Intervistë 10 Jan 18

Kryetari i gjyqësorit në Bosnje zotohet të përshpejtojë ndjekjet penale

Gjykimet e shumicës së çështjeve të rëndësishme për krime lufte, korrupsion dhe krim të organizuar u ngadalësuan gjatë vitit 2017, por kreu i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Prokurorisë në Bosnje këmbëngul se foksi në vitin 2018 do të jetë përballja me të dyshuar të nivelit të lartë.

Denis Dzidic BIRN Sarajevë
 
Milan Tegeltija. Foto: BIRN.  

Sistemi gjyqësor shtetëror i Bosnjës ka arritur "rezultate shumë më të dobëta" në ndjekjen penale të krimeve të luftës, korrupsionit dhe rasteve të krimit të organizuar në vitin 2017 krahasuar me vitet e kaluara, pranoi në një intervistë për BIRN Milan Tegeltija, kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, mbikëqyrësi gjyqësor i vendit.

Por pavarësisht kësaj, Tegeltija tha se ishte një "optimist i moderuar" se viti 2018 do të ishte një vit më i mirë.

Ai shpjegoi se ai priste që prokuroria e nivelit shtetëror të përqendrohej tek autorët e nivelit të lartë dhe të dërgonte çështjet e mbetura të nivelit të ulët në prokuroritë në nivel entiteti, duke shtuar se ai ishte inkurajuar nga një valë akuzash të lëshuara në fund të dhjetorit nga prokuroria shtetërore.

“Ne jemi dëshmitarë se gjatë ditëve të fundit – kjo është në media – po ndodhin shumë gjëra në rastet e krimeve të luftës. Shumë arrestime dhe shumë aktakuza. Mendoj se kjo është një shenjë e mirë,” tha Tegeltija.

Prokuroria boshnjake gjithashtu ngriti një numër të madh aktakuzash dhjetorin e kaluar – diçka që shihet si një përpjekje e duhur nga ana e prokurorëve për të realizuar një kuotë vjetore para përfundimit të vitit.

Por Tegeltija, i cili ka lindur në Pancevo, Serbi, në vitin 1971, ka qenë avokat që prej vitit 1997 dhe u emërua kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial tre vite e gjysmë më parë, tha se këtë herë ai shikonte një ndryshim.

“Nga ajo që shoh nga media, s’mendoj se këto janë arrestime dhe aktakuza thjesht për të plotësuar një kuotë. Mendoj se këta janë më shumë oficerë komandues, jo thjesht roje nëpër kampe. Mendoj se këto janë raste nga një sferë rastesh më serioze krimesh lufte dhe mendoj se s’është njësoj si praktika që ka ekzistuar më parë për të përmbushur një kuotë,” këmbënguli ai.

Një nga historitë që pati jehonë të gjerë në vitin 2017 ishte reagimi i HJPC-së ndaj akuzave të bëra pas vendimit polemik që liroi ish-komandantin boshnjak të Srebrenicës Naser Oriç nga akuzat për krime lufte kundër të burgosurve serbë të luftës.

Autoritetet serbe të Bosnjës akuzuan autoritetet gjyqësore për paragjykime anti-serbe në gjyqin e Oriç dhe në çështje të tjera kundër krimeve të luftës dhe Qendra për Kërkim të Krimeve të Luftës në Republikën Srpska i dha HJPC -së një listë prej 15 gjykatësish dhe prokurorësh, të cilët akuzoheshin se po punonin kundër interesave të popullit serb.

Prej kësaj HJPC vendosi caktojë mekanizma për të kontrolluar të dhënat e gjykatësve dhe prokurorëve në kohën e luftës.

Tegeltija këmbënguli se pavarësisht kritikave nga shoqatat profesionale, OJQ-të dhe komuniteti ndërkombëtar, kjo nuk ishte gjë e gabuar.

"Ka, sigurisht, njerëz që mund të kenë bërë disa gjëra në jetën e tyre, të cilat, nëse do të kishim dijeni për to, do t'i ndalonim të emëroheshin si gjykatës. Ne duhet të kemi një mekanizëm për të reaguar ndaj situatave të tilla", shpjegoi ai.

Ai argumentoi se legjislacioni që rregullon punën e HJPC-së parashikon që punonjësit nuk duhet të kenë histori të errët.

"Në Ligjin e HJPC-së, thuhet se gjyqtarët dhe prokurorët duhet të jenë persona me vlera të larta morale, dhe tani nëse zbulojmë se kemi emëruar një person ngaqë nuk dinim diçka për të kaluarën e tyre dhe nuk kemi një mekanizëm për të reaguar, atëherë ai person është ngulur në sistem," tha ai.

I pyetur për reagimin e ashpër nga BE dhe shoqatat e profesionistëve, Tegeltija tha se veprimet e HJPC-së u keqinterpretuan, por se ky keqkuptim u zgjidh kur rregullimi hoqi dorë nga ideja e ndryshimit të ligjit për të lejuar shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve dhe prokurorëve pa procedura disiplinore. Çështja do të jetë tashmë pjesë e bisedimeve të dialogut BE-Bosnje për çështjet e drejtësisë.

 
Gjyqi kontravers: Naser Oriç mbërrin në gjyqin për krime lufte. Foto: BIRN  

Rezultate të këqija, por priten më të mira?

Bosnja dhe Hercegovina miratoi një strategji kombëtare të krimeve të luftës në vitin 2008, e cila parashikoi që të gjitha çështjet komplekse të krimeve të luftës do të zgjidheshin në nivel shtetëror deri në vitin 2015 dhe ato të mbetura do të zgjidheshin në nivel entiteti deri në vitin 2023.

Objektivat nuk u arritën - pasi ka filluar viti 2018 dhe qindra hetime komplekse të krimeve të luftës mbeten të hapura dhe duhet krijuar një strategji e re për të pasqyruar realitetin e situatës.

Tegeltija tha se këtë pranverë do të emërohet një prokuror i ri, i cili do të përshpejtojë ndjekjet penale të krimeve të luftës, si dhe çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

"Mendoj se 2018 do të bëhet viti që do të na tregojë trendin e të ardhmes", tha ai.

"Do të ishte e gabuar të mendojmë se në vitin 2018 do të zgjidhim të gjitha problemet - pasi nuk do ta bëjmë. Megjithatë, jam i sigurt se në vitin 2018 do të kemi një trend pozitiv të përmirësimit të gjyqësorit dhe se trendi, me siguri do të jetë i mirë", shtoi ai.

Prej më shumë se një viti, prokuroria e Bosnjës është kryesuar nga kryeprokurorja Gordana Tadiç.

Kryeprokurori i mëparshëm, Goran Salihoviç, u pezullua në shtator 2016 pas akuzave për shpërdorim detyre. Pasi pati një vendim disiplinor, ai u hoq nga detyra, por një hetim penal për të po vazhdon ende.

"Mendoj se duhet të shohim vitin 2017, si një vit ku kryeprokurorja e ngarkuar u përpoq të vendoste sistemin në shina në mënyrë që në të ardhmen të mund të arrihen rezultate më të mira", argumenton Tegeltija.

Megjithatë ai nuk do të komentojë mbi numrin e madh të ankesave disiplinore kundër prokurorëve, të paraqitura gjatë periudhës prej 15 muajsh në të cilën Tadiç ka drejtuar zyrën, duke këmbëngulur se koha e duhur për ta bërë këtë, do të jetë kur shqyrtohet raporti zyrtar për vitin 2017.

"Është e vështirë të japim një vlerësim të plotë tani... do të ishte më spekulativ dhe i pabazuar në dokumente zyrtare... Megjithatë, është e sigurt se marrja e detyrës së prokurorit pas pezullimit të kryeprokurorit Goran Salihoviç nuk ishte e lehtë dhe pritshmëritë për institucionin me të gjitha problemet e tij dhe çështjet ndërpersonale ishin një faktor rëndues", tha Tegeltija.

Rreth njëzet akuza më pak u ngritën për krime lufte në vitin 2017 krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa ndryshimet në strategjinë kombëtare për krimet e luftës janë vonuar. Tegeltija pranon se panorama duket e keqe, por këmbëngul se gjëra më të mira do të vijnë.

"Askush nuk është i kënaqur me atë që është bërë për krimet e luftës, edhe pse është shumë e vështirë. Strategjia jonë e mëparshme nuk u zbatua dhe po hartohet strategjia e re. Përfaqësuesi ynë në atë grup pune është i përfshirë në mënyrë aktive dhe ky është një dokument kyç që duhet të përcaktojë punën në të ardhmen," tha ai.

“Jam optimist që do të kemi një strategji të re dhe që vitin e ardhshëm ose atë pas tij, të gjithë ndjekjet penale të krimeve të luftës do të shpejtohen".

Disqus

blog comments powered by Disqus