Lajm 30 May 12

Mbrojtja: Vuksic Urdhëroi Krimet në Beli Manastir

Avokatët mbrojtës në rastin Beli Manastir, ndaj katër personave të akuzuar për krime lufte në Kroaci, thonë se krimet u kryen nën urdhrat e të pandehurit të parë, Zoran Vuksic.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Gjatë argumenteve të saj mbyllëse, avokatja e Branko Hrnjakut, tha se klienti i saj ishte detyruar të merrte pjesë në vrasjen e civilëve në fshatin kroat, Beli Manastir, duke qenë se Zoran Vuksicin e kërcënoi ta vriste.

Sipas aktpadisë, Zoran Vuksic, Slobodan Strigic, Branko Hrnjak dhe Velimir Bertic, të gjithë anëtarë të njësisë speciale në forcat ushtarake të Rajonit Autonom Serb të Sllavonisë Lindore, Baranjës dhe Sremit Perëndimor, janë përgjegjës për vrasjen e të paktën gjashtë civilëve me kombësi joserbe në komunën Beli Manastir, në Kroacinë lindore, më 1991.

Ata akuzohen gjithashtu për burgim të paligjshëm, dhunim të integritetit trupor, shantazhim, terror, tortura dhe trajtim çnjerëzor të civilëve.

Avokatja Radmila Jelicic i kujtoi Trupit Gjykues se Hrnjaku, gjatë fazës së hetimit në proces, ka përshkruar presionin që ka kaluar për shkak të kërcënimeve të përditshme të Vuksicit.

“Vuksic tha disa herë, kur ishim në Kroaci dhe më pas në Serbi, se nëse tregoja për rastin, unë dhe gjithë familja ime do zhdukej”, tha Hrnjak në atë kohë.

Avokati i Velimir Berticit prezantoi gjithashtu argumentet e tij mbyllëse, duke thënë se klienti i tij e gjeti veten në një situatë specifike, por se nuk ishte përgjegjës për krimet për të cilat prokuroria e akuzon.

Avokati Miroslav Perkovic shtoi se prokuroria dështoi të theksonte lidhjen që ekzistonte midis liderëve politikë dhe ushtrisë dhe popullatës në territorin e Kroacisë Lindore, dhe se përgjegjësia për të gjitha krimet e luftës të kryera në këtë zonë duhet kërkuar në radhët e Sigurisë së Shtetit.

Më parë, prokurori Veselin Mrdak kërkoi që Zoran Vuksici të dënohej me 20 vjet në burg, duke qenë se konsiderohet si më përgjegjësi për krimet e kryera, Slobodan Strigic më 14 deri në 15 vjet, Branko Hrnjak 13 deri në 14 vjet, ndërsa Velimir Bertic tre deri në katër vjet.

Avokatët mbrojtës do të vazhdojnë me prezantimin e argumenteve mbyllëse të enjten.

blog comments powered by Disqus