Lajm 30 Aug 12

Lirohet i Pandehuri në Gjyqin e Gruborit

Frano Drlje, një nga dy ish-policët specialë kroatë të akuzuar për vrasjen e pesë serbëve të moshuar në fshatin Grubor, afër Kninit, në gusht të vitit 1995, u lirua nga paraburgimi të mërkurën.

Boris Pavelic
BIRN
Zagreb

Trupi Gjykues pranoi argumentet e avokatit mbrojtës se deri më tani në gjyq nuk janë prezantuar prova të mjaftueshme për të mbajtur Drljen në paraburgim.

“Dyshimi i arsyeshëm nuk është në shkallën e mjaftueshme për të lejuar zgjatje të paraburgimit”, tha gjyqtari kryesues, Zdravko Majerovic, duke shpjeguar vendimin për të liruar Drljen, që ka qenë i burgosur për dy vjet e gjysmë.

Në korrik, i pandehuri tjetër në gjyq, Bozo Krajina, u lirua për shkaqe të njëjta. Prokuroria apeloi lirimin e Krajinës, por Gjykata Supreme e hodhi poshtë apelin.

Prokuroria tha se do të apelojë gjithashtu për lirimin e Drljes.

Në kërkesën e tij për lirim nga paraburgimi, avokati mbrojtës i Drljes argumentoi se dëshmitarët kryesorë të prokurorisë kanë dhënë dëshmi kontradiktore të cilat nuk kanë vërtetuar aktpadinë.

Asnjë nga dëshmitarët okularë në krim nuk ka dëshmuar, kështu që nuk ka prova të drejtpërdrejta se Frano Drlje kreu krimin, argumentoi avokati mbrojtës i Drljes.

Vrasjet në Grubor, më 25 dhe 26 gusht 1995, janë ndër krimet e luftës më të njohura të kryera nga forcat kroate gjatë luftës për pavarësi të vendit në vitet 1991-1995.

Krimet u kryen 20 ditë pasi rendi serb në Krajinë ishte rrëzuar dhe luftimet kishin përfunduar.

Pesë civilë serbë të moshuar u qëlluan për vdekje, disa prej tyre në shtrat, dhe fshati u dogj.

Ivan Cermak, në atë kohë guvernatori ushtarak kroat në zonën e Kninit, është liruar nga përgjegjësia për krimet në Grubor nga Tribunali i Hagës, ICTY.

ICTY e liroi Cermakun në prill të vitit të shkuar, duke deklaruar se nuk mund të mbahej përgjegjës se ka dështuar të parandalojë krimet ose të dënojë autorët e tyre, edhe pse I mbuloi krimet para mediave.
Mladen Markac, komandant i policisë special kroate, gjatë kohës së luftës, u dënua me 18 vjet burgim në të njëjtin gjyq para ICTY-së, pjesërisht për krimet e luftës në Grubor. Markac e ka apeluar dënimin.

Gjyqi para Gjykatës së Kantonit në Zagreb filloi nëntorin e shkuar. Fillimisht një ish-polic i tretë special, Igor Beneta, ishte paditur bashkë me Drljen dhe Krajinën dhe i mohoi akuzat.

Benta ishte në gjendje të lirë kur gjyqi filloi, por u gjet i vdekur tri ditë më vonë, i varur në një pyll afër Kninit. Gjyqi kundër Benetës përfundoi zyrtarisht në fillim të marsit.

Zeljko Sacic, zëvendës komandant i policisë speciale kroate gjatë kohës së luftës, ishte gjithashtu nën hetim, bashkë me Drljen, Krajinën dhe Benetën, për fshehje të krimeve në fshatin Grubor.

Prokurorët, sidoqoftë, e kanë ndarë rastin e tij nga të tjerët dhe i kanë kërkuar policisë të hetojë më në detaje veprimet e Sacicit.

Deri më tani asnjë aktpadi nuk është hedhur kundër Sacicit.

Gjyqi do të vazhdojë më 25 shtator.

blog comments powered by Disqus