Komandanti i kohës së luftës të forcave kroate në Pakrac, Dragutin Andric, dëshmoi të hënën në gjyqin për krime lufte të Tomislav Mercepit se si u detyrua të bombardonte Kishën Ortodokse.
Andrici tha se zëvendëskomandanti i njësisë së Mercepit, Nikola Rukavina, “e detyroi me armë të bombardonte nga tanku kullën e kishës ortodokse në Pakrac”.
Andrici shtoi se nuk e di nëse Mercepi e dinte për incidentin, duke shtuar se “bombardoi në anë të majtë dhe të djathtë të kullës.
Kulla e Kishës Ortodokse në Pakrac u shkatërrua gjatë luftës në Kroaci 1991-1995, ashtu si kulla e Kishës Katolike aty afër. Të dyja kishat janë rinovuar që nga ajo kohë.
Dëshmitari tha se njësia e Mercepit erdhi në zonën e Pakracit, në tetor të vitit 1991, pasi superiorët e Andricit lajmëruan se një njësi speciale e Ministrisë së Brendshme po vinte në Pakracka Poljana dhe se Andrici “nuk do të kishte ndonjë autoritet mbi të”.
Sipas dëshmitarit, kur mbërriti, Mercepi konfirmoi se njësia e tij është ndër komandën e Ministrisë së Brendshme, dhe se “urdhrat jepeshin nga lart”.
Andrici dëshmoi se më vonë dëgjoi histori se persona ishin marrë peng dhe shtëpitë ishin plaçkitur. Ai informoi komandën për këtë, por i ishte thënë se çdo gjë ishte marrë parasysh dhe se nuk duhet të pyeste më për këtë.
Mercepi i tha njëherë Andricit se ka kroatë “të butë”, “që kanë frikë të bëjnë disa gjëra”, dhe “të fortët”, “të cilët duhet të fitojnë luftën”, Mercepi e klasifikoi Andricin mes “të dobëtëve, tha dëshmitari.
Mercepi, këshilltar i lartë i Ministrit të Brendshëm gjatë kohës së luftës në Kroaci, është akuzuar, si komandant i njësisë policore, se ka urdhëruar personalisht arrestimin e paligjshëm, torturimin dhe vrasjen e civilëve serbë nga 8 tetori 1991, deri në mes të dhjetorit 1991, në dhe përreth Zagrebit dhe në qytetet Kutina dhe Pakrac, në Kroacinë qendrore.
Sipas aktpadisë, njësia e tij policore mori peng në mënyrë të paligjshme 52 persona, duke vrarë 43 prej tyre, ndërsa tre u zhdukën dhe gjashtë iu mbijetuan torturave.
Mercepi erdhi në gjyq si i lirë për herë të parë, duke qenë se u lirua më 5 korrik për shkak të shëndetit të dobët.
Gjyqi do të vazhdojë më 30 gusht, pas pushimit të verës.