Lajm 28 Jun 12

Mali i Zi Do të jetë Nikoqir i Samitit të Iniciativës Igman

Presidenti i Malit të Zi dhe Ministri i Punëve të Brendshme folën para delegacionit të OJQ-së rajonale, duke premtuar se vendi do të jetë nikoqir i konferencës së radhës dhe do të ndjekë në mënyrë aktive rekomandimet e saj.

Milena Milosevic
BIRN
Podgoricë

Presidenti Filip Vujanovic dhe Ministri i Punëve të Brendshme Ivan Brajovic, u takuan të mërkurën me Branko Lukovacin, Aleksandar Popovin, Vehid Sekicin, Branislav Radulovicin dhe Tanja Bakalbasicin, përfaqësues dhe ekspertë të Iniciativës së OJQ-së rajonale, Igman.

Iniciativa Igman është një rrjet i mbi 100 OJQ-ve nga vendet që e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Dejtonit- Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Serbia, dhe Mali i Zi.

Misioni i OJQ-së është të kontribuojë drejt pajtimit në vendet rajonale dhe të ushtrojë presion pozitiv tek zyrtarët për të zgjidhur problemet kyçe të të ashtuquajturit vendet e Katërkëndëshit të Dejtonit.

Të mërkurën, përfaqësues të organizatës i familjarizuan zyrtarët malazez rreth projektit “Shpjegim në nivel Ekspertësh rreth Çështjeve të Pazgjidhura Midis Vendeve Nënshkruese të Marrëveshjes së Dejtonit: Çështjet e Pronësisë dhe Statusit të Qytetarëve”.

Ata prezantuan gjithashtu “Letrën e Bardhë” që është publikim që përmban një përmbledhje të problemeve në lidhje me statusin e individëve dhe të drejtat individuale që rezultuan nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe që rekomandon zgjidhje.

Brajovic premtoi se ministria e tij do të kontribuojë në arritjen e synimeve që u rekomanduan nga Letra e Bardhë.

Ai theksoi se qeveria malazeze ndërmori një listë gjithëpërfshirëse aktivitetesh për të zgjidhur çështjet që ishin krijuar nga shpërbërja e Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë.

Këto aktivitete rezultuan në progres, veçanërisht në bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje afat-gjatë për refugjatët, tha Brajovic.

Gjatë takimit me delegacionin, Presidenti Vujanovic konfirmoi gatishmërinë e Malit të Zi për të qenë nikoqir të samitit tjetër vjetor të Iniciativës Igman, që do të mbahet më vonë gjatë këtij viti.

Përfaqësues të OJQ-së, përgëzuan Malin e Zi për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, që do të fillojë zyrtarisht të premten.

blog comments powered by Disqus