Lajm 01 Jun 12

Koricanske Stijene: Prokuroria Kërkon Burgime Afatgjata

Në argumentet e saj mbyllëse, prokuroria tha se shumica e policëve serbë të Bosnjës, që shoqëruan mjetin me civilët që udhëtuan nga Prijedori në Travnik, më 21 gusht 1992, e dinin për planin për të bërë vrasjet.

Raporti i Drejtësisë
BIRN
Sarajevë

Prokurorja Slavica Terzic tha se ishte “e bindur, më shumë se kurrë” se Sasa Zecevic, Radoslav Knezevic, Petar Civcic, Branko Topola dhe Marinko Ljepoja morën pjesë në vrasjen e rreth 200 burrave boshnjakë dhe kroatë të Bosnjës, që ishin ndarë nga pjesa tjetër.

Terzic kërkoi për burgime afatgjata për të akuzuarit sepse, siç e përshkruan ajo, ishte një krim i tmerrshëm.

Prokurorja dha shpjegimin e saj se pse asnjë nga shoqëruesit, duke përfshirë të paditurit, nuk folën për udhrin për të kryer vrasjet gjatë udhëtimit.

“Çdo gjë ishte përgatitur më parë. Autorët e krimeve ishin anëtarë të një ekipi dhe e dinin se çfarë duhet të bënin”, tha Terzic.

Sipas akuzave, Zecevic, Knezevic, Civcic dhe Ljepoja ishin policë të Skuadrës së Ndërhyrjes në stacionin e policisë në Prijedor dhe Topola ishte roje në kampin e burgimit në Trnopolje.

“Skuadra e Ndërhyrjeve ishte elementi kyç në ndërmarrjen e përbashkët kriminale që bëri persekutimin”, tha prokurorja, duke shtuar se mijëra banorë të Prijedorit ishin burgosur në kampet e burgimit në Omarska, Trnopolje dhe Keratrem.

Prokuroria tha se kishte vërtetuar se rreth 200 burra ishin ndarë nga automjeti në Mali Vlasic, u hipën në dy autobusë, u transportuan në Koricanske Stijene, u vunë në rresht buzë një gremine dhe u vranë.

Sipas prokurores, “mëkati” i vetëm i viktimave ishte se nuk ishin serbë.

Terzici i përmendi Trupit Gjykues dëshminë e Damir Ivankovicit. Ivankovic ishte anëtar i Skuadrës së Ndërhyrjeve, që u shpall fajtor për këtë krim dhe u dënua me 14 vjet burgim.
Ai dëshmoi, se pas vrasjeve, disa anëtarë të Skuadrës së Ndërhyrjeve, duke përfshirë një nga të akuzuarit, Topolën, shkoi në kafene në Knezevo, ku disa mburreshin se si kishin “qëlluar dhe vrarë”.

Avokatët mbrojtës të Zecevicit dhe Knezevicit do të prezantojnë argumentet mbyllëse të enjten, më 7 qershor.

blog comments powered by Disqus