Lajm 15 May 12

Kosovë: Familjet e Personave të Zhdukur Protestojnë

Familjarët e personave që u zhdukën gjatë luftës në Kosovë protestuan të martën, duke i kërkuar ligjvënësve ta mbajnë çështjen e të zhdukurve si parakusht për bisedat me Serbinë.

Fatmir Aliu
BIRN
Prishtinë

Protestuesit u mblodhën përballë Parlamentit, pasi Partia Demokratike e Kosovës, PDK, shpalli se do të bënte një propozim për hedhjen poshtë të një mocioni të pranuar më parë, i cili rekomandon Qeverinë e Kosovës për të vendosur kushte për pjesëmarrjen e saj në dialogun me Beogradin.

Mocioni thotë se si parakusht për negociata të mëtejshme, Serbia duhet të tregojë se çfarë iu ndodhi 1, 400 personave që u zhdukën gjatë luftës të vitit 1999, të cilët supozohet se janë vrarë nga forcat e sigurisë serbe.

Në rast se Beogradi nuk e jep këtë informacion, delegacioni i Kosovës nuk do të lejohej të marrë pjesë në raundin tjetër të bisedimeve.

Mocioni u miratua me mazhorancë votash, duke përfshirë vota nga anëtarë të PDK-së në parlament.

Sidoqoftë, deputetët e PDK-së thanë se vota e tyre “ishte gabim”. Si rezultat, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha gjatë fundjavës se do të dorëzonte një mocion të dytë për të korrigjuar gabimin.

Plani i PDK-së për të hedhur poshtë mocionin u dënua nga partitë opozitare, të cilat kërcënuan se do të bojkotojnë seancën parlamentare.

Sidoqoftë, gjatë seancës plenare të martën, PDK-ja tha se do ta linte çështjen deri sa të arrihet një konsensus më i gjerë politik.

Një anëtar i opozitës doli nga seanca dhe iu dha lajmin familjeve të personave të zhdukur që po protestonin jashtë parlamentit. Pasi ndenjën për pothuajse dy orë në shi, disa nga protestuesit qanë nga gëzimi.

“Tërheqja e PDK-së [në këtë çështje] është arritja juaj. Iu mbetet juve që qëndroni këtu dhe protestoni në këtë kohë,” iu tha protestuesve Glauk Konjufa nga Lëvizja opozitare Vetëvendosje.

Nysrete Kumnova, nga “Thirrjet e Nënave”, një OJQ për personat e zhdukur, u tha gazetarëve se shpreson se autoritetet do të implementojnë rekomandimet dhe do të kushtëzojnë dialogun me Serbinë, një veprim që “është vonuar dhe ka munguar për 13 vjet”.

“Ne, familjet e personave të zhdukur, për 13 vitet e fundit i kemi kërkuar Serbisë të na tregojë për fatin e të dashurve tanë. Tani që dëgjojmë që Parlamenti nuk e hodhi poshtë mocionin e mëparshëm, ndihemi më mirë,” tha Kumnova për BIRN-in.

Kosova deklaroi pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008, ndarje të cilën Serbia nuk e pranon. Nën bisedat e mbikëqyrura nga BE-ja, të dyja palët u pajtuan në një sërë çështjesh në lidhje me lirinë e lëvizjes dhe përfaqësimin rajonal të Kosovës.

blog comments powered by Disqus