Hulumtim 23 Dec 13

Maqedoni: Zbulohen pagesa të mëdha sekrete

Qeveria e Maqedonisë nuk pranoi të thotë sa para ka shpenzuar për mbështetjen e dy të akuzuarve të saj për krime lufte, por vlerësimet nga zyrtarë dhe persona që punojnë në qeveri pohojnë se janë shpenzuar deri 9.5 milionë euro.

Sase Dimovski
BIRN
Shkup

Shuma që qeveria maqedonase ka dhënë në mbështetje të dy të akuzuarit e saj për krime lufte nga Gjykata e Hagës, ish-ministrit të Brendshëm Lube Boshkovski dhe policit Johan Tarçullovski, është ndoshta sekreti më i madh në vend.

Qeveria nuk i është përgjigjur kërkesave për qasje në të dhëna. Njësoj ka vepruar edhe ministria e Drejtësisë.

 

Shpenzimet e shtetit maqedonas në dy të akuzuarit e Hagës

2006: Paratë fillestare për përgatitjen e mbrojtjes , dëshmitarëve , shpenzimet e udhëtimit , punësimin avokatët 1,000,000
2006: Shpenzime të familjeve, 50,000 për mbrojtjen Tarkulovskit , 100.000 euro për përkthimin e dokumenteve për mbrojtjen dhe gjetjen e dëshmitarëve. 350,000
2007: € 500,000 për punësimin e një avokati të dytë të huaj për gjykimin e shkallës së parë. 500,000
2007: 30.000 € për shpenzime për dëshmitarë, përkthyes, dokumente 30,000
2008-2013 3.500.000 € për punësimin e ekipit mbrojtës të SHBA për Tarkulovskin 3,500,000
2008-2011: 310.000 € në vit për kostot shtesë (shumë vjetore e konfirmuar nga ish-ministri i drejtësisë Mihajllo Manevski) 1,200,000
2009: Tarifat e avokatit për ekipet e mbrojtjes të dy burrave 100,000
2010: Udhëtimi-Kthimi dhe festa mirëseardhëse për Boshkovskin , përfshirë aeroplanin dhe fushatë publike 50,000
Udhëtimi në Hagë i delegacioneve nga qeveria, parlamenti, partia qeverisëse. 50,000
2013: Udhëtimi-Kthimi dhe festa mirëseardhëse për Tarkulovski ,përfshirë aeroplanin, fushatë publike, postera e billboarda 200,000
Lobimi i kontratave 2,500,000
Ndihmë financiare për familjet e burrave në një periudhe shtatë vjeçare. Shuma e saktë nuk dihet, mund të jetë më e madhe se 200,000

TOTAL 9,480,000

Shënim për burimet: Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë injoroi kërkesat e BIRN-it për të dhëna zyrtare. Kjo listë e shpenzimeve është bazuar në deklaratat e ish- kryeministrave , ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë të cilët kishin qasje në fondet që janë paguar për shpenzimet. Deklaratat të juristëve janë përdorur edhe në këto kalkulime edhe pse kontratat e tyre janë mbajtur sekret nga qeveria.

 
Por, zyrtarët e tanishëm dhe ish-zyrtarë i kanë ofruar të dhëna BIRN-it, të cilat sugjerojnë se paratë që janë shpenzuar për kostot që lidhen me gjykimet e dy personave në Hagë, ndihmën e dhënë familjeve të tyre dhe ndejat mirëseardhëse megalomane të cilat ishin organizuar pas lirimit të tyre ka shkuar deri në 9,480,000 euro.

Shuma është tronditëse nëse krahasohet me atë që Bosnja, Kroacia dhe Serbia kanë shpenzuar për të ndihmuar mbrojtjen e qytetarët e tyre të akuzuar për kryerje të krimeve të tmerrshme në luftërat që zgjatën me vite dhe jo vetëm disa muaj.

Tarçullovski është i vetmi i maqedonas i dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. Ai u burgos për 12 vite për rolin që pati në konfliktin e shkurtër, por të përgjakshëm të vitit 2001 midis forcave maqedonase të sigurisë dhe rebelëve shqiptarë etnikë të njohur si Ushtria Çlirimtare Kombëtare.

Ai u shpall fajtor si komandant i njësitit policor që vrau civilë shqiptarë dhe kreu krime tjera në fshatin Luboten, afër Shkupit.

Por, ICTY shpalli të pafajshëm shefin e Tarçullovski, ish -ministrin Boshkovski, i cili ishte akuzuar pasi kishte përgjegjësi komanduese mbi këtë njësit.

Qeveria maqedonase ka shpenzuar miliona euro në mbështetjen e dy personave në fjalë nga viti 2005, kur ata ishin të arrestuar, deri në vitin 2013, kur Tarçullovski u lirua nga burgu pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit të tij.

BIRN u ka dërguar kërkesa zyrtare qeverisë maqedonase, ministrisë së Drejtësisë, avokatëve dhe familjeve të dy personave, duke kërkuar nga ta të tregojnë sa para janë shpenzuar në mbrojtjen e tyre, shpenzime procedurale , shpenzime për familjet e tyre, vizitat në Hagë nga figura të larta politike nga Maqedonia si dhe ceremonitë mirëseardhëse në Shkup.

Pavarësisht detyrimeve ligjore për qasje në dokumente të tilla, qeveria dhe ministria e Drejtësisë nuk janë përgjigjur. Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti dhe zëdhënësi i tij nuk e kanë hapur telefonin dhe nuk janë përgjigjur email-ave të dërguar nga BIRN.

Arsyet për këtë heshtje janë politike, tha një zyrtar i qeverisë i cili kërkoi të mbetej anonim.

"Kjo është çështje e ndjeshme dhe mund të shkaktojë reagim të veteranëve të caktuar ushtarakë", tha burimi qeveritar për BIRN-in, duke shpjeguar se ushtarët maqedonas dhe policë që duan kompensim për lëndimet që kanë përjetuar gjatë konfliktit, si dhe të ish-luftëtarë shqiptarë që kanë kërkuar pension shtetëror, mund të shkaktojë probleme për autoritetet në qoftë se mësojnë sa para janë shpenzuar.

"Jam përpjekur të marrë të dhënat që mi keni kërkuar, por menjëherë më thanë se këto të dhëna janë rreptësisht konfidenciale dhe nuk duhet t’i kërkoja", shtoi burimi i BIRN-it.

"Jam përpjekur të marrë të dhënat që mi keni kërkuar, por menjëherë më thanë se këto të dhëna janë rreptësisht konfidenciale dhe nuk duhet t’i kërkoja"

Burim zyrtar i BIRN-it

 
"Mu bë e qartë se si anëtar i komunitetit shqiptar [të Maqedonisë], nuk kam asnjë arsye për të kërkuar të dhëna për pagesën e parave për mbrojtjen e dy maqedonasve të cilët u gjykuan për krime lufte në Hagë", tha burimi.

Në kërkim të provave

10 milionë euro përfshin pagesat e qeverisë për avokatët vendas dhe të huaj, mbështetje financiare për familjet, para për përgatitjen e mbrojtjes dhe përkthimin e dokumenteve, për disa udhëtime në Hagë nga qeveritarë, parlamentarë dhe delegacione partiake, si dhe shpenzimet e transportit dhe festës mirëseardhëse të cilat u organizuan për Boshkoskin dhe Tarçullovskin.

Në vitin 2006, disa muaj pasi personat në fjalë u arrestuan dhe u dërguan në gjykatën ndërkombëtare, qeveria maqedonase vendosi të financojë shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe të mbulojë shpenzimet e udhëtimit të familjarëve të tyre.

Në fillim, ministria e Drejtësisë u kishte dhënë familjeve 200 mijë euro për shpenzime të udhëtimit, akomodimit dhe përgatitjeve për angazhimin e avokatëve.

Kur u pa se kjo sasi parash nuk mjaftonte, qeveria vendosi të miratojë një shtesë prej 770 mijë eurove duke e rritur koston në një milion.

Më pas Kryeministri, Vlado Buçkovski personalisht kishte informuar Boshkovskin se qeveria do të financojë mbrojtjen e tij dhe do të angazhonte avokaten boshnjake Edina Residoviq, sipas një deklarate të zyrës për informim të qeverisë më 2 qershor të vitit 2006.

Buçkovski konfirmoi për BIRN se, gjatë mandatit të tij ishin miratuar rreth një milion euro për mbrojtjen e të akuzuarit.

"Shumica e një milion eurove që ishin ndarë nga shteti, u janë dhënë avokatëve të huaj", tha Buçkovski.

Buçkovski ishte kryeministër deri në vjeshtën e vitit 2006, kur partia VMRO DPMNE mori pushtetin.

Pas kësaj pike nuk ka të dhëna publike rreth pagesave të qeverisë, megjithëse ato vazhduan të rritet nën qeverinë e re, e cila gjithashtu shpresonte në lirimin dy personave në fjalë dhe ruajtjen e imazhit të Maqedonisë.

Kostoja e angazhimit të një avokati të dytë të huaj për gjykimin katër-vjeçar të Boshkoskit, Guenael Mettraux nga Matrix Chambers në Londër, ishte rreth 500 mijë euro sipas vlerësimeve të nxjerra nga analiza të BIRN-it mbi shpenzimet procedurale të ICTY-së dhe të dhënat anonime të zyrtarëve maqedonas.

Ministri i Drejtësisë, Mihajlo Manevski ka pranuar edhe në vitin 2008 se shteti, në të dyja rastet, ka paguar një shumë shtesë prej 310 mijë eurove për shërbime ligjore.

"Qeveria është angazhuar të marrë përsipër shpenzimet e fundit të gjykimit, me fjalë të tjera, deri në mbylljen e argumenteve përmbyllëse", kishte deklaruar Manevski.

Gjatë katër viteve të gjykimit të parë, shpenzimet shtesë tejkaluan 1,2 milionë euro edhe pse marrëveshjet me avokatët dhe shumat e paguara nuk janë bërë publike.

Qeveria hesht

Në vitin 2007, deputeti dhe ish-ministrja e Drejtësisë, Meri Mlladenovska - Gjorgievska pyeti kryeministrin Nikolla Gruevski se sa para ishin shpenzuar për të dy të akuzuarit e Hagës, ndërsa mori një përgjigje të paqartë nga ky i fundit.

"Qeveria ka marrë të gjitha masat për të siguruar një mbrojtje adekuate", tha Gruevski, duke renditur një serë avokatësh që u angazhuan për mbrojtjen e të akuzuarve.

Mladenovska i tha Gruevskit se përgjigja ishte e papranueshme, por kryeministri nuk pranoi të zbulojë detaje të tjera financiare.

"Ne kemi bërë krejt çfarë është e mundur për të ndihmuar", tha Gruevski.

"Ndihma kryesore ka të bëjë me mbulimin e plotë të shpenzimeve për avokatët dhe kërkesat e tjera të veçanta të bëra nga familjarët e të akuzuarve dhe unë nuk do të flasë publikisht për këtë çështje pasi ajo është e natyrës private", shtoi ai.

Shpenzimet morën vrull përsëri në vitin 2008, pasi Tarçullovski u shpall fajtor dhe u dënua me 12 vite burgim.

Qeveria vendosi të punësojë një ekip të përgatitur për të apeluar rastin nga avokati i njohur amerikan Alan Dershowitz, njeriu i cili kreditohet për shpalljen e pafajshëm të yllit amerikan të futbollit OJ Simpson, i cili kishte punuar edhe për presidentin Bill Klinton dhe boksierin Mike Tyson.

Marrëveshja me Dershowitz është lidhur në fshehtësi, por vlerësimet nga ish-zyrtarë për BIRN-in dhe avokatë të cilët kanë punuar në këtë rast sugjerojnë se kostoja e shërbimeve të tij, përfshirë apelimin dhe punën ligjore që çoi në lirimin e parakohshëm të Tarçullovskit këtë vit, arriti në 3.5 milionë euro.

Zëdhënësi i qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev, nuk dha përgjigje ndaj kërkesës për më shumë informacion rreth pagesave ndaj Dershowitz.

"Qeveria ka marrë të gjitha masat për të siguruar një mbrojtje adekuate".

Kryeministri Nikolla Gruevski

 

Gruaja Tarkulovskit, Sonja, e cila tani punon në qeveri, gjithashtu ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet që lidhen me shumën e shpenzuar për mbrojtjen e burrit të saj.

Së fundi, sipas vlerësimeve të dhëna BIRN-it nga zyrtarë të mëparshëm dhe ata të tanishëm, shteti ka shpenzuar gjithsej 2.500.000 € në lobim për lirimin e burrave; 150,000 euro për ceremonitë mirëseardhëse për dy të liruarit, të cilët u kthyen në atdhe me aeroplanët e qeverisë, si dhe 50.000 në shpenzime fluturimesh për delegacione jashtë vendit që kishin të bënin me rastin.

Politika dhe propaganda

Edhe pse Tarçullovski u dënua për krime të lufte, disa maqedonas e shohin atë si hero kombëtar, i burgosur padrejtësisht për mbrojtjen e vendit të tij.

Por, shumica e komunitetit shqiptar të Maqedonisë e fajësojnë atë për vuajtjet që ai shkaktoi gjatë konfliktit të vitit 2001.

Rasti i tij mbetet politikisht i ndjeshëm pasi tensionet etnike në vend ende zien dhe zbulimi se sa para janë shpenzuar për një maqedonas, i cili ka kryer krime lufte kundër shqiptarëve mund të shkaktojë pakënaqësi tek kjo pakicë.

Është po ashtu e ndjeshme për faktin se partia etnike shqiptare e cila doli nga forca guerile që luftoi në konfliktin e vitit 2001, Bashkimi Demokratik për Integrim, është tani pjesë e koalicionit qeverisës të vendit dhe një ish-rebel shqiptar tani është ministër i Mbrojtjes së Maqedonisë.

Që prej lirimit të tij, Tarçullovski, i cili tani po studion bujqësinë në universitet, është bërë simbol lëvizës në shërbim të qëllimeve propagandistike të qeverisë.

Boshkovski nga ana tjetër ka themeluar një parti politike opozitare pas lirimit të tij dhe gjendet në burgim shtëpiak për financim të paligjshëm të fushatës.

Shuma e saktë shpenzuar për të mbështetur të dy të akuzuarit e Hagës ndoshta nuk do të dihet kurrë.

Por Osman Kadriu, profesor i kodit penal në Universitetin FON, argumentoi se shteti i Maqedonisë ka vepruar nga motivet "humanitare dhe të solidaritetit " për të mbështetur qytetarët e saj për të financuar shpenzimet e mbrojtjes për dy të dyshuarit.

"Familjet e të akuzuarve nuk kishin mundësi të paguanin mbrojtje cilësore dhe kjo ishte humane nga ana e shtetit të ndihmonte njerëzit të cilët për fatkeqësisht janë gjendur në Tribunalin e Hagës", tha Kadriu.

Megjithatë, Stevo Pendaroski, ish-këshilltar për siguri kombëtare i presidentit të Maqedonisë, sugjeroi se, si në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, motivet ishin edhe politike.

"Së pari, qeveritarët nuk kishin qëndrime të ngjashme politike dhe ideologjike me të akuzuarit, dhe së dyti, ata vuajtën nga presioni intensiv politik dhe opozita e brendshme prandaj vendimet e tyre nuk ishin të prira nga bindja, por nga frika, në mënyrë që të mos humbnin popullaritetin në zgjedhjet e ardhshme", tha Pendaroski.

Ai arriti në përfundim se qëndrimi i qeverisë sugjeron që politikanëve u mungonte vullneti për t'u përballur me atë që me të vërtetë kishte ndodhur gjatë konfliktit të vitit 2001. Përderisa krimet që janë kryer nuk shpjegohen në tekstet shkollore, Maqedonia nuk e ka tejkaluar " historinë " e saj të shëmtuar, argumenton Pendaroski.

Disqus

blog comments powered by Disqus