Analizë 28 Nov 12

Kosova pret Aktgjykimin e Haradinajt me Shpresë dhe Ankth

Ndërsa familjarët dhe miqtë përgatiten për kthimin në atdhe të Ramush Haradinajt, ekziston frika se Tribunali i Hagës është nën presion për të lëshuar një aktgjykim që do të kënaqë Serbinë.

Edona Peci
BIRN
Prishtinë

“Kërkoj falje për rrëmujë, por po bëjmë riparimet përfundimtare në ndërtesë”, thotë Daut Haradinaj.

Vëllai i ish-liderit të UÇK-së dhe ish-kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj, e pret BIRN-in në zyrën e tij në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë.

Partia e AAK-së është e zënë duke u përgatitur për kthimin e shumë-pritur nga Haga të liderit të saj, sikurse dhe e gjithë familja Haradinaj.

Të enjten, klani do të mblidhet në shtëpinë e familjes në Gllogjan, fshat në perëndim të Kosovës ku Ramushi, tani 44-vjeçar, ka lindur.

Do të shikojnë aty transmetimin live të gjykimit të dhomës së apelit të Tribunalit të Hagës.

Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish Jugosllavi, ICTY, do të japë vendimin për rigjykimin e Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt, tre ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.

Treshja akuzohet se kanë torturuar dhe vrarë të burgosurit në një kamp të UÇK-së në Jabllanicë, gjatë konfliktit në Kosovë, në vitin 1998.

Në vitin 2008, Tribunali i Hagës liroi Haradinajn dhe Balajn nga akuzat për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit dhe burgosi Brahimajn për gjashtë vjet për mizori dhe tortura.

Daut Haradinaj, anëtar i parlamentit të Kosovës, kujton “periudhën e vështirë” që familja dhe partia kanë kaluar që nga fillimi i procesit gjyqësor vite më parë.

“Nuk do të doja që kjo t’i ndodhte askujt në Kosovë”, tha ai.

Edhe pse duket i lodhur dhe i shqetësuar, vëllai i Haradinajt insiston se ndihet optimist për gjykimin e të enjtes.

“Shpresojmë se pafajësia e të treve do të rikonfirmohet”, tha ai.

“Ka qenë një gjyq maratonik, por shpresoj se gjykimi përfundimtar do të favorizojë luftën tonë, Ramushin dhe miqtë e tij. Lufta jonë ishte për t’u mbrojtur dhe e drejtë”, tha ai, për BIRN-in.

Lirimi i Haradinajt pritet nga publiku në Kosovë; posterë dhe banerë që mirëpresin Haradinajn në atdhe janë vënë në Prishtinë dhe qytete të tjera.

Mijëra persona treguan mbështetjen e tyre për ish-komandantin e UÇK-së duke postuar në Facebook.

“Ramush Haradinaj po kthehet”, “Lironi Ramush Haradinajn” ose “Ramushi po vjen”, janë disa nga postimet në një nga profilet e tij.

Aktgjykimi për Haradinajn do të jepet një ditë pasi Shqipëria shënon përvjetorin e pavarësisë që festohet edhe nga shqiptarët në Kosovë dhe rajon.

Ardian Pacolli, student i shkencave politike në Prishtinë, thotë se çdo aktgjykim tjetër përveç lirimit të Haradinajt “do të ishte gabim”.

“Ai nuk ka bërë asgjë për t’u dënuar. Mendoj se ka luftuar për tokën dhe popullin tij... Më vjen keq që Haradinaj nuk mund të jetë në Kosovë kur po festojmë 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”.

Tribunali i Hagës lëshoi aktpadinë fillestare kundër Haradinajt dhe dy bashkë të akuzuarve, më 4 mars 2005.

Katër ditë pasi u lëshua aktgjykimi dhe vetëm 100 ditë pasi kishte udhëhequr qeverinë e Kosovës, Haradinaj dha dorëheqjen për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatë më 9 mars.

Pas një gjyqi trevjeçar në Tribunalin e Hagës, ai u lirua në prill të vitit 2008. U kthye në Kosovë, në familjen e tij dhe politikë, duke vazhduar aktivitetet si kreu i AAK-së në opozitë.

Por, më 21 korrik 2010, dhoma e apelit në Tribunalin e Hagës pjesërisht e rrëzoi lirimin e mëparshëm të treshes, duke urdhëruar rigjykim të pjesshëm.

Prokuroria e Hagës ka bindur gjykatësin e apelit se nuk ka dhënë kohë të mjaftueshme për të dëgjuar provat e dy dëshmitarëve kyç.

Pas një rigjykimi 35-ditor, gjatë të cilit u thirrën 12 dëshmitarë, shpresat janë të mëdha në Kosovë se rasti më në fund do mbyllet.


Koha për gjykimin e së enjtes është e ndjeshme. Aktgjykimi i Tribualit do të dalë vetëm dy javë pasi Tribunali i Hagës liroi Ante Gotovinën dhe Mladen Marakcin, dy ish-gjeneralë të ushtrisë kroate, për krime lufte.

Më 16 nëntor, Dhoma e Apelit e Tribunalit e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë që u dha në prill të viti 2011, që burgosi Gotovinën dhe Markacin me 24 dhe 18 vjet burgim për përfshirje në një “aksion të përbashkët kriminal”.

Kjo ishte e lidhur me operacionin “Oluja” [“Stuhia”] të ushtrisë kroate verën e vitit 1995 që përfundoi me revoltën serbe në rajonin jug perëndimor të Krajinës.

Zyrtarët në Beograd e dënuan aktgjykimin e dhomës së apelit ashpër. Presidenti serb Tomislav Nikolic tha se aktgjykimi “konfirmoi deklaratat e atyre që thonë se Tribunali i Hagës nuk është gjykatë dhe qëllimi i vetëm është plotësojë një agjendë politike të paracaktuar”.

Sipas një politikani serb Rasim Ljajic, “asgjë e mirë” nuk mund të pritet në lidhje me rastin Haradinaj et al.

Shqetësimi mes zyrtarëve në Kosovë është se presioni në Hagë tani po rritet për të “balancuar” aktgjykimet kontroverse kroate për të zbutur inatin e Serbisë.

Agim Çeku, ministri i Forcave të Sigurisë në Kosovë, thotë se qeveria “është e shqetësuar nga presioni i Beogradit” në gjykatën në Hagë.

“Çdo aktgjykim përveç rrëzimit të të gjitha akuzave do të ishte padrejtësi, në mos kulmi i padrejtësisë”, tha ai për Balkan Insight.

“Ramushi nevojitet në Kosovë, por edhe në rajon”, shtoi ish-shefi i shtabit i UÇK-së.

Edhe pse jo i përfshirë aktivisht në politikë, që kur filloi rigjykimi, Haradinaj ka mbetur lideri i AAK-së.

Partia ka rol në dialogun e tanishëm për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Blerim Shala, një nga deputetët e AAK-së dhe deputet në parlament, u emërua javën e shkuar si koordinatori politik i Kosovës në ekipin e dialogut, që udhëhiqet nga kryeministri Hashim Thaçi.

Vendimi i Tribunalit për të urdhëruar një rigjykim të pjesshëm të tre ish-komandantëve të UÇK-së ishte i pari i llojit të tij që nga themelimi i gjykatës në vitin 1993.

Afrim Hoti, profesor i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës thotë se “kërkesa për rigjykim të pjesshëm ka dëmtuar imazhin e Tribunalit, duke e vënë nën dyshime për influencë politike”.

“Me aq sa kam parë unë, gjyqi nuk është karakterizuar nga ndonjë argument i ri”, tha ai.

“Pas një rigjykimi të pjesshëm jemi në të njëjtën pikë si më parë, që do të thotë kthimi i Haradinajt”, shtoi ai.

Çfarëdo qoftë aktgjykimi për Haradinaj et al, shumë çështje të lidhura me luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë ende mbesin të pazgjidhura.

Ish-anëtarët e UÇK-së, forca guerile që u krijua gjatë luftës për pavarësi nga Serbia, në fund të viteve 1990-të, vazhdojnë të përballen me dyshime për krime lufte, të kryera në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe jashtë vendit.

Imazhi i Kosovës si pala e pafajshme në konflikt u trondit rëndë në vitin 2010 nga raporti i raportuesit për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Dick Marty.

Ai akuzoi ish luftëtarët e UÇK-së, përfshirë kryeministrin e tanishëm të Kosovës, Hashim Thaçin, për shitje të organeve të të burgosurve serbë dhe të tjerëve në Shqipëri gjatë konfliktit në Kosovë.

This article is Premium Content. In order to gain access to it, please login to your account below if you are already a Premium Subscriber, or subscribe to one of our Premium Content packages.

Buy Premium Subscription

Our Premium Service gives you access to exclusive content published on Balkan Insight, including analyses, investigations, comments, interviews and more. Subscribe to Balkan Transitional Justice Premium or to Full Premium Access and get unparalleled in-depth coverage of the Western Balkans.

Buy premium subscription

If you have trouble logging in or any other questions regarding you account, please contact us

Disqus

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor