Intervistë 30 Oct 17

Kongresi Botëror i Hebrenjve thirrje Kroacisë të diskutojë Holokaustin

Kongresi Botëror i Hebrenjve dëshiron të nxisë një debat në lidhje me revizionizmin e Holokaustit në Kroaci, për të inkurajuar njohjen e krimeve të kryera në kampin e përqendrimit të Jasenovacit, tha për BIRN aktivisti Menachem Rosensaft.

Sven Milekic BIRN Zagreb
 
Menachem Rosensaft. Foto kortezi e Menachem Rosensaft.  

Profesori amerikan i drejtësisë Menachem Z. Rosensaft tha në një intervistë për BIRN se Kongresi Botëror i Hebrenjve - një organizatë ndërkombëtare që përfaqëson komunitetet hebraike - dëshiron të nxisë një diskutim në Kroaci në lidhje me krimet që u kryen në kampin fashist kroat të Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rosensaft, i cili së fundmi ndezi interesin e medias me një artikull të titulluar "Kroacia po përpiqet të heqë nga historia krimet e saj të Holokaustit” në revistën hebraike Tablet, tha se vendi duhet të përballet me faktet dhe të mos rishikojë të kaluarën e tij.

Ai shprehu shqetësim se liderët politikë kroatë mund t’i japin mesazhe të ndryshme popullit të tyre, në varësi të faktit nëse po flasin jashtë shtetit apo në vendin e tyre.

"Kujtesa historike, saktësia historike nuk mund të ndryshojë në varësi se cila është audienca," tha ai.

"Në këtë aspekt, ne vlerësojmë se si liderët kroatë folën për Holokaustin në Izrael, por në të njëjtën kohë jemi të shqetësuar se të njëjtat fjalë nuk mund të fliten gjithmonë në Kroaci për publikun kroat,” shtoi ai.

Rosensaft, i cili është këshilltar i përgjithshëm në Kongresin Botëror të Hebrenjve, është një studiues i njohur, ligjërues mbi gjenocidin dhe gjyqet e krimeve të luftës në shkollat e drejtësisë të universiteteve të Kolumbias dhe Kornuellit.

Kongresi aktualisht është i angazhuar në një fushatë ndërkombëtare kundër revizionizmit të Holokaustit dhe minimizimit të krimeve që janë kryer, sidomos në Jasenovac.

Duke vënë në zbatim ligjet racore kundër serbëve, hebrenjve dhe romëve, lëvizja fashiste ustashe e kohës së Luftës së Dytë Botërore vrau më shumë se 83,000 njerëz në kampin e Jasenovacit midis viteve 1941 dhe 1945.

Edhe pse atij i kanë interesuar gjithmonë krimet që ndodhën në Jasenovac, Rosensaft tha se vëmendja e tij u rrit kur pa komunitetin hebraik të bojkotonte përkujtimoren zyrtare të përvitshme në vendin e përkujtimores së kampit.

Në dy vitet e fundit, si komuniteti hebraik ashtu edhe komuniteti serb në Kroaci kanë refuzuar të marrin pjesë në përkujtimore në shenjë proteste ndaj asaj që ata pretendojnë është ringjallja e vlerave fashiste në politikën kroate.

Rosensaft tha se fushata e Kongresit "nuk është një fushatë kundër Kroacisë", por një përpjekje për të sjellë vëmendjen e publikut brenda dhe jashtë Kroacisë te çështja e Holokaustit siç ishte zbatuar ai në Kroaci.

Ky debat do të çonte me shumë gjasa në evente si konferenca apo edhe një komision ndërkombëtar për të përcaktuar faktet mbi Jasenovacin, shtoi ai.

Hulumtues në vendin e përkujtimores së Jasenovacit kanë arritur të bëjnë një listë me emrat e 83,145 viktimave të kampit.

Por disa njerëz në Kroaci dhe Serbi e kanë vendosur shifrën shumë më të ulët ose më të lartë, edhe pse shumica e historianëve pajtohen se numri i përgjithshëm i vdekjeve është rreth 100,000.

"Shifrat e numrit të viktimave nuk duhet të jenë temë debati politik midis kroatëve, serbëve dhe hebrenjve, por duhet të përcaktohen nga historianë dhe studiues të pavarur ndërkombëtar, qoftë nga Muzeu Amerikan i Memorialit të Holokaustit në Uashington ose nga Yad Vashem ( Qendra përkujtimore e Holokaustit në Jerusalem), dhe ata duhet të përfshijnë gjithashtu historianë kroatë dhe serbë, përfaqësues të komunitetit hebraik kroat dhe përfaqësues të romëve të cilët gjithashtu u vranë në Jasenovac," tha Rosensaft.

Ai tha se "asnjë nga gjenocidet dhe mizoritë kundër serbëve, hebrenjve, romëve dhe antifashistëve që ndodhën në Jasenovac nuk duhet të politizohen ndonjëherë".

Kongresi Botëror i Hebrenjve kërkon saktësi historike dhe depolitizim të kujtesës së Holokaustit, shtoi ai.

"Në këtë aspekt, nuk ka vërtet asnjë dallim midis hebrenjve, serbëve dhe romëve. Ata u vranë në të njëjtin vend, nga të njëjtët autorë dhe meritojnë të kujtohen dhe përkujtohen me dinjitet dhe vërtetësi,” theksoi ai.

Mes rritjes së marrëdhënieve të mira me Izraelin, presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç vizitoi memorialin e Holokaustit Yad Vashem në Jerusalem në vitin 2015 dhe shprehu keqardhje për hebrenjtë që vdiqën nga dora e ustashëve.

Megjithatë, Grabar Kitaroviç kurrë nuk ka marrë pjesë në përkujtimoret zyrtare në Jasenovac dhe ka bërë vetëm një vizitë personale të paparalajmëruar, e cila ka shkaktuar shqetësime mes shoqatave të viktimave.

Situata në Kroaci me ide revizioniste rreth Holokaustit është pjesë e një trendi më të gjerë në Europën Qendrore dhe Lindore, tha Rosensaft.

Njerëzit duhet të edukohen për krimet që janë kryer dhe për faktin se kush ishte përgjegjës, siç ishte bërë në Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore, shtoi ai.

Krimet në Jasenovac u kryen vetëm nga ustashët dhe nuk u drejtuan apo u zbatuan nga gjermanët, theksoi ai.

"Nuk i shërben askujt nëse sugjerohet se krimet në Jasenovac janë kryer nga disa individë të panjohur. Vrasjet dhe torturat në Jasenovac u kryen nga ustashët. Ne e dimë se kush ishin ata, ua dimë emrat dhe e dimë se kush ishin komandantët. Ne e dimë shumë mirë se kush ishte përgjegjës. Ky s’është mister,” tha ai.

Rosensaft i referohej gjithashtu një dokumentari të kohëve të fundit “Jasenovaci - E Vërteta”, i realizuar nga regjisori tepër polemik Jakov Sedlar, i cili sipas shumë personave, përfshirë ambasadoren izraelite në Zagreb, minimizoi krimet e kryera në Jasenovac.

Në premierën e tij në Zagreb në vitin 2016, ministri i kulturës i Kroacisë në atë kohë, Zlatko Hasanbegoviç, tha se dokumentari ishte "mënyra më e mirë për të hedhur dritë mbi një sërë vendesh polemike në historinë kroate".

Rosensaft, për asnjë habi, nuk u pajtua me këtë. “Kur prezantohet një dokumentar, i cili me mbështetjen e ministrit minimizon tmerret e kryera në Jasenovac, kjo nuk ndihmon aspak," tha ai.

Por ai vazhdoi më tej dhe tha se nuk donte të fliste për çmimin që qyteti i Zagrebit i dha Sedlarit në prill.

"Nuk na takon ne të komentojmë çështjet e brendshme," tha ai. "Mund të them vetëm se s’i takon askujt të njohë një film apo libër që shtrembëron faktet".

Disqus

blog comments powered by Disqus