Lajm 14 Feb 18

Kroatët gjykohen për abuzime në kampet e burgimit në Herceg-Bosnjë

Në gjyqin e Marinko Mariç dhe Zeljko Rodin, ish-ushtarë kroatë të Bosnjës të akuzuar për abuzim me civilët boshnjakë të ndaluar dhe të burgosurit e luftës në vitin 1993, u tregua se si të burgosurit abuzoheshin dhe kanoseshin nëpër kampe.

Sven Milekic
BIRN
Split
Gabela, vendi ku ndodhej një nga kampet e burgimit të kohës së luftës. Foto: Wikimedia Commons/Dragan966m.

Në gjyqin e ish-ushtarëve kroatë të Bosnjës Marinko Mariç dhe Zeljko Rodin të mërkurën në gjykatën e qarkut në qytetin kroat të Splitit u dëgjuan dëshmi nga dëshmitarë të cilët dëshmuan se ata dhe të tjerë i ishin nënshtruar abuzimit në kampet e burgjeve në shtetin e vogël të Herceg-Bosnjës në Bosnjë gjatë kohës së luftës.

Mariç dhe Rodin janë ish-anëtarë të forcave të armatosura kroate të Bosnjës, Këshilli Kroat i Mbrojtjes, HVO, duke shërbyer në njësinë Knez (Duka) Domagoj. Ata punuan gjithashtu edhe si agjentë të Shërbimit Kroat të Sigurisë dhe Informacionit, SIS, në kampet e burgimit Gabela, Silos dhe Dretelj të cilët drejtoheshin nga HVO-ja në zonën perëndimore të Hercegovinës.

Ata akuzohen për abuzimin fizik dhe mendor, si edhe poshtërim të civilëve boshnjakë dhe të burgosurve të luftës në kampe në vitin 1993. Si pasojë e rrahjeve që ata kryen, një i burgosur kampi humbi jetën.

Ish i burgosuri boshnjak Medin Kaplan, nga qyteti boshnjak i Stolacit, ishte vetë një ushtar i HVO-së në vitin 1993. edhe pse Kaplani ishte në sallën e gjyqit, gjyqtari lexoi dëshminë e tij nga hetimi i kryer në vitin 2015 në lidhje me abuzimin që ai pësoi gjatë kohës që u mbaj i burgosur.

Kaplani u plagos në luftimet kundër forcave serbe në Stolac në janar 1993, më pas në korrik të të njëjtit vit, ushtarët e HVO-së - të cilët ai i njihte personalisht - e arrestuan atë para shtëpisë së tij në Stolac dhe e çuan atë në bodrumin e një ndërtese, ku ai kaloi dy ditët e ardhshme me të burgosurit e tjerë.

Pas kësaj, ai u transferua në kampin e burgimit në Dretelj dhe u vendos në një "kontenier metalik " së bashku me rreth 500 të burgosur të tjerë, në kushte të këqija jetese dhe me shumë pak ushqime.

Në dëshmi, Kaplani tha se ai nuk e kishte njohur të pandehurin Mariç personalisht para burgimit, por të burgosurit e tjerë i treguan për të.

"E pashë për herë të parë në shtator 1993 kur ai erdhi në kamp, duke i vënë pistoletën në kokë të burgosurve dhe duke i pyetur për emrat. Më pas ai thoshte nëse duhej të vazhdojë të rrije apo të dilje nga kontenieri," tha Kaplani në dëshmi.

"Ai më vuri një pistoletë në kokë dhe më pyeti për emrin. Kur ia thashë emrin, ai më tha se duhej të rrija," vazhdoi ai.

Ai shpjegoi se të burgosurit "kishin në frikë", pasi nuk e dinin se çfarë donte të thoshte "të rrije apo të dilje”.

Ai u tha hetuesve se më vonë zbuloi se ata që zgjidheshin për t’u larguar nga kampi ishin transferuar në një kamp tjetër, në Heliodrom, ku u përdorën si mburoja njerëzore në fronitn e luftës.

Kur u pyet nëse mund ta identifikonte Mariçin në sallën e gjyqit, ai e bëri këtë. Ai shtoi se nuk e njeh Rodinin.

Në shtator, Kaplani u transferua në kampin në Gabela, në kufi me Kroacinë dhe më vonë u lirua.

Ai tha se për shkak të trajtimit të tij në kampe, ai ka probleme me veshët, si edhe po vuan psikologjikisht.

Në sallën e gjyqit Mariçi e refuzoi dëshminë e Kaplanit në lidhje me vendosjen e pistoletës në kokat e të burgosurve.

Gjyqtari Vladimir Zivaljiç lexoi gjithashtu dëshminë e Enver Bojciç, një ish-gjyqtar në qytetin jugor boshnjak të Capljinës, i cili nuk mund të vinte në gjyq për shkak të problemeve serioze shëndetësore. Bojciç e dha dëshminë në Agjencinë Shtetërore Boshnjake për Hetim dhe Mbrojtje, SIPA, në qershor 2014.

Në dëshminë e tij, Bojçiç tha se ai u arrestua nga policë kroatë të Bosnjës në vitin 1993 dhe u burgos në Gabela, bashkë me të burgosur të tjerë - kryesisht boshnjakë.

Ai dëshmoi se si të burgosurit e tjerë kishin "lëndime kokë dhe fytyrë", ndërsa kushtet në kamp ishin të varfra, me të burgosurit që ndonjëherë kalonin ditë pa u ushqyer.

Para se të burgosej, ai tha se njihte vetëm Rodin sipërfaqësisht.

Në dëshminë e tij, Bojciç dëshmoi se si pa Mariçin të hynte në burg dhe të godiste me shkelm një të burgosur.

"Mariçi hyri brenda dhe qëlloi me shkelm një të burgosur, Huso Mariçin, duke i thënë të ngrihej në këmbë. Pasi Huso Mariç tha se nuk mund të ngrihej sepse “e kishin rrahur rëndë”, Marinko Mariç i vuri pistoletën në gojë dhe i tha se ai “s’mund ta thoshte këtë”, por duhet të thoshte se “ishte rrëzuar nga shkallët”, tha Bojciç në dëshminë e tij.

Të burgosurit e tjerë e paralajmëruan Bojciçin pas incidentit se Mariç "është nga ISIS" dhe se "ai është shumë i rrezikshëm".

Në sallën e gjyqit, i pandehuri Mariç kundërshtoi dëshminë e Bojciçit, duke shtuar se ai nuk e gjuajti të burgosurin dhe se "ai vetëm i vuri pistoletën në kokë".

Të dy të pandehurit kanë shtetësi boshnjake dhe kroate dhe aktualisht jetojnë në Split.

Prokuroria boshnjake e akuzoi Mariçin në vitin 2006 dhe Rodin në vitin 2012, por nuk mundi të vazhdonte me çështjen, pasi ata jetonin në Kroaci.

Çështja përbën një nga çështjet e pakta që janë transferuar me sukses nga gjyqësori boshnjak në atë kroat, sipas një protokolli për bashkëpunim për rastet e krimeve të luftës që u nënshkrua në vitin 2013.

Gjyqi filloi në vitin 2017 dhe të dy të pandehurit e deklaruan veten të pafajshëm.

Disqus

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor