Një artiste vizuale nga Sarajeva ka publikuar një sulm therës për lojën Sniper Ghost Warrior, të titulluar “Sarajevo Urban Combat”, që është vendosur gjatë kohës së rrethimit të Sarajevës.
![]() |
|
| Skenë nga traileri i filmit | Foto nga Youtube |
Adela Jusic, një artiste që punon me video, instalim dhe performancë si dhe jeton në Sarajevë, ka publikuar një kritikë për lojën e Sniper Ghost Warrior për revistën Triple Canopy në New York, duke thënë se kjo lojë “rishkruan historinë” dhe si e tillë është e dëmshme për rininë dhe të rriturit në rajonin e Ballkanit.
Pjesë e lojës Sniper Ghost Warrior, e bërë nga kompania polake City Interactive, është e vendosur në Sarajevë në vitin 1993, e cila sipas Adelës ishte koha më e rëndë e rrethimit, kur banorët e Sarajevës nuk mund të dilnin nga shtëpitë, për shkak të sulmeve me snajperë të serbëve të Bosnjës që ishin aktivë në qytet.
“Kam qenë gjatë gjithë luftës në Sarajevë, nën rrethim, dhe babai im ishte anëtar i njësisë anti-snajper në qytet, kjo është arsyeja pse ishte kaq e vështirë për mua të pranoja një lojë të tillë dhe rolin e luajtur nga forcat amerikane”, thotë ajo për Balkan Insight.
Jusic shton se loja tregon rajonin e Marin Dvorit në Sarajevë dhe hotelin Holiday Inn, që njihej në atë kohë si “Lagja e snajperëve”, për shkak të numrit të madh të vrasjeve që ndodhën atje gjatë luftës.
“Karakteri kryesor është një amerikan ‘që shpëton qytetin’. Ky është një paradoks i tërë, sepse ndërsa ne prisnim të shpëtoheshim në Sarajevë, amerikanët qëndruan të heshtur. Tani, papritur, paraqiten si shpëtimtarë dhe fëmijët që luajnë këtë lojë do të kenë një imazh tërësisht fals të asaj kohe”, thotë Jusic.
![]() |
| Skenë nga traileri i filmit | Foto nga Youtube |
Kompania polake City Interactive mohoi të komentojë kur u kontaktua nga Balkan Insight. Sidoqoftë, në uebsajtin zyrtar të lojës Sniper Ghost Warrior ka një intervistë me Michael Sroczynski, regjisorin e lojës, që e përshkruan si kombinim të “argëtimit dhe realizmit”.
Jusic thotë se lexoi gjithashtu intervistën për lojën që beson se përmblidhet nga fjalët “argëtuese dhe Hollywood”.
“Nuk ka kontekst të vërtetë të Sarajevës dhe horrorit që përjetuam”, shton ajo.
Kritika e Jusicit është pjesë e projektit Triple Canopy, e bërë me pesë artistë dhe shkrimtarë nga Bosnja në një seri punëtorish dhe diskutimesh që merren me vendet ideosinkratike, shifra, dhe objekte me marrëdhëniet ambivalente për historinë traumatike të vonshme të rajonit.
Për krimet në Sarajeve, Tribunali i Hagës ka dënuar dy ish-anëtarë të Trupave Sarajevo- Romanija të forcave serbe të Bosnjës, Dragomir Milosevic dhe Stanislav Galic, me 29 vite dhe burgim të përjetshëm, respektivisht.
Tribunali i Hagës gjeti se nga viti 1992 deri në 1995, Sarajeva kishte bllokime, bombardime dhe sulme me snajperë çdo ditë nga forcat serbe të Bosnjës.
Sipas aktgjykimeve, forcat serbe të Bosnjës vranë dhe dëmtuan pa dallim mijëra civilë në fushatën që kishte si plan për të mbajtur popullatën në gjendje konstante terrori.
Jeta e çdo banori të Sarajevës u bë përpjekje e përditshme për të mbijetuar. Pa elektricitet ose ujë, njerëzit ishin të detyruar të ecnin jashtë për të gjetur gjëra të nevojshme për të jetuar, shpesh duke rrezikuar vdekjen. Rrethimi përfundoi në dhjetor të vitit 1995.
Loja Sniper Ghost Warrior 2: Sarajevo Urban Combat, do të publikohet më 21 gusht.