Lajm 11 Jan 13

Kampet Paramilitare të Luftës “Nën Kontroll të Beogradit”

Qendrat e trajnimit ku serbët mësoheshin si të luftonin gjatë konfliktit të viteve 1990-të në Kroaci, kishin lidhje me zyrtarët në Beograd, u tha në një gjykim në Tribunalin e Hagës.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Qendrat paramilitare ishin nën kontrollin efektiv të autoriteteve në Beograd, tha historiani Christian Nielsen, dëshmitar ekspert në gjyqin e ish liderit serb të Kroacisë, Goran Hadzic, të premten.

Një nga qendrat më të mëdha, në fshatin kroat Erdut, udhëhiqej nga krimineli dhe komandanti famëkeq paramilitar, Zeljko Raznatovic, i  njohur edhe si Arkani.

“Ishte gjithmonë temë spekulimesh se kush e mbështeste Arkanin në Kroaci. Në bazë të dokumenteve të ndryshme zyrtare dhe jozyrtare, Arkani ishte i lidhur me shërbimet e sigurisë serbe në ministrinë e brendshme”, tha Nielsen në gjyqin para Tribunalit Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi, ICTY.

Sipas aktpadisë së Tribunalit të Hagës, Hadzici dhe Raznatovici, i cili u vra në vitin 2000, ishin pjesë e një aksioni të përbashkët kriminal bashkë me liderin tani të ndjerë serb, Slobodan Milosevic, si dhe kreun e Partisë Radikale Serbe, Vojislav Seselj.

Qëllimi ishte të largoheshin joserbët nga zonat e Kroacisë për t’i bërë “pjesë të shtetit të ri të mbizotëruar nga serbët”, lexohet në aktpadi.

“Raporte të shumta thonë se Hadzici dhe Arkani shoqëroheshin bashkë. Shpesh janë dukur në publik bashkë. Dhe një nga raportet e sigurisë së shtetit në Serbi i tetorit të vitit 1992, thotë se Hadzici shpesh shihej në shoqërinë e Arkanit”, tha Nielsen.

Duke folur për kontrollin mbi stacionet e policisë në pjesët e drejtuara nga serbët në Kroaci, Nielsen tha se në fillim ato udhëhiqeshin nga Beogradi, që më pas ia kaloi përgjegjësinë lidershipit vendas serb.

“Në njëfarë kohe në vitin 1991, kontrolli efektiv mbi policinë ishte në duart e Ministrisë së Brendshme në Serbi,  por më vonë, kjo ndryshoi”, tha Nielsen.

Hadzici përballet me 14 akuza për krime lufte, përfshirë persekutim, zhdukje dhe torturim të civilëve joserbë nga Kroacia, mes viteve 1991 dhe 1993.

Gjatë luftës në Kroaci, Hadzici ishte president i Krahinës së vetëshpalluar autonome serbe të Sllavonisë, Baranjës dhe Sremit Perëndimor, dhe më pas u bë president i Republikës së Krajinës Serbe.

Gjyqi do të vazhdojë të hënën.

Disqus

blog comments powered by Disqus

Goran Hadzic at the Hague

Background

Dëshmitarët e Karaxhiqit i fajësojnë ‘myslimanët ekstremistë’ për luftën

Serbët e Bosnjës nuk ishin përgjegjës për shpërthimin e luftës në rajonin e Krajinës në veri të Bosnjës, dëshmuan tre dëshmitarë në gjykimin e Radovan Karaxhiqit.

Karadzici Donte “Gjendje të Padurueshme” në Srebrenicë

Duke dëshmuar në gjyqin e Radovan Karadzicit, gjatë javës së fundit të shkurtit, dëshmitari tha se Karadzici ishte komandanti suprem i Ushtrisë së Republikës Srpska, dhe si i tillë dha urdhrat për ta bërë situatën në Srebrenicë “të padurueshme”.

Buletini ditor