Lajm 11 Jan 13

Në Gjyqin e Mladicit Flitet për Bombardimin e Spitalit në Sarajevë

Një mjek tregoi në gjyqin e komandantit serb të Bosnjës, Rakto Mladic, në Hagë, se si spitali i tij në Sarajevën e rrethuar u gjuajt direkt nga artileritë.

Raporti i Drejtësisë
BIRN
Hagë

Mjeku nga Sarajeva, Milan Mandilovic, tregoi për kushtet e dëshpëruara në të cilat iu desh të trajtonte banorët e plagosur gjatë luftës së viteve 1990, kur spitali i tij u sulmua nga granatat dhe të shtëna armësh.

“Dhjetëra banorë të plagosur, kryesisht nga copa granatash, silleshin në spital çdo ditë, dhe për shkak të bombardimit konstant, pacientët operoheshin në bodrum”, tha Mandilovic.

Në një deponim të shkruar, të cilin prokurorët e përfshinë si pjesë të provave kundër Mladicit, Mandilovic dëshmoi se kushtet në spitalin e shtetit u bënë edhe më të vështira nga “mungesa e ujit, ushqimit, medikamenteve dhe oksigjenit”, si dhe shkëputjet e rrymës.

Një ish-major i Armatës së Jugosllavisë, Mandilovic qëndroi të punojë në spital pasi ushtria u tërhoq nga Bosnja dhe Hercegovina, në maj të vitit 1992.

Ai tha se trajtoi rreth 40 civilë të plagosur nga copat e granatave në një sulm në tregun Markale në Sarajevë më 28 gusht 1995.

Sipas aktpadisë kundër Mladicit, një mortajë që u hodh nga pozicionet e serbëve të Bosnjës, vrau 43 persona dhe plagosi 75 të tjerë në treg.

Mladici akuzohet për terrorizim të civilëve në Sarajevë, me sulme të zgjatura bombardimi dhe sulme me snajperë, si dhe për gjenocid në Srebrenicë, dëbim të myslimanëve dhe kroatëve në Bosnjë, dhe marrjen peng të paqeruajtësve ndërkombëtarë.

blog comments powered by Disqus