Ish-Jugosllavinë (ICTY) dënoi Ante Gotovinën, Ivan Çermakun dhe Mlladen Markaçin, të cilët më pas u liruan.

Mlladen Stojanoviq, nga OJQ Qendra për Paqe, Mosdhunë dhe të Drejta të Njeriut, tha për Veçernji Llist se gjyqësori ka kapacitet për të ndjekur penalisht krimet e luftës, por se për këtë nevojitet më shumë vullnet politik.

Edhe Presidenti edhe Kryeministri i Kroacisë kanë theksuar se megjithëse Gotovina e Markaçi u liruan si të pafajshëm, Kroacia ende ka për obligim ndjekjen penale të të gjitha krimeve të luftës.

Gjyqësori kroat deri tani ka regjistruar 6,390 aktakuza për vepra penale të llojeve të ndryshme, të kryera gjatë dhe pas operacionit Stuhia, përfshirë këtu vrasje, djegie pronash dhe plaçkitje.

Mes të akuzuarve ishin 439 ushtarë kroatë. Deri tani janë shpallur fajtorë 2,380 persona, thanë prokurorët kroatë.

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor