Hulumtim 23 Dec 13

Kosovë: fondet e dyshimta rrisin dyshimet për korrupsion

Mëshumë se 1,7 milion euro janë mbledhur në fonde private për të mbështetur ish-luftëtarëte Kosovës të akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, megjithatë nukdihet sa para janë mbledhur apo shpenzuar.

Edona Peci
BIRN
Prishtinë

Qeveria e Kosovës nuk ka paguar asnjëherë drejtpërdrejtë për të ndihmuar mbrojtjen e gjashtë ish-luftëtarëve të e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. E vetmja pagesë zyrtare është ajo prej 16.750 € për organizimin e mirëseardhjes për disa nga të dyshuarit e liruar.

Por dy nga të akuzuarit më të shquar, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të cilët pas luftës i hynë politikës dhe mbajtën pozita të larta, kanë marrë shuma të mëdha nga fonde private të mbyllura, që ishin themeluar për t’i mbështetur ata në Hagë.

BIRN ka hetuar rrjedhjen e parave në fondet e themeluara për kryeministrin e pas-luftës Ramush Haradinaj, i cili është aktualisht kreu i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ish-ministrin e Transportit Limaj, i cili aktualisht është deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

" Publiku ishte i prirë të sensibilizohej përmes diskursit nacionalist për të dhënë para... asnjëherë nuk u mësua se ku shkuan ato fonde dhe sa para janë shpenzuar me të vërtetë."

Nora Ahmetaj, Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim

 

Llogaritjet e BIRN-it sugjerojnë se fondi i Haradinajt kishte mbledhur më shumë se 1.500.000 € ndërsa ai i Limajt rreth 212,000 € - edhe pse këto shuma në të vërtetë mund të kishin qenë shumë më të larta.

Për shkak se fondet nuk i publikuan llogaritë e tyre, ka mundësi që një pjesë e parave që u dhurua nga publiku pas thirrjeve përmes reklamave televizive, janë shpenzuar në fakt në ekipet ligjore të dy burrave.

Premtimet publike për Limajn

 

Limaj, Isak Musliu dhe Haradin Bala ishin ish-luftëtarët e parë të UÇK-së që u akuzuan nga ICTY pas luftës.

Në janar të vitit 2003, Tribunali i akuzoi ata nën dyshimin se kishin marrë pjesë në ndërmarrjen e përbashkët kriminale që kishte për qëllim frikësimin, sulmin dhe vrasjen dhe burgosjen e civilëve serbë dhe bashkëpunëtorëve shqiptarë që kishin refuzuar të bashkëpunonin ose i kishin rezistuar UÇK-së.

Limaj dhe Musliu u liruan nga të gjitha akuzat në shtator të viti 2007, ndërsa Bala u dënua me 13 vite burgim.

Fillimisht të tre të akuzuarit aplikuan për ndihmë ligjore që ICTY u ofron të akuzuarve që nuk kanë mundësi financiare, por situata për Limaj ndryshoi kur një sasi e madhe e parash u mblodh përmes thirrjeve telefonike të publikut, e cila ishte reklamuar në televizionet e Kosovës, duke iu bërë thirrje qytetarëve të dhurojnë të holla për të ndihmuar mbështetjen e heroit të tyre.

Fonde private të akuzuarve kosovarë

Fatmir Limaj së paku 212,000 euro të mbledhura

(Burimi : Zyra koordinuese për mbrojtjen e Fatmir Limaj, via ICTY)

Ramush Haradinaj mbi 1,500,000 euro të mbledhura

(Burimi: rast në një gjykatë të Kosovës)

ICTY fillimisht caktoi avokatin britanik Karim Khan si avokatin e Limajt në mars të vitit 2003, por anuloi këtë pas disa muajsh, me arsyetimin se "shuma totale e mbledhur nga fondi [Limaj] deri më 8 tetor të vitit 2003 është më se e mjaftueshme për të mbuluar të gjitha shpenzimet e mbrojtjes për pjesën e mbetur të fazës paraprake".

Në vendimin e saj, gjykata citoi një njoftim për shtyp nga Zyra Koordinuese për Mbrojtjen e Fatmir Limajt, e cili tha se fondi i kishte mbledhur $ 291,594.92 [rreth 212,000 euro].

Por, në korrik të vitit 2004, mbrojtja e Limajt aplikoi përsëri për ndihmë juridike duke e dorëzuar një deklarate të re financiare e cila pretendonte se fondi "ishte shpenzuar dhe nuk është më në dispozicion për të paguar mbrojtjen e tij".

Pas analizimit të gjendjes financiare të Limajt, stafi i ICTY-së vendosi se "i akuzuari ka të drejtë të pjesshme për ndihmë juridike" dhe u pajtua që të paguajë gjysmën e shpenzimeve tij për pjesën e mbetur të gjykimit.

Por, dyshimet rreth mënyrës se si ishin ngritur burimet e fondit të Limajt në Kosovë filluan pasi Karim Khan mbeti avokat i tij në dy raste tjera pas lirimit të tij nga Haga, në rastin e krimeve ndaj të burgosurve në kampin e Kleçkës dhe rastin e korrupsionit në Ministrinë e Post-Telekomunikacionit të Kosovës.

Edhe pse fondi ishte mbyllur, Limaj ende kishte para për të paguar tre avokatë, avokatin britanik Khan dhe dy avokatët tjerë shqiptarë, Tomë Gashi dhe Tahir Rrecaj. Pagesat e tyre nuk janë bërë kurrë publike.

Gazeta Koha Ditore njoftoi në janar të vitit 2013 që aktakuza e prokurorit të BE-së në rastin e korrupsionit në Ministrinë e Transportit pohonte se paratë që Limaj kishte paguar mbrojtjen e tij në rastin Kleçka mund të ishin mbledhur në mënyrë të paligjshme.

Megjithatë, avokatët e Limajt insistuan se paratë kesh ishin siguruar nga shitja e tokës.

Rrjedhja e keshit në rastin Haradinaj

 

Në rastin e dytë të madh të Kosovës në ICTY, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj ishin akuzuar në mars të vitit 2005 për krime lufte ndaj civilëve.

Ndryshe nga të bashkakuzuarit e tij, Haradinaj nuk kishte aplikuar për ndihmë juridike, por kishte siguruar fonde përmes thirrjeve publike si Limaj.

"Qeveria e Kosovës duhet të kishte kontribuuar me të gjitha mundësitë që kishte në mbështetje të ish-shokëve tanë"

Muharrem Xhemajli, Shoqata e Veteranëve të Luftës

 

Në maj të vitit 2005, dy anëtarë të partisë së tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Jahja Lluka dhe Ethem Çeku, themeluan Komitetin për Mbrojtjen e Ramush Haradinajt dhe hapën një llogari bankare për njerëzit që dëshironin të dhuronin para. Përsëri, u përdor sistemi i donacionit me telefon e cila u reklamua mjaft shumë në televizionet e Kosovës.

Por, dy personat e tjerë të cilët ishin më pak të njohur nuk mund të përdornin sistemin e telefonatave publike prandaj iu desh të pajtohen me mbrojtje më të dobët, tha Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Kosovës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

"Derisa për Haradinaj ishte e lehtë të siguroheshin të holla kjo ishte shumë më e vështirë për të akuzuarit tjerë. Ishte diskriminim i pastër, ndërsa ne e kemi kritikuar këtë fenomen duke i kërkuar qeverisë të marrë përsipër shpenzimet e nevojshme për mbrojtjen e të akuzuarve", tha Shala.

Fondi Haradinaj shpejt u vu nën hetim dhe tre persona u akuzuan për korrupsion në lidhje me metodat e tij.

Jahja Lluka nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Milazim Abazi, drejtor i Kasabank dhe Hashim Sejdiu, menaxher i degës Kasabank në Prishtinë, u akuzuan për deklarim të rrejshëm të raporteve, pranimit të paligjshëm të kontributeve dhe mosdeklarim të transaksioneve bankare.

Abazi dhe Sejdiu u liruan në vitin 2010, por Lluka u shpall fajtor dhe u gjobit me 10,000 euro dhe 10 muaj burg me kusht, i cila u reduktua në nëntë muaj pas apelit.

Gjykata gjeti se nga gushti i vitit 2005 deri në nëntor të vitit 2006, Lluka kishte depozituar mbi 1.500.000 € në fondin Haradinaj përmes një serie transaksionesh të ndryshme në Kasabank.

Por ashtu, si në rastin Limaj, llogaritë bankare nuk ishin bërë publike për të siguruar donatorët se paratë e tyre ishin shpenzuar si duhet.

Edhe pse emrat e njerëzve që kontribuuan në fondin e Haradinajt nuk janë bërë publik, Behxhet Shala tha se ishte i bindur se "disa biznesmenë që kontribuuan financiarisht në këtë fond janë shpërblyer më vonë përmes tenderëve apo favoreve tjera financiare".

Propaganda emocionale për të mbrojtur çlirimtarët e kombit nga koha e luftës nxiste njerëzit të dhuronin para në këtë fond, i cili vuante nga "mungesa e transparencës", tha Nora Ahmetaj, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim.

"Publiku ishte i prirë të sensibilizohej përmes diskursit nacionalist për të dhënë para për mbrojtjen e Limajt, Haradinajt dhe të tjerëve", tha Ahmetaj.

"Por, publiku asnjëherë nuk mësoi se ku shkuan ato fonde dhe sa para janë shpenzuar me të vërtetë. Askush nuk ishte përgjegjës për sasinë e parave të mbledhura dhe daljen e këtyre fondeve", tha ajo.

Në prill të vitit 2008, Haradinaj dhe Balaj u liruan nga të gjitha akuzat, pas një gjykimi tre-vjeçar. Brahimaj u dënua me gjashtë vite burgim për trajtim mizor dhe tortura.

Pas tij, pasoi një rigjykimi i pjesshëm i cili përfundoi me shpalljen e pafajshëm të tre të akuzuarve në fjalë në nëntor të vitit të kaluar.

Partia pa pagesa

Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, qeveria e Kosovës nuk i ka mbështetur financiarisht ish-luftëtarët e UÇK-së, gjersa ata gjykoheshin në ICTY.

Në korrik të vitit 2003, qeveria vendosi të "bëjë një kërkesë në Këshillin Ekonomik dhe Fiskal për të siguruar para për fondin e mbrojtjes së të akuzuarve nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë", thuhet në një dokument të parë nga BIRN.

Një kërkesë e ngjashme ishte bërë në mars të vitit 2005 nga ish-kryeministri Bajram Kosumi.

Qeveria vendosi të "krijojë një komitet për ndihmë profesionale, ligjore dhe financiare në procesin e Tribunalit të Hagës për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj".

Megjithatë, sekretari i përhershëm i qeverisë, Fitim Krasniqi tha se "këto vendime nuk u zbatuan kurrë".

Disa kanë pohuar se organet e qeverisjes në mënyrë të paligjshme dhe fshehurazi kanë bërë donacione në fondin Haradinaj.

"U përmend disa herë se ishin bërë telefonata në Fondin Haradinaj nga institucionet e Kosovës", tha Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv në Qendrën për të Drejtën Humanitare.

Por akuza të tilla nuk janë provuar kurrë.

Mbështetja e vetme zyrtare e Kosovës për të akuzuarit e Hagës erdhi në dhjetor të vitit 2012, kur qeveria vendosi të ndajë 16.750 euro për të "organizuar mirëseardhjen e Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij liruar nga Tribunali i Hagës".

Muharrem Xhemajli, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, tha se shteti duhet të kishte bërë më shumë për të mbështetur financiarisht Haradinajn dhe Limajn.

"Disa herë e kemi shprehur nevojën se shteti dhe jo organizatat apo personat privat – duhet të merren me këtë çështje në mënyrë që të parandalohet keqadministrimi ose manipulimet e mundshme", tha Xhemajli.

"Qeveria e Kosovës duhet të kishte kontribuuar me të gjitha mundësitë që kishte në mbështetje të ish-shokëve tanë", insistoi ai.

Përderisa të akuzuarit e ICTY-së ishin cilësuar gjithandej si heronj dhe paratë ishin derdhur për lirinë e tyre, viktimat e luftës ishin harruar, tha Blakaj nga Qendra për të Drejtën Humanitare.

"Kurrë nuk kam dëgjuar për një rast, në të cilin viktimat u dëmshpërblyen. Publiku nuk njeh viktimat dhe në fakt ai nuk është i interesuar t’i njohë ato", tha Blakaj.

"Në shumicën e rasteve, të akuzuarit kanë rolin kryesor dhe në fund ata janë të lëvduarit", përfundoi ai.

Disqus

blog comments powered by Disqus