Lajm 16 Jul 12

Kerestinec: Dëshmitari Akuzoi Dëshmitarin Tjetër për Torturë

Gjatë gjyqit për krime lufte të kryera në ish-burgun e Ushtrisë Kroate në Kerestinec, një nga dëshmitarët tha se një dëshmitar tjetër e ka torturuar.

Boris Pavelic
BIRN
Zagreb

Dragoslav Gracanin, ish-major në Armatën Popullore Jugosllave, JNA, tha të premten se Josip Perkovic, ish-zyrtar i qeverisë dhe dëshmitar në gjyq, ishte një nga personat që e rrahën kur ishte i burgosur në Kerestinec.

“U shokova kur pashë dikë që më ka rrahur mua të dëshmojë në këtë gjyq. E pashë në televizor, kështu që do t’iu jap foton e tij”, i tha Gracanini, gjyqtarit kryesues në gjyqin e të premtes. Ai  shtoi se e gjeti foton e tij në internet.

Gjyqtari Marijan Garac konfirmoi se personi në foto ishte Josip Perkovici.

Në vitin 1991 dhe 1992, Perkovici ishte zëvendësministër i Mbrojtjes në Kroaci dhe shef i Shërbimit të Inteligjencës në Ushtrinë Kroate.

Më 24 maj, ai dëshmoi në gjyqin e komandantit të burgut në Kerestinec, Stjepan Klaric, dhe katër vartësve të tij, Drazen Pavlovic, Viktor Ivancin, Zeljko Zivec dhe Goran Strukelj.

Personat janë të akuzuar për torturim fizik dhe psikologjik të 34 të burgosurve, kryesisht serbë të Kroacisë, si dhe abuzim seksual të të burgosurave femra gjatë gjysmës së dytë të vitit 1991 dhe muajve të parë të vitit 1992.

Perkovici dëshmoi se ai personalisht e pati informuar presidentin kroat Franjo Tudjman dhe ministrin e Mbrojtjes, Gojko Susak, për krimet në Kerestinec.

Gracanin, i cili ka jetuar në Holandë që nga viti 1994, dëshmoi se u kap në janar të vitit 1992 në ish-barakat e JNA-së në Zagreb. Ai tha se u hetua nga autoritetet kroate se kishte shërbyer në ushtrinë armike, por se u lirua nga të gjitha akuzat.

Ai kaloi më shumë se 300 ditë në burgje në Kroaci, por refuzoi të shkëmbehej si i burgosur lufte për ushtarët kroatë të burgosur në Serbi.

Gracanini dëshmoi për torturat dhe abuzimin seksual që ai bashkë me të burgosur të tjerë meshkuj dhe femra përjetuan në Kerestinec dhe tha se Strepan Klaric e ka rrahur personalisht.

“Atje isha thjesht një objekt pa të drejta të njeriut”, tha ai.

Borivoj Rogic, një i burgosur tjetër nga Kerestineci, dëshmoi të premten për torturat që ai kaloi gjatë burgimit. Rogici tregoi se si ishte detyruar të lëpinte dyshemenë dhe të godiste murin me kokë, tha ai. Shtoi se rojet i thyen brinjët dhe i vunë pistoletë në gojë, disa herë.
    
Gjyqi do të vazhdojë më 16 korrik.

blog comments powered by Disqus