Lajm 07 Jan 13

Kryeministri i Shqipërisë Dënon Kërcënimin e Serbisë për Largimin e Monumentit

Kryeministri Sali Berisha tha se kërcënimi i Serbisë për të larguar përkujtimoren për luftëtarët shqiptarë në Luginën e Preshevës shkel të drejtën ndërkombëtare.

Besar Likmeta
BIRN
Tiranë

“Në çdo vend të lirë janë autoritetet lokale dhe jo qeveria qendrore që vendos se cilat monumente historike dhe kulturore duhen ngritur”, tha Berisha në një deklaratë të dielën.

Marrja e kësaj fuqie nga autoritetet lokale “do të ishte shkelje flagrante e konventave europiane për të drejtat e njeriut, autonomisë lokale dhe minoritetet, që Serbia si anëtare e Këshillit të Evropës është përkushtuar të mbështesë”, shtoi ai.

Kryeministri serb, Ivica Dacic, ka paralajmëruar se nëse autoritetet në qytetet e Bujanocit dhe Preshevës, të banuara kryesisht nga shqiptarë në jug të Serbisë, nuk largojnë një monument për luftëtarët, qeveria qendrore do të ndërhyjë dhe do ta shkatërrojë atë.

Dacic tha se monumenti ishte “një provokim i hapur, i krijuar për të treguar se Serbia nuk kontrollon pjesë të territorit të saj”.

Monumenti, dedikuar veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, u ngrit në nëntor përballë Bashkisë së Preshevës, qytet në të cilin banojnë rreth 50 000 shqiptarë.

Forcat guerile shqiptare luftuan shkurtimisht kundër forcave të sigurisë serbe në vitin 2000.

Luftëtarët pranuan të çarmatoseshin në vitin 2001 pas një marrëveshjeje paqeje të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht, pas së cilës ushtria serbe hyri përsëri në zonën e demilitarizuar afër kufirit me Kosovën me miratimin e NATO-s.

Në dhjetor, disa ish-luftëtarë shqiptarë kërcënuan rebelim të armatosur nëse monumenti largohej, u raportua në uebfaqen Presheva Jonë.

Disqus

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor