Dhoma e Apelit në Gjykatën e Bosnjë dhe Hercegovinës dënoi Alija Osmicin me tre vite burgim për krimet e kryera ndaj të burgosurve të luftës në Bugojno në vitin 1993 dhe 1994.
Osmic u shpall fajtor se ka abuzuar fizikisht dhe mendërisht anëtarët e burgosur të Këshillit të Mbrojtjes Kroate në një garazh në fshatin Donjici, në Qendrën Marksiste dhe zyrat e Bankës BH në Bugojno.
Sipas aktgjykimit, si anëtar i Policisë Ushtarake të Brigadës së 307-të të Ushtrisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, Osmic u shkaktoi “vuajtje të rënda të burgosurve të luftës”.
“Dhoma e Apelit vendosi të aplikojë Kodin Penal të ish-Jugosllavisë, i cili ishte efektiv gjatë kohës kur u kryen krimet, duke vlerësuar se Kodi Penal i Bosnjë dhe Hercegovinës nuk është më i lehtë për autorin e krimeve,” shpjegoi Azra Miletic, gjyqtarja kryesuese në këtë rast.
Ky është dënimi më i ulët që Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës ka dhënë për krime lufte, dhe i katërti në të cilin është aplikuar ligji i ish-Jugosllavisë.
Dhoma e Apelit vlerësoi se dënimi është në përputhje me shkallën e rëndë të krimit dhe rolin e të akuzuarit si dhe nuk ka rrethana rënduese.
“Si rrethanë lehtësuese është marrë parasysh se i akuzuari nuk ka shënime për dënime të mëparshme, ka familje dhe është sjellë mirë gjatë gjyqit. Si rrethanë veçanërisht lehtësuese, Dhoma e Apelit konsideroi kontekstin në të cilin ndodhën ngjarjet. Para këtyre ngjarjeve, krime ishin kryer ndaj boshnjakëve, të cilat e kishin hidhëruar popullatën”, shpjegoi Miletic.
Ajo theksoi se hakmarrja nuk mund të justifikohet, por se përgjegjësia e të pandehurit duhet të vlerësohet në kontekst të ngjarjeve në tërësi.
Vendimi i shkallws sw parë e dënoi Osmicin me 11 vite burgim. Pas apelit, vendimi u hodh poshtë dhe rasti u rigjykua para Dhomës së Apelit, që dha vendimin përfundimtar.