Ish-lideri serb i Bosnjës, Radovan Karadzic, ka kërkuar të premten nga Tribunali i Hagës të thërrasë presidentin grek si dëshmitar në gjyqin e tij.
Karadzici propozoi që presidenti i Greqisë, Carlos Papoulias, të dëshmojë më 26 mars të vitit të ardhshëm, para Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, ICTY.
“Ka baza të arsyeshme për të besuar që presidenti Papoulias ka informata që mund të ndihmojnë materialisht”, thuhet në mocionin që Karadzici dorëzoi te ICTY.
Papaoulias ishte ministër i Punëve të Jashtme i Greqisë, midis viteve 1993 dhe 1996, dhe sipas Karadzicit “kishte një pozitë unike mes palëve të ndryshme ndërkombëtare”.
“Për shkak të lidhjeve fetare dhe historike ndërmjet Greqisë dhe serbëve, presidenti Papoulias ishte një nga biseduesit e paktë ndërkombëtar te i cili serbët e Bosnjën kishin besim dhe me të cilin mund të flisnin me besueshmëri dhe haptazi”, shpjegon Karadzici, në mocionin e tij.
Sipas Karadzicit, dëshmia e presidentit grek mund të jetë kyçe për të vërtetuar pafajësinë e tij për bombardimin e tregut Markale në Sarajevë, më 5 shkurt 1994.
Karadzici shpjegoi se i dërgoi disa letra qeverisë greke, duke përfshirë letrën më të fundit të dërguar më 21 mars të këtij viti, duke i kërkuar Papouliasit të dëshmojë vullnetarisht, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Karadzici akuzohet, si president i Republikës Srpska dhe komandant suprem i forcave të saj të armatosura, për gjenocid, krime ndaj njerëzimit dhe dhunime të rregullave dhe zakoneve të luftës, në periudhën mes 1992 dhe 1995.
Gjyqi i tij filloi në tetor të vitit 2009 dhe prokuroria përfundoi së prezantuari provat në maj të këtij viti. Karadzici pritet të fillojë të prezantojë provat e tij në tetor.
Karadzic është deklaruar se është i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave.
Duke dëshmuar në gjyqin e Radovan Karadzicit, gjatë javës së fundit të shkurtit, dëshmitari tha se Karadzici ishte komandanti suprem i Ushtrisë së Republikës Srpska, dhe si i tillë dha urdhrat për ta bërë situatën në Srebrenicë “të padurueshme”.