I dyshuari kroat për krime lufte, Tomislav Mercep, u lirua nga paraburgimi të enjten për shkak të shëndetit të dobët, konfirmoi avokati i tij mbrojtës.
Mercepi ka vuajtur dy paraliza në katër vitet e shkuara, dhe është mbajtur në paraburgim në spitalin e burgut në Zagreb, që kur u arrestua në dhjetor të vitit 2010.
Mercepi u dërgua në ilixhe disa herë gjatë paraburgimit, për shkak të shëndetit të tij që po rëndohej, tha avokati mbrojtës i Mercepit, Marko Ujevic.
Trupi Gjykues i Gjykatës së Kantonit në Zagreb vendosi dje se spitali i burgut nuk mund të jepte më kujdesin për të cilin Mercepi ka nevojë, dhe që ai të lirohet për t’u kujdesur nga një institucion mjekësor civil.
Ujevici konfirmoi se Mercepi do të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore.
Doktorët që ekzaminuan Mercepin para fillimit të gjyqit të tij, në shkurt të këtij viti, arritën në përfundimin se ishte në gjendje të shkonte në gjyq, por se duhet të pushojë pas çdo një orë e gjysmë dhe të ketë mbikëqyrje të përhershme mjekësore.
Mercepi akuzohet, se si komandant i një njësie policore, ka urdhëruar personalisht arrestimin e paligjshëm, torturimin dhe vrasjen e civilëve serbë nga 8 tetori 1991, deri në mes të dhjetorit 1991, në dhe përreth Zagrebit, dhe në qytetet Kutina dhe Pakrac në Kroacinë qendrore.
Sipas aktpadisë, njësia e tij policore morri peng në mënyrë të paligjshme 52 persona, duke vrarë 43 prej tyre, ndërsa tre u zhdukën dhe gjashtë iu mbijetuan torturave.
Gjyqi do të vazhdojë më 9 korrik.