Hulumtim 23 Dec 13

Kroaci: mbështetja e gjeneralëve të ‘luftës për atdhe'

Kroacia ka shpenzuar më shumë se 28 milionë euro në mbrojtjen e tre gjeneralëve të akuzuar për krime lufte, ndërsa para të tjera janë mbledhur përmes një fondi privat.

Josip Ivanoviq
BIRN
Zagreb
Në nëntor të vitit të kaluar, gjeneralët kroatë Ante Gotovina dhe Mlladen Markaq u kthyen në Zagreb dhe përjetuan një mikpritje ngazëlluese, pasi u shpallën të pafajshëm për krime lufte nga Tribunali i Hagës.
 
Turmat euforike festuan në sheshin kryesor të Zagrebit duke valëvitur flamujt kombëtar dhe mbajtur fotot e gjeneralëve dhe parulla ku shkruhej 'Krenaria e Kroacisë', gjersa këngë patriotike ushtonin nëpër rrugët e qytetit.
 
Shumë njerëz në Kroaci besojnë se lirimi i tyre, pas shpalljes si të pafajshëm nga gjykata e apelit në Hagë, ishte një fitore për strategjinë afatgjate të qeverisë së Zagrebit në ofrimin e fondeve për mbrojtjen e tyre.
 
Sipas shifrave të qeverisë, shteti kroat ka shpenzuar gjithsej 28.145.610 euro për të ndihmuar gjeneralët Gotovina, Markaq dhe Ivan Çermak nga viti 2006 deri në vitin 2012.

"Të akuzuarit kishin mbështetje masive nga pothuajse të gjitha partitë parlamentare dhe strukturat shtetërore”

Sven Milekiq nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut

 
 
Një email i shkurtër i zyrës për informim të qeverisë dërguar portalit H-Alter zbuloi këtë shumë tha se paratë janë shpenzuar për "përfaqësimin ligjor në ICTY" për tre personat në fjalë. Nuk është dhënë shpjegim tjetër, prandaj mbetet e paqartë nëse kjo shumë përfshin shpenzimet e udhëtimit për familjet e tyre apo shpenzime të tjera.
 
Nuk dihet nëse janë dhënë para për mbështetjen e të akuzuarve kroato-boshnjakë në Hagë, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë, atë boshnjake dhe kroate.
 
Por, qeveria kroate, pavarësisht se është e detyruar me ligj t'i përgjigjet kërkesave të informimit publik brenda katër javësh, deri më tani nuk i është përgjigjur pyetjeve të mëtejshme të BIRN-it për detaje të plota.
 
Megjithatë, shuma e prej më shumë se 28 milionë euro e vendos Kroacinë shumë më lart se çdo vend tjetër të ish-Jugosllavisë, kur është fjala për pagesa ndaj të akuzuarve për krime lufte në gjykatën ndërkombëtare.
 
Ndryshe nga Serbia dhe Bosnja, Kroacia ka pikëpamje të qartë sa i përket konfliktit të vitit 1991-1995, të cilin ajo e sheh si një luftë të drejtë për pavarësi – e që ndryshe njihet edhe si “lufta për atdhe”.
 
"Të akuzuarit kishin mbështetje masive nga pothuajse të gjitha partitë parlamentare dhe strukturat shtetërore ", tha Sven Milekiq nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut.
 
Ata llogarisin në "mbështetje të madhe" që kishin nga publiku, tha ai.
 
Edhe pse publiku asnjëherë nuk i ka mësuar detajet e sakta se sa para kishte shpenzuar shteti i tyre, lirimi i tyre është konsideruar si fitore nga shumica e politikanëve dhe vetë gjeneralët.
 
Me t'u kthyer në Zagreb, Markaq e përshkroi aktgjykimin si dëshmi se Kroacia nuk kishte vepruar në mënyrë të paligjshme gjatë luftës.

Shpenzimet e qeverise kroate në mbrojtjen e gjeneralëve

2006: 8,721,608.03 kuna (1,187,421 euro)

2007: 8,599,682,35 kuna (1,174,018 euro)

2008: 43,910,900.06 kuna (5,995,481 euro)

2009: 46,547,594.52 kuna (6,371,146 euro)

2010: 48,304,782.58 kuna (6,540,932 euro)

2011: 28,828,977.27 kuna (3,828,549 euro)

2012: 22,997,633.02 kuna (3,048,063 euro)

Gjithsej 28,145,610 euro

Burimi: Qeveria e Kroacise. Kalkuluar si pas kursit këmbimor të ditës së fundit të cdo viti.

 
 
"E dija se nuk kishte ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe e dija se ushtria dhe policia kroate e çliruan vendin në mënyrë të ndershme", tha ai për turmat që brohorisnin në kryeqytet, duke shtuar se "të gjithë tani mund të thonë se çlirimi i Kroacisë u arrit pa asnjë njollë".
 
Qeveria aktuale e qendrës së majtë pranon se janë kryer krime lufte gjatë konfliktit 1991-1995, megjithatë ajo ka shprehur kënaqësi për pafajësinë e gjeneralëve-edhe pse nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me paratë e shpenzuara për lirimin e tyre.
 
"Gotovina dhe Markaç janë padyshim të pafajshëm , por kjo nuk do të thotë se lufta nuk ishte e përgjakshme dhe se nuk janë bërë gabime", tha kryeministri Zoran Millanoviq pas kthimit të tyre.
 
Financimi i mbrojtjes së tyre nuk ishte e vetmja përkrahje ndaj gjeneralëve gjersa ata po gjykoheshin në Hagë.
 
Fondacioni për të Vërtetën e Luftës Kroate për Atdhe u themelua në vitin 2006 nga gruaja e Gotovinës, Dunja Zloic Gotovina së bashku me brigadierin Zheljko Huciq dhe kryetarin e komunës Pakoshtane , Milivoj Kurtov, në mënyrë që sigurohet "mbrojtje cilësore ligjore për gjeneralin Ante Gotovina dhe të akuzuar të tjerë kroatë në Tribunalin e Hagës", siç thuhet në ueb faqen e këtij fondi.
 
Ai gjithashtu kishte për qëllim kryerjen e "aktiviteteve që kontribuojnë në ruajtjen dhe përhapjen e së vërtetës për luftën atdhetare " dhe "hulumtime akademike në luftën atdhetare të rezistencës legjitime ndaj agresionit kundër Republikës së Kroacisë".

"[Qeveria e mëparshme kroate besonte se] "qëllimi fisnik i krijimit të shtetit kombëtar justifikon çdo mjet"

Zoran Pusiq, Komisioni Qytetar për të Drejtat e Njeriut

 
 
Fondacioni kishte mbledhur 1.1 milionë euro në vitin e parë, sipas Danijel Kotlar, oficer në pension i ushtrisë dhe zyrtar i partisë së krahut të djathtë Partia Kroate e të Drejtave në Zadër, e cila ndihmoi në promovimin e kësaj nisme.
 
"Paratë e mbledhura nga fondacioni janë shpenzuar kryesisht për nevoja të shumta, të tilla si përkthimi dhe digjitalizimit të rreth 50.000 dokumenteve të nevojshme për mbrojtjen ligjore të gjeneralëve", i tha Kotlar portalit kroat Dalje.com në maj të vitit 2007.
 
Paratë u mblodhën përmes ankandeve, darkave, koncerteve, ekspozitave dhe llojeve të tjera të ngjarjeve. Por, sa para janë grumbulluar dhe si janë shpenzuar ato nuk është bërë publike asnjëherë.
 
Gjithashtu është raportuar gjerësisht se autoritetet kroate shpenzuan sasi të konsiderueshme parash në angazhimin e kompanisë së njohur amerikane lobuese, Patton Boggs, në përpjekje për të ndikuar aktgjykimin e Gotovinës dhe Markaqit të cilët në mënyrë të suksesshme apeluan verdiktin e shkallës së parë.
 
"Patton Boggs ka nënshkruan një marrëveshje prej 60 mijë dollarëve amerikanë në muaj me Kroacinë për të adresuar çështjet që dolën nga verdikti i prillit [2011] ... i cili dënoi dy gjeneralët kroat në pension për krime lufte ndaj serbëve vendas", raportoi agjencia e lajmeve dhe marrëdhënieve me publikun, O'Dwyers, në gusht të vitit 2011.
 
Ueb faqja e Patton Boggs konfirmon se kompania ka punuar "në emër të Republikës së Kroacisë pranë Dhomës së Apelit të Tribunalit Ndërkombëtar për krime lufte ish-Jugosllavi në rastin e Ante Gotovinës".
 
Megjithatë, mbetet e paqartë sa kohë ka punuar kjo firmë për autoritetet e Zagrebit dhe çfarë ishte kostoja e përgjithshme të shërbimeve të saj. Patton Boggs nuk u është përgjigjur kërkesave të BIRN-it për informacion.
 
Ndihma masive financiare dhënë të akuzuarve ishte "logjike" për ish-qeverinë e krahut të djathtë të vendit që erdhi në pushtet në vitet 1990 , tha Zoran Pusiq, drejtor i Komitetit Civil për të Drejtat e Njeriut në Zagreb.
 
Autoritetet e asaj kohe kërkonin zvogëlimin e numrit të serbëve në Kroaci dhe besonin se "qëllimi fisnik i krijimit të shtetit kombëtar justifikon çdo mjet", deklaroi Pushiq.
 
"Ofrimi i mbështetjes financiare dhe mediale për "djemtë tanë" të cilët ishin "pak a shumë radikal në arritjen e këtyre qëllimeve ishte e logjikshme", tha ai.
 
Dragan Pjevac, nëna e tij 68 vjeçare ishte qëlluar për vdekje dhe ishte gjymtuar gjatë konfliktit në vitin 1993, ka shprehur cinizëm rreth motiveve të qeverisë kroate rreth pagesës për shpenzimet e mbrojtjes së gjeneralëve.
 
Nëna e Pjevac vdiq në fshatin Citluk, rezultat i serbëve të vrarë kur forcat kroate sulmuan zonën e 'Xhepit Medak', i cili në atë kohë ishte nën kontrollin serb. Dy oficerë të lartë të akuzuar si përgjegjës për krime lufte të kryera në atë zonë u liruan më vonë në Zagreb.
 
Ai tha se autoritetet kishin tentuar të zbardhnin imazhin e tyre ndërkombëtar duke financuar të akuzuarit e Hagës.
 
"Ndoshta, sipas logjikës së tyre të shkurt-pamëse është më mirë të mbrohet një krim", tha ai duke akuzuar autoritetet se kanë shpenzuar shumë më tepër për udhëheqësit ushtarakë se sa në kompensimin e atyre që vuajtën.
 
Ata që u vranë, internuan ose u abuzuan janë duke u fshirë zyrtarisht nga pamja e sanksionuar nga 'lufta e drejtë dhe e suksesshme për atdhe’, tha ai.
 
"Ku janë viktimat? Të gjitha viktimat? Ku janë reparacionet për ta?" pyeste ai.

Disqus

blog comments powered by Disqus