Prokuroria dhe ekipet mbrojtëse kanë kërkuar të hidhet poshtë gjykimi i shkallës së parë në rastin kundër 6 ish-rezervistëve të ushtrisë, të akuzuar për krime lufte kundër të burgosurve të luftës në kampin Morinj, në vitet 1991 dhe 1992.
Prokurori i Shtetit dhe tre avokatë mbrojtës kanë apeluar të enjten kundër gjykimit të shkallës së parë që burgosi katër rezervistë të ish-Ushtrisë së Popullit Jugosllav, JNA.
Në janar, Gjykata Supreme në Podgoricë dënoi Ivo Gojnicin, Spiro Lucicin, Ivo Menzalinin dhe Boro Gligicin me një total prej 12 vitesh për krime lufte ndaj të burgosurve të luftës, në vitet 1991 dhe 1992.
Të burgosurit, ushtarë kroatë, ishin kapur në fushë të betejës afër Dubrovnikut në Kroaci dhe ishin sjellë në kampin Morinj, afër qytetit bregdetar Kotor, në Mal të Zi.
Ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Zlatko Tarle dhe Mladjen Govedarica, u liruan nga akuzat.
Ekipet mbrojtëse të Ivo Menzalinit, Boro Gligicit dhe Ivo Gojnicit apeluan vendimin të enjten, duke thënë se janë dhunuar procedurat penale.
Apeli i tyre fokusohet kryesisht në mospërputhje dhe kontradikta të deklaratave të dëshmitarëve dhe pakuptueshmëri të aktgjykimit.
Apeli më i detajuar, 70 faqe i gjatë, u dorëzua nga avokati mbrojtës Veselin Vulekovic, klienti i të cilit, Menzalin, mori dënimin më të rëndë prej 4 vitesh burgim.
Ai argumentoi se në periudhën midis 3 tetorit 1991 dhe 15 janarit 1992 [kohë kur Kroacia u njoh si shtet i pavarur], JNA-ja nuk po luftonte kundër ushtrisë kroate, por kundër rebelëve kroatë.
Për këtë arsye, sipas Vulekovicit, ligji ndërkombëtar humanitar nuk është i aplikueshëm për periudhën gjatë të cilës dyshohet se klienti i tij ka kryer krimet e luftës ndaj të burgosurve.
Sipas aktgjykimit, Menzalin ishte kuzhinier në kamp, dhe në mes të tjerave, i rrihte të burgosurit me garuzhdë.
Sidoqoftë, Vulekovic argumentoi se Menzalin vetëm po shpërndante ushqim dhe kështu pozita e tij në kamp është përcaktuar gabimisht në aktgjykim.
“Është e pakuptueshme që një krim lufte është kryer me garuzhde dhe se në të njëjtën kohë, gjykata refuzo të ekzaminojë garuzhdën”, tha ai.
Vladimir Vuckovic, zëvendësprokuror special për krim të organizuar, korrupsion dhe krime lufte, kërkoi një rigjykim në baza se gjykata ka refuzuar të konsiderojë disa prova, duke përfshirë ato që tregonin fajin e Govedaricas dhe Tarles, të cilët u liruan.
Gjykata e Apelit ka dy muaj për të vendosur nëse do t’i pranojë apelet.