Shtatëmbëdhjetë vjet pasi lufta në Bosnjë ka përfunduar dhe aktpadia e parë kundër tij u lëshua, gjyqi i ish komandantit të ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mladic, filloi në Hagë.
Pasi kaloi më shumë se një dekadë në arrati, Mladici më në fund u arrestua në maj të vitit të shkuar. Dymbëdhjetë muaj më vonë, prokuroria e Hagës filloi të prezantojë argumentet e saj hyrëse në gjyqin për gjenocid, krime ndaj njerëzimit dhe dhunim të ligjeve dhe zakoneve të luftës.
Edhe pse Mladici kërkoi më shumë kohë për t’u përgatitur për gjyqin, dhe së fundi kërkoi pezullimin e gjyqtarit kryesues në rastin e tij për shkak të “anshmërisë” kundër tij, Trupi Gjykues i hodhi poshtë kërkesat e tij dhe ai u paraqit në sallë të gjyqit të mërkurën, më 16 maj, për të dëgjuar prokurorinë duke prezantuar akuzat kundër tij.
“Prokuroria ka për synim të vërtetojë rolin e Mladicit në secilin krim në aktpadi”, tha prokurori, në fillim të argumenteve të tij hyrëse.
Fillimi i gjyqit të Mladicit ka zgjuar interesim në Bosnjë, rajon dhe botë. Tribunali i Hagës raportoi se 150 gazetarë janë akredituar për të ndjekur deklaratat hyrëse të prokurorisë.
Gazeta ditore kryesisht boshnjake, në Bosnjë, kanë publikuar intervista me viktimat para fillimit të gjyqit të Mladicit, ndërsa gazetat serbe të Bosnjës kanë kryesisht lajme të shkurtra për fillimin e gjyqit.
Përfaqësues të shoqatave të viktimave nga Bosnja janë gjithashtu në Hagë, duke marrë pjesë në deklaratat hyrëse, dhe u takuan dje me kryeprokurorin e Hagës për të diskutuar gjyqin.
Aktivistët e të drejtave të njeriut, të udhëhequr nga Shoqëria e Njerëzve të Kërcënuar, mbajti një takim të heshtur para ndërtesës së gjykatës për të kujtuar përgjegjësinë e fuqive europiane për krime e kryera në Bosnjë, midis viteve 1992 dhe 1995. Banerët e aktivistëve thoshin “Franca, Rusia, Anglia, Gjermani - Fajtorë GJITHASHTU”.
Human Rights Watch lëshoi gjithashtu një deklaratë për shtyp duke thënë se “gjyqi i Mladicit duhet të qëndrojë mbi nocionin se të akuzuarit për krime mizore nuk kund t’i vonohen drejtësisë”.
Aktpadia e akuzon Mladicin për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995 dhe disa komuna të tjera në Bosnjë, në vitin 1992. Ai akuzohet gjithashtu për dëbimin e boshnjakëve dhe kroatëve nga komunat nënë kontrollin e serbëve të Bosnjës, terrorizimin e qytetarëve të Sarajevës me bombardime dhe snajperë, si dhe marrjen peng të ushtarëve ndërkombëtarë në vitin 1995.
Prokurorët në Hagë do të prezantojë deklaratat e tyre hyrëse të mërkurën dhe të enjten, më 16 dhe 17 maj, ndërsa dëshmitari i parë pritet të dëshmojë më 29 maj.