Lajm 06 Jul 12

Kryetari i Bashkisë në Srebrenicë Nxit Boshnjakët të Votojnë

Kandidati për kryebashkiak të Srebrenicës, Camil Durakovic, dhe menaxheri i fushatës së tij, Emir Suljagic, thanë se zgjedhjet lokale të tetorit përfaqësojnë një pikë kritike, jo vetëm për qytetin ikonë, por edhe për vendin.

Valerie Hopkins
BIRN
Sarajevë

“Lufta nuk ka përfunduar”, iu tha Suljagici, studentëve që merrnin pjesë në universitetin veror në Srebrenicë, i cili mbahet gjatë përkujtimores së masakrës së vitit 1995, gjatë të cilës u vranë më shumë se 7,000 boshnjakë.

“Po luftojmë ende të njëjtën luftë. Një nga frontet e asaj lufte është pikërisht këtu, në këtë moment, dhe ajo është çfarë po bëjmë ne”, tha ai.

“Për çfarë po luftojmë është jeta jonë, të jetojmë ku duam të jetojmë, në përputhje me të drejtat dhe besimet tona”, shtoi ai.

Suljagici, i cili dha dorëheqjen vitin e shkuar si ministër i Arsimit në Kantonin e Sarajevës, po drejton fushatën për të regjistruar votuesit në Srebrenicë.

Në vitin 2008, komuniteti ndërkombëtar dhe qeveria bënë një përjashtim në ligjin zgjedhor për të lejuar boshnjakët të votonin, ose në vendbanimet e tanishme ose të paraluftës, ndryshim që nuk është vazhduar edhe për zgjedhjet e ardhshme të tetorit.

Suljagici po drejton fushatën për të nxitur boshnjakët [myslimanët] të vijnë në Srebrenicë për t’u regjistruar dhe të votojnë për kryebashkiakun në detyrë, Camil Durakovic, i cili po garon sërish në zgjedhjet lokale në vjeshtë.

Boshnjakët përbënin 80 për qind të popullatës së paraluftës në Srebrenicë, por tani janë minoritet në qytet, skenë e masakrës famëkeqe serbe të Bosnjës në 1995, të cilën gjykatat e kanë cilësuar si gjenocid . Tani kanë frikë se një serb do të fitoj zgjedhjet lokale të vjeshtës në qytet.

“Dua të kem të ardhme në këtë vend si qytetar dhe personalisht jam gati të shkoj në ekstrem për këtë luftë të veçantë”, tha Suljagici.

“Po bëj të vetmen gjë që mund të bëj tani: të sjellë njerëzit këtu, t’i regjistroj për të votuar”, shtoi ai.

Durakovici u tha studentëve se duhet të fitojë, sepse Srebrenicës i mungon mbështetja psikologjike për të nxitur kthimin e ish-popullatës shumicë boshnjake në vend.

Ai tha se Srebrenica ende nuk është përballuar me të shkuarën, që është thelbësore për të ecur përpara.

“17 vjet kanë kaluar deri më tani”, iu tha ai, studentëve. “Shtatëmbëdhjetëve vjet nga vrasjet masive, keni njerëz që jetojnë bashkë. A mjafton kjo? Që kur lufta ka përfunduar nuk kemi pasur aksidente fizike, nuk kam marrë kurrë ndonjë raport se boshnjakët kanë sulmuar serbët, ose serbët boshnjakët. Jetojnë bashkë, shoqërohen, jetojnë. Por momenti që flasim për të shkuarën, të gjithë marrin pozitat e tyre fillestare”.

Një paneliste tjetër, Alma Masic nga Iniciative Rinore për të Drejtat e Njeriut, një OJQ rajonale, tha se qytetarët nuk janë të përfshirë mjaftueshëm në procesin e pajtimit.

Durakovic, Masic dhe Suljagic shprehën mospajtimin dhe frustrimin e tyre një vendimi të deklaruar rishtazi nga etnia serbe e Bosnjës, Republika Srpska, për të mbajtur komemoracione për viktimat serbe të luftës së vitit 1992, gjatë gjithë javës, nga 7 deri më 12 korrik, edhe në qytetin e Srebrenicës, gjatë përkujtimit boshnjak, në të cilin 520 viktima boshnjake të gjetura vitin e shkuar do të varrosen.

Shkolla Verore në Srebrenicë, këtë vit të tretë të saj, po drejtohet nga Dr Hariz Halilovc, i lindur në Srebrenicë që është profesor antropologjie në universitetin Monash në Australi.

Në shkollë po marrin pjesë 30 pjesëmarrës nga e gjithë bota, përfshirë nga Meksika, Hungaria, Serbi, Republika Çeke, Holanda, Australia dhe Kanadaja.

blog comments powered by Disqus