Gjykata në Bihac konfirmoi një aktpadi kundër një serbi të Bosnjës, Slavko Stricevic, për vrasjen e tre të burgosurve të luftës boshnjakë në qytetin verior Bosanski Petrovac, në vitin 1992.
Ish-anëtari i policisë së Republikës Srpska akuzohet se ka vrarë tre të burgosur boshnjakë, në qershor të vitit 1992.
Ai akuzohet bashkë me dy ish-anëtarë të Ushtrisë së Republikës Srpska, Obrad Ozegovic dhe Milutin Babic.
“Pasi banorët e Jasenovacit kapën boshnjakët Mustafa Cikota, Emsud Smailovic dhe Sadko Burnic, më 28 qershor 1992, Slavko Stricevic - i njohur gjithashtu si Svabo - i abuzoi fizikisht ata gjatë marrjes në pyetje, duke i goditur në kokë me grushte”, thuhet në aktpadinë e Prokurorisë së Kantonit në Bihac.
Pasi Brunic u rrëzua në tokë nga forca e grushteve, Ozegovic e vrau me pushkë, thuhet më tutje në aktpadi.
Në aktpadi thuhet gjithashtu se Stricevici urdhëroi dy të burgosurit e tjerë të vendosnin trupin e Burnicit në një traktor. Bashkë me Babicin e çuan në humnerën “Dervisaeva Jama”, ku u vranë edhe dy të burgosurit e tjerë.
“Për të mbuluar krimin, trupat e të burgosurve u hodhën në një gropë 20 metra të thellë”, thuhet në aktpadi.
Prokuroria shtoi se Ozegovici dhe Babici nuk janë aktualisht të arritshëm për gjyqësorin e Bosnjës.
Stricevici u arrestua në Derventa, në veri të Bosnjës, në maj, nga Agjencia e Shtetit për Hetim dhe Mbrojte e Bosnjës, SIPA. Që në atë kohë është mbajtur në paraburgim.
Stricevici pritet të bëjë deklaratën e tij në 15 ditët në vijim.