Lajm 02 Jul 12

Monumentet e Ballkanit Kremtojnë Shtete të Reja

Qëllimi i monumenteve të sapondërtuara të shteteve të reja pas shpërbërjes së Jugosllavisë është të ndryshojë trashëgiminë e ish-shtetit të tyre, thonë historianët.

Marija Ristic
BIRN
Beograd
Foto nga Forum ZFD

Historianët nga ish-Jugosllavia janë dakord se të gjitha shtetet e reja po përpiqen të krijojnë një identitet të ri duke ndërtuar monumente të heronjve të tyre të luftës dhe lënë pas trashëgiminë komuniste, karakteristikë e ish-shtetit të tyre.

Debati për rolin e monumenteve në procesin e pajtimit në Ballkan është organizuar nga dy OJQ gjermane, Forum ZFD dhe Konrad Adenauer Stiftung.

Hrvoje Klasic, historian nga Zagrebi, tha se Kroacia ka shkatërruar më shumë monumente nga epoka komuniste se sa vendet e tjera ish-Jugosllave.

“Kushtetuta jonë shkruan se shteti ynë është i bazuar në vlera anti-fashiste, por në dialogun publik shoqëria jonë është e bazuar në nacionalizëm dhe vlera të lëvizjes [fashiste të luftës së dytë botërore] Ustasha.

Sendin Musadbegovic nga Bosnja tha se politikanët në rajon, veçanërisht në Bosnjë, lëvdojnë vuajtjet e popujve për t’i bashkuar dhe për t’i përdorur për qëllimet  tyre, duke shtuar se procesi i vazhdueshëm i viktimizimit është esenca e ndërtimit të identitetit.

“Politikanët shpesh e përdorin termin ‘Jemi të gjithë viktima’ për të krijuar një paranojë kolektive që të gjithë janë kundër nesh, vecanërisht fqinjët tanë,” tha Musadbegovic. Shumë historianë e shohin deklarimin e pavarësisë të Kosovës nga Serbia në vitin 2008 si kapitullin e fundit në shpërbërjen e zgjatur të Jugosllavisë.

Kjo ka rezultuar në ngritjen e një numri monumentesh që kujtojnë përkrahësit e pavarësisë së Kosovës si ish-presidenti amerikan Bill Klinton, dhe luftëtarët kosovarë, Artem Sadiku, historian nga Prishtina, shtoi Sediku.

Monumentet në Kosovë janë të thjeshtëzuara dhe të njëanshme. Nuk ka përfaqësim të viktimave [të luftës],vetëm të luftëtarëve të lirisë që lartësohen gjerësisht nga njerëzit e thjeshtë,” tha Sediku.

Dusan Janjic, nga Qendra për Studime Etnike në Beograd, thotë se Kosova ka një kulturë transformimi të monumenteve që kanë mbetur dhe jo të shkatërrimit të tyre siç ka ndodhur më parë.

“Për shembull kur Prishtina zgjodhi Miss Universin e parë, bënë foto të saj përballë monumentit në Gazimenstan [monument Serb që përkujton Betejën e Kosovës në 1389]. Ky është një shembull përvetësimi të monumenteve të një etnie tjetër dhe jo shkatërrimi i tyre, siç ka qenë rasti më parë,” thotë Janjic.

Ndryshe nga ish-vendet e tjera Jugosllave që janë përpjekur të harrojnë trashëgiminë komuniste dhe lëvdojnë luftën e tyre për pavarësi, Maqedonia me projektin Shkupi 2014 po rindërton “të shkuarën e saj antike”.

“Ky është shpërthim, dhe askush nuk mund të priste se do të ndodhte në këto përmasa. Nuk është më as estetike,” tha historiani nga Maqedonia Darko Stojanov.

Dhe çështja nuk është më për të ashtuquajturën Maqedoninë e lashtë, por për atë se kush ka monumentet më të mëdha. Për shembull kishim monumentin Aleksandri i Madh i dedikuar popullit maqedonas, por tani do të kemi Nënë Terezën, statujë më të madhe, të dedikuar shqiptarëve. Tani çështja është se cila etni do të ketë monumentin më të madh,” shton Stojanov.

Profesori i historisë në universitetin në Serbi, Predrag Markovic thotë se është për të ardhur keq që vendet ish-Jugosllave nuk vlerësojnë trashëgiminë e shtetit të tyre të dikurshëm duke qenë se kanë pasur monumentet më të bukura anti-fashiste.

“Anti-fashizmi i gjetur në komunizëm është zëvendësuar nga nacionalizmi. Dhe politikanët nuk na ndihmojnë duke qenë se ka konfuzion të thellë në publik se çfarë duhet të kujtojmë dhe për cilat gjëra duhet të jemi krenar,” tha Markovic.

Historianët janë dakord gjithashtu se Ballkani nuk është rajoni i vetëm që ka këto probleme, duke shpjeguar se Gjermania dhe Franca kanë pasur probleme të ngjashme. Por theksojnë se populli francez dhe ai gjerman u përpoqën më shumë për mos të ndërtuar monumente të  përbashkëta, por të paktën kishin libra të përbashkët historie.

 

blog comments powered by Disqus